“Rally Albania” : 320 garues
nga 22 shtete të botës

“Rally Albania” : 320 garues<br />nga 22 shtete të botës
Gara e spektakolare e makinave “Rally Albania 2012” do të startojë në 9 qershor në Tiranë. Nisja do të bëhet nga Piramida për të përshkuar më pas rrugët e Shqipërisë. Këtë vit do të marrin pjesë 320 garues nga 22 shtete të botës, si Suedia, Gjermania, Hollanda, Anglia, Greqia, Spanja, Çekia, Sllovakia, por edhe nga Afrika e Jugut, të cilët do të përshkojnë rreth 2000 km rrugë. Organizatorja, Julinda Dhame në një intervistë për Shqiptarja.com, na tregon detajet e kësaj gare, e cila zhvillohet për herë të shtatë në Shqipëri. Dhame shprehet se këtë vit kjo garë ka mbështetjen kryesore të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, pasi sipas saj qëllimi i tyre nuk është vetëm gara por edhe promovimi i turizmit në Shqipëri. Duke na zbuluar disa nga risitë e këtij edicioni të shtatë, Dhame thotë se, për herë të parë në këtë garë do të përdoret një sistem GPS për të kontrolluar vendodhjen e saktë të garuesve por interesant do të jetë edhe mënyra e akomomdimit, pasi këtë vit garuesit mund të zgjedhin të pushojnë në çadra ose në hotele. I pranishëm në çeljen e kësaj gare, do të jetë edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha por nuk do të mungojnë as çmimet për fituesit e kategorive të ndryshme. 

Julinda cilat do të jenë risitë e “Rally Albania 2012”? 

Risia e këtij viti është që ky aktivitet bëhet në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe këtë vit ka mbështetjen kryesore të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Gjithashtu kemi mbështetjen e policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme. Kjo është një garë goxha e madhe, që mund të quajmë të tillë për shkak të pjesëmarrjes. Një tjetër risi do të jetë edhe mënyra e akomodimit. Garuesit përveçse qëndrimit në hotele të ndryshme të vendit, do të kenë mundësi të qëndrojnë edhe në çadra. Vendet ku ata do të qëndrojnë janë në Tiranë (pranë Hotel Rogner), Razëm, Voskopojë edhe në Himarë. 

Sa garues do të marrin pjesë këtë vit ? 

Janë rreth 320 pjesëmarrës ose garues. Por përveç tyre janë edhe stafet teknike të garueseve, stafet e asistencës që gjithsej bëhen rreth 600 veta. Kjo ka shtrirje të madhe edhe përsa i përket territorit shqiptar. Pra, garuesit do të përshkojnë rreth 2000 km rrugë dhe çdo ditë do të ketë rreth 500 km garë. Gara e “Rally Albania”, cilësohet edhe si një shkollë navigimi, për të gjithë garuesit që marrin pjesë. 

Nga cilat vende do të jenë kryesisht? 

Garuesit janë nga Suedia, Gjermania, Hollanda, Anglia, Greqia, Spanja, Çekia, Sllovakia madje dje janë regjistruar edhe disa nga garues nga Afrika e Jugut. Mund të them që gara ka një shtrirje të madhe pasi në të marrin pjesë garues nga 22 vende të botës, dhe feedbacku që marrin të gjithë të huajt dhe garuesit nga kjo garë, është që Shqipëria përveçse është një vend mikëpritës, është edhe një vend me bukuri të ndryshme natyrore. Pra përveç garës Shqipëria mund të shihet edhe si një destinacion turistik për këta garues të huaj. 

Nëpër sa faza do të kalojë kjo garë e këtij viti? 

Gara do kalojë në shtatë faza. Fillimisht fillon në një prolog që do të bëhet në Shëngjin dhe më pas shkohet në Razëm ku do të bëhet një garë tek pjesa e Thethit . Sigurisht që për këto lloj garash bëhet bllokimi i rrugës nga Policia, për ruatjen e jetës së kalimtarëve. Në termat sportive gara është e tipit të vështirë , pasi përveç pjesës së garës ajo ka edhe pjesën e navigimit, që bëhet më anë të një rotebook, që tregon rrugën me anë të shenjave konvencionale. E reja e këtij viti është edhe sistemi i GPS, ku secili garues ka të dhënat e tij, të cilat jepen në kohë live. Në këtë mënyrë ne shikojmë jo vetëm kohën e gjithsecilit, por edhe vendndodhjen e tij të caktuar të garës dhe të vendit. Sistemi GPS bën të mundur që këta garues mos të humbin rrugën. 

Nga do të bëhet nisja? 

Do të nisemi nga Tirana në datën 9 qershor. Pasi në datë 8 bëhet grumbullimi i gjithë garuesve. Më pas bëhet regjistrimi dhe paisja e tyre me sistemin GPS dhe në dt 9 qershor në orën 11, do të nisemi nga Piramida ditën e shtunë. Kjo garë përfundon po ditën e shtunë në 15 qershor. 

Çfarë çmimesh do të ndahen këtë vit? 

Ashtu siç do vit tjetër edhe këtë vit do të kemi ndarje të çmimeve për çdo kategori, motorra, makina dhe kuat (motorra me katër rrota), si edhe një çmim që quhet “Overall” për të gjithë garën. 

Është viti i 7 që organizoni “Rally Albania”, si ka ardhur ai, ka patur përmirësime nga viti në vit? 

