TIRANE- Skema e TV Klan për përfitimin e reklamave nga qeveria e kaluar, tashmë është transferuar dhe implementuar me shumë sukses në bashkinë e Tiranës nga Lulzim Basha. Bashkia e Tiranës “dorovit” rëndë me lekët e taksapaguesve kryeqytetas mediat të cilat mbajnë linjën politike të kryetarit Basha, ndërsa penalizon ato media që nuk e ndjekin këtë linjë.

Ndërkohë që planifikimi i përvetësimit të shifrave kolosale nga fondet për reklamat dhe dhënie e tyre vetëm për një kompani afër pushtetit e ka zanafillën në gusht 2008, kur, pa mbushur ende një vit vendimi i Këshillit të Ministrave për reklamat e spotet publicitare, ndryshohet sërish me VKM nr.1195, dt 5.8.2008, duke hapur rrugën e abuzimit me fondet për spotet dhe e linte në dëshirën, urdhëresën e ministrit nisjen e procedurave e derdhjen e vlerave monetare.