“Reforma t’i japë fund “pingpongut”
të përgjegjësive në drejtësi”

“Reforma t’i japë fund “pingpongut”<br />të përgjegjësive në drejtësi”
Në përditshmërinë e komunikimit mes vetes dhe me qytetarët e shumtë besoj që fjalia ”kush e mban përgjegjësinë për këtë”, që vjen pas dëgjimit të shumë vendimeve të marra nga gjyqësori, është pa dyshim fjalia më e shpeshtë, e thënë mijëra herë me zemërim, me mllef dhe shpesh me dëshpërimin e pafuqisë për t’i dhënë përgjigje.

Në dhjetëra e dhjetëra raste kemi dëgjuar shfajësime reciproke, që nuk bindin kërkënd se fajin e ka policia për provat e pamjaftueshme dhe jo bindëse që sjell; apo më tej, që fajin e kanë gjykatat, të cilat megjithëse faktet i kanë në tavolinë japin vendime të padrejta dhe të influencuara nga korrupsioni.

Thënë me një fjalë të thjeshtë: ky është një pingpong përgjegjësish, i cili të zemëron ethshëm dhe bën që të gjithë të jenë jo të qetë në vendin e tyre pasi drejtësia në këtë vend nuk jepet, pasi përgjegjësia në këtë drejtësi nuk ka kokë.

Vetëm se përgjegjësinë e evidentojnë standardet e qarta dhe transparente dhe jo thjesht personat, pasi besimi absolut tek personat është një besim gjithsesi subjektiv, i cili nuk rron në kohë dhe ku mundësia e kërkimit të përgjegjësive bëhet subjektive e minimale dhe e pabesueshme.

Lidhur me çfarë them në këto radhë, më erdhi ndër mend se si ndërsa në fundin e viteve 90` teksa studioja në Itali, atje po ndodhte shpërbërja e Republikës së Parë dhe po lindte Republika e Dytë. Gjithçka po ndodhte në emër të një aksioni që drejtësia e kohës mori për të shpërbërë klasën politike nëpërmjet procesit të tangentopolit, që u pagëzua me këtë emër nga fjala italisht “Tangente”, që do të thoshte ryshfet, pra korrupsion. Në krye të të gjithë kësaj beteje spikati në rolin e kalorësit të paepur e të papajtueshëm me të gjithë klasën politike dhe politikanët Antonio di Pietro, i cili drejtoi dhe grupin e famshëm të prokurorëve që u pagëzua ”Duart e pastra”, e që hapi dhjetëra procese, kërkoi mijëra vjet burg dhe ndërpreu vetëm përkohësisht dhjetëra karriera politikanësh.

Gjithçka ndodhte bazuar mbi të njëjtin sistem drejtësie në Itali,  që po vetë kishte prodhuar probleme te shumta dhe mosbesim të gjerë në publik. Edhe unë vetë në atë kohë u përkunda në iluzionin e pastrimit të politikës bazuar në një drejtësi të pareformuar, por të bazuar vetëm në persona super të motivuar e parimorë. Sigurisht, ky iluzion i imi u shua një herë e mirë pasi pashë qe pas pak kohe  vetë Di Pietro u ul në karrigen e ministrit të infrastrukturës; thënë më thjesht: në krye të ministrisë që merrte paratë më të shumta nga qeveria italiane. Po vetë Di Pietro bënte tendera pa fund dhe po vetë akuzohej për tangentet për të cilat ai akuzonte më parë tërbimshëm të tjerët. Po vetë Di Pietro bashkëqeveriste me të njëjtët politikanë që kishte çuar më parë në “bankën” e të akuzuarit.

Pra drejtësia bazuar mbi “kalorës” dhe thjesht mbi emra njerëzish dhe jo mbi standarde të qarta që e bëjnë transparent sistemin e drejtësisë polli të kundërtën.
Gjithë sa rrëfeva më lart ishte një provë elokuente se jo emrat e përveçëm, por standardet dhe vetëm ato garantojnë qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe krijojnë të gjitha instrumentet e duhura që të dalin qartë në sytë e të gjithë opinionit shkaktaret dhe përgjegjësitë direkte të atyre që shkelin ligjin e nuk japin drejtësi.

I nisa këto radhë me provat e pamjaftueshme te hetimit penal të dosjeve që shkojnë për gjykim, atëherë është e qartë për këdo se pikërisht këtu tek hetimi do të duhet që reforma të jetë e qartë dhe duhet detyrimisht që vetëm profesionistët ta kryejnë hetimin dhe ku përgjegjësia e tyre të jetë e përqendruar. Prokurorët që duhet ta kryejnë hetimin duhet të kenë një varësi të përqendruar nga prokuroria, të punojnë ngushtësisht me policinë dhe te mbulojnë terrenin me intensitet e përgjegjësi të plotë dhe me në fund do të jemi të gjithë të qetë,pasi çdo çështjeje do ti bëhet shërbimi deri në fund me kualitetin me te larte te hetimit.

Dyzimi i përgjegjësive u ka krijuar alibinë gjykatave që ato japin ç’vendime të duan, pasi dosjet e hetimit penal me prova të paplota e të mangëta ua kanë krijuar këtë mundësi, për pasojë çështjet nuk janë zgjidhur, fajtorët e vërtetë nuk kane shkuar aty ku e meritojnë, ka bërë që krime shumë të rënda të marrin dënime qesharake dhe ka bërë që shqiptarët të humbasin besimin te drejtësia e shtetit te tyre. Dhe kjo është e rëndë.

Të gjithë ne, sa herë kemi kujtuar një hall apo çështje që na lidh me drejtësinë, kemi thënë fjalinë e hidhur “e kush ka nge të rrijë me vite në duart e gjykatave”. Kalvari shumëvjeçar i gjyqeve që zgjasin pa fund e ku vendimet e marra për të njëjtën çështje kanë qenë diametralisht të kundërta,  kanë tronditur me mijëra familje e qytetarë dhe përgjigjja për përgjegjësinë e këtyre zgjatjeve pa fund dhe ndaj këtyre vendimeve absurde nuk ka dalë kurrë, madje ka qenë e mbrojtur fort mirë nga proceduara e standarde që kanë mbrojtur gjyqtarët dhe sistemin e tyre, por në asnjë rast qytetarët.

Ndaj, reforma është sot në momentin që t’i japë përgjigje kësaj. Gjykata e lartë e këtij vendi nuk ka nevojë për gjykata të larta  paralele.

Shqipëria ka nevojë për një sistem të qartë, pra ku të kemi një gjykatë të lartë të vetme me të gjitha nëndarjet e saj parimore civile, penale e administrative.

Vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë janë ato që detyrojnë standardin me te larte te gjykimit për shumë çështje, që gjykohen në gjykatat e faktit dhe të apelit dhe i japin fund edhe zgjatjes shumëvjeçare e korruptive të gjyqeve. Por ato i japin fund një herë e mirë dhënies së vendimeve nga më absurdet për të njëjtën çështje duke detyruar standardin më të lartë dhe më të drejtë të gjykimit për qytetarët.

Në këtë mënyrë del qartë edhe përgjegjësia e kujtdo në gjykata, që do të guxonte te jepte vendime ndryshe nga këto standarde dhe korrupsioni ne to do të luftohej realisht dhe me efektivitet shumë të lartë.

Vetëm reforma në drejtësi që vendos standarde dhe jo njerëzit mbi standardet,qe thjeshtëzon institucionet dhe qartëson përgjegjësitë, ashtu siç edhe Komisioni i Venecias kërkon, mundet pra të formësojë një drejtësi afatgjatë që i jep përgjigje asaj që qytetari pret nga ajo si dhe i jep fund pingpongut të përgjegjësive, i cili është edhe gjeneratori i korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sistemin e drejtësisë si dhe shemb atë korporatizëm për të cilin aq shumë flitet e që aq shume anatemohet, por të cilin vetëm standardet e qarta e të thjeshta mund ta çrrënjosin.    


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Vrasja e Eduart Reçit, del në gjykatë polici i komisariatit nr 2 dhe i vëllai

VIDEO/ Vrasja e Eduart Reçit, del në gjykatë polici i komisariatit nr 2 dhe i vëllai