“Rally Albania” ka jehonë të jashtëzakonshme jashtë Shqipërisë dhe kërkesat, për të marr pjesë në këtë garë janë shumë të mëdha. Ne i fillojmë aplikimet në 1 tetor të çdo viti dhe shohim që ka një pjesëmarrje goxha të madhe. Fakti që ne i mbyllim regjistrimet vonë, vjen si rezultat i mospërballimit edhe me hotele edhe me akomodim. 

Ku qëndron e veçanta e kësaj gare? 

Kjo është një garë e lirë, që do të thotë në të mund të marrin pjesë jo vetëm ata që kanë licencë pilotimi, por edhe ata që janë amatorë . Deri tani ka rezultuar e suksseshme jo vetëm nga organizimi i garës por për të gjithë garuesit Shqipëria ka qenë një risi, jo vetëm nga rrugët por edhe nga mikpritja shqiptare. Shumë nga garuesit kanë ngelur të kënaqur dhe vijnë gjithmonë në Shqipëri. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për garues të rinj por ka nga ata që vijnë për të disatën herë në vendin tonë. 

Vijnë çdo vit garues të vjetër? 

30 % e tyre, janë garues që kanë marr pjesë për të disatën herë në Shqipëri, madje ata vijnë edhe me familjet e tyre për të kaluar pushimet. Ata pëlqejnë ushqimet shqiptare, por edhe në krahasim me vendet e tjera turizmi në Shqipëri është më i lirë se në vendet e tjera. Pjesë e rëndësishme e kësaj gare, janë gjithashtu edhe mediat e atashuara qofshin ato të huaja apo shqiptare. Madje mediat e huaja shkruajnë pak për garën dhe shumë për Shqipërinë. 

Sa garues marrin pjesë nga Shqipëria? 

Nga Shqipëria kemi shumë pak garues dhe janë vetëm 4 prej tyre. Duhet të nënvizojmë që kjo është një garë jo vetëm e vështirë por edhe e shtrenjtë. Garat e Rally në botë janë cilësuar si gara elitare dhe të gjithë ata që marrin pjesë e bëjnë këtë gjë për hobi. Sepse jo të gjithë këta garues jetojnë me pilotim, një pjesë e mirë e tyre e bëjmë këtë gjë thjesht për hobi. 

Mos është një lloj sporti jo i njohur për shqiptarët? 

Fakti që kjo garë nuk mbulohet shumë mirë nga mediat, fakti që është jashtë rruge dhe i vështirë, bën që mediat të mos jenë aty, dhe ne e kemi të pamundur që ta mbulojmë këtë gjë. Ne bëjmë vetëm një përmbledhje të garës që e shfaqim në faqen tonë ose nga mediat që janë partnere me ne. 

Si ka qenë numri i garuesve shqiptar nga fillimi deri tani? 

Ne këtë garë e kemi nisur fillimisht vetëm me pilotë shqiptar, por nga viti në vit numri i tyre është pakësuar. Kjo për faktin e konkurrimit, sepse kemi pilotë shumë të fortë të huaj, që janë kampion ndërkombëtar. Por përveç kësaj një tjetër faktorë është edhe kriza ekonomike , pasi pjesëmarrja në këtë garë është një shpenzim i madh për çdo individ. 

Sa të pranishëm e keni ekipin mjekësor në këtë garë? 

Ekipi mjekësor është shumë i rëndësishëm, është një nga kushtet dhe siguritë që ne i japim garuesve. Ne kemi dy lloj ekipe mjekësore, i pari janë doktorët në garë që janë të specializuar për gara të tilla. Ata japin ndihmën e shpejt dhe lëvizin me motorra dhe fouristrada. Ata japin ndihmën e parë kur ndodh aksidenti, por janë edhe ambulancat ato që i shoqërojnë grupet mjekësore. Ne kemi gjithashtu edhe një grup masazhatorësh dhe fizioterapistësh. Një pjesë e tyre janë shqiptar dhe një pjesë janë të huaj. por mund të them që doktorët janë pjesa më kryesore e kësaj gare. 

“Rally Albania”, është një garë e vështirë dhe normalisht që do të kemi të plagosur, por a ka patur ndonjë rast të rendë?

Para dy vitesh patëm një rast të rëndë që ne arritëm të bënim një operacion, por që rezultoi i suksesshëm në Shkodër, ndërsa që aksidente të vogla ka patur gjithnjë. Por një nga kushtet që nga garuesit duhet të marr pjesë janë veshja e duhur, makinat kanë një kafaz hekuri brenda, por sigurisht që përpara garës bëhet edhe një kontroll teknik i mjeteve , me qëllim që çdo gjë të jetë brenda normave të një gare. 

Janë të siguruar këta garues? 

Ata janë të siguruar në vendet përkatëse por siguracioni i tyre nuk njihet në vendin tonë, kështu që ne i sigurojmë këtu. Siguracioni ka funksionuar shumë mirë dhe ka mbuluar të gjitha shqetësimet që garuesit kanë patur gjatë garës. 

Mund të na zbuloni ndonjë detaj apo surprizë të kësaj gare? 

Edhe këtë vit ashtu si para një viti, i pranishëm në këtë hapje do të jetë Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha. Ky fakt për garuesit e huaj është një nisje e mbarë, sepse kjo i’u tregon mbështetje nga shteti shqiptar dhe ju jep atyre më shumë siguri në këtë garë. 

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja