TIRANE- Sistemi i gradave në Shqipëri duhet ndryshuar, pasi ai e ka futur policinë në kolaps. Ky pohim u bë dje nga ana e deputetit të Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu, në Komisionin e Sigurisë ku po shqyrtohej ligji për “Policinë e Burgjeve”. Gjatë diskutimit të këtij drafti nen për nen, deputetët e komisionit ngritën problemin e gradave, pasi në rend të ditës ishte edhe marrja e gradave nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Burgjeve.

Në draftin e paraqitur nga ana e qeverisë, parashikohej që në momentin e emërimit të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, ai do të merrte menjëherë edhe gradën për shkak të pozicionit. Por kjo solli edhe debatin ndërmjet Ndreut dhe Artur Zotos, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, i cili kishte shkuar në komision për të raportuar për draftin e qeverisë. Konkretisht, Ndreu theksoi se në këtë projektligj ishte bërë një gabim shumë i madh, pasi çështja e gradave ishte marrë në mënyrë të kopjuar nga ana e draftit të Policisë së Shtetit kur sipas tij, ai është edhe shkaku i dështimit të punës së policisë.

“Duhet të gjeni një zgjidhje për gradat. Ligji për gradat e ka futur në kolaps policinë e shtetit dhe ju e keni kopjuar në mënyrën më të keqe. Është e palogjikshme kjo. Grada sjell vendin e punës dhe jo vendi punës sjell gradën. Kjo duhet të funksionojë në formën e një piramide, por në Shqipëri kjo po ndryshon”,- tha deputeti socialist. Po për këtë pikë, edhe deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Luan Rama, theksoi gjithashtu se për ligjin e gradave, duhet të bëhet një ndryshim ku sipas tij, duhej që të hartohej edhe një ligj më konkret për organikën e policisë së burgjeve ku gradat e policisë së burgjeve të jenë të mirë përcaktuara. “Merreni ligjin nga një vend i BE-së dhe sillni sistemin e gradave. Duhet përgatitja e një ligji organik për të gjithë policinë e burgjeve në Shqipëri”,- tha deputeti i LSI-së, Luan Rama.

Transporti i të burgosurve
Krahas debatit për gradat, anëtarët e Komisionit të Sigurisë u përfshinë gjithashtu në një debat tjetër përsa i përket transportit të të burgosurve. Sipas draftit të qeverisë, transporti apo shoqërimi i personave që vuajnë dënimet për veprat penale, do të bëhet nga kompani private. Deputeti i PD-së, Flamur Noka, kërkoi sqarime nga ana e Artur Zotos për këtë procedurë dhe se si do të zgjidhej kompania që do ta bënte këtë. Por Zoto theksoi, se këtë gjë do ta përcaktojë qeveria me një VKM të mëvonshme, e cila do ta detajojë edhe më shumë këtë pikë të ligjit.

Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)