“Rrno vetëm për me tregue”
kalvari i vuajtjeve në gjuhën kroate

   “Rrno vetëm për me tregue”<br />kalvari i vuajtjeve në gjuhën kroate
Át Zef Pllumi me veprën monumentale Rrno vetëm per me tregue ká lanë nji trashëgimi fort të çmueshme, kjoftë si kontribut letrar, ashtu edhe si vlerë të rrallë historike, për me kuptue kohën e tmerrshme të diktaturës komuniste. Misioni i tij kje mos me heshtë, por me tregue pesëdhetë vjet vuejtje, mjerim, tortura e pushkatime, sidomos anën e errët të qenies njerëzore e cila shpeshherë shfaqet në kohë të caktueme, dhe nuk pyet as për lidhje gjaku e as për kombësi.

E keqja e kap njeriun tue bâ që të shpërthej prej tij instikti i frikës, urrejtjes, hakmarrjes e vrasjes. E keqja synon të shkatërroj dinjitetin e njeriut. Përveç instiktit të eliminimit, e keqja âsht shëmtim në pikëpamje estetike, në krejt vështrimin e saj. Në fakt Shqipnia komuniste, âsht ajo e burgosjes dhe e eliminimit të qenies njerëzore, dhe e shëmtimit estetik si në pamjen e jashtme e mâ shum në brendësinë e qenies së njeriut.

Vepra e Át Zefit âsht nji dëshmi se e keqja merr formë, tue marrë me mija jetë njerëzish, por ai na grish edhe që të kemi kujdes sepse e keqja tkurret, por nuk shfaroset. Ajo rrezikon me u shfaq rishtas në mesin tonë.  Dhe historia na shërben që të mos përseritet e keqja, të ruhemi prej saj. Historia e kombit tonë nuk âsht vetëm e lavdishme, ajo në të përpjekun me kombin tonë âsht shfaqë e trishtë dhe në nji egërsi tejet të skajshme. Vërtetë komunizmin e sollën të tjerët në Shqipni, por të keqen vet shqiptarët ja banë njeni-tjetrit.

Shqiptarët nuk i detyroi kërkush që të kryejnë akte kriminale e barbare ndaj njeni-tjetrit, ndaj vëllazënve dhe motrave të tyne. Filozofia e Komunizmit në Shqipni nuk pati lirinë si themel të doktrinës së saj, por prangat, burgosjen, heqjen e lirisë dhe eliminimin fizik të kundërshtarëve. P. Zefi, njeri vuejtjesh, na rrëfen vuejtjen e tij pa kurrfarë inadi e mënie.

Rrno vetëm për me tregue âsht nji Memuaristikë që duhet të lexohet si pasuni e çmushme në shum drejtime, në atë letrar, historik  e filozofik, në mënyrë që shoqnia shqiptare të shkëputet njiherë e mirë prej së keqës dhe pasojave të saj.

Vepra e P. Zefit nuk âsht shkrue vetëm për publikun shqiptar, por ajo i flet njeriut dhe qënies së tij në përgjithësi, kudo që ai ndodhet, të gjitha kulturave ku ai rritet dhe komunikon.
Këto pak rreshta janë disa mendime si hymje e nji lajmi të gëzueshëm për lexuesin, sepse para do kohëve âsht përkthye vëllimi i parë i veprës së Át Zef Pllumit Rrno vetëm për me tregue në gjuhën kroate.

Vepra e P. Zefit âsht përkthye në gjuhët mâ kryesore të botës. Vëllimi i parë i kësaj vepre âsht përkthye në anglisht, ku shpresojmë që të përkthehet krejt vepra. Po ashtu vëllimi i parë âsht përkthye italisht, e cili u prit shum mirë prej lexuesit italian. Urojmë që Trilogjia të realizohet edhe në gjuhën italiane. Kësisoj, kemi edhe përkthimin e plotë frëngjisht të veprës Rrno vetëm për me tregue, e cila po pritet mirë prej publikut francez.

Vëllimin e parë në gjuhën kroate e ká përkthye P. Andelko (P. Engjëlli) Kamenčić, dhe u botue prej Provincës Françeskane të Bosnjes. Me Provincën Françeskane të Bosnjes, Provinca Françeskane Shqiptare ká pasë lidhni të hershme. Në ketë Provincë janë edukue e formue P. Gjergj Fishta, P. Shtjefën Gjeçovi, P. Pal Doda, P. Pashko Bardhi, etj.

P. Engjëlli shërbeu mâ shum se 47 vjet në mes të popullit shqiptar. Ai shërbeu në Gjakovë, Bajzë e Laç. Kudo që shërbei, tregoi dashni të posaçme për popullin tonë. P. Engjëlli njihte shum mirë kulturën e kombit tonë, sidomos P. Gjergj Fishtën e P. Anton Harapin. Pak pá i mbush 70 vjet për arsye shëndetsore u largue prej Shqipnisë. Edhe pse i sëmurë, P. Engjëlli u muer me përkthimin e veprës së P. Zefit. Bash në ditët e dekës së tij, doli prej shtypi përkthimi kroatisht i veprës. Fatkeqësisht ndërroi jetë tue pasë të përkthyem vetëm vëllimin e parë, dhe jemi të bindun se po të kishte jetue mâ gjatë, do ta kishte përkthye krejt veprën Rrno vetëm për me tregue.

Përveç kontributit të tij si misionar, vijimsi e traditës së misionarëve kroat në Shqipni, sikurse kanë bâ përpara tij edhe shum albanolog e studiues kroat, P. Engjëlli i kreu nji shërbim të madh kulturës shqiptare, tue i përkthye nji ndër veprat mâ të mira në gjuhën kroate.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Noizy reagon për sherrin në Kosovë: Nuk preka njeri, urdhër-arresti është i padrejtë

Noizy reagon për sherrin në Kosovë: Nuk preka njeri, urdhër-arresti është i padrejtë