“Tirona Fanatics” pas 10 vitesh
dorëhiqen themeluesit e tifogrupit

“Tirona Fanatics” pas 10 vitesh<br />dorëhiqen themeluesit e tifogrupit
Dështimi i Tiranës këtë edicion në të gjitha objektivat që kishte dhe protesta e tifozëve ditët e fundit në kompleksin “Skënder Halili” dhe në rrjetet sociale është pasuar edhe me një ndryshim brezash në drejtimin e grupit të njohur të bardhebluve “Tirona Fanatics”.

Grupi ka dalë me një komunikatë për shtyp ku bën të ditur vendimin për t’u hapur rrugën njerëzve dhe ideve të reja në drejtimin e “Tirona Fanatics”. Tifo grupi u themelua në 8 Janarin e 2006 duke mbështetur ekipin 24 herë kampion të vendit në cdo sfidë brenda dhe jashtë vendit dhe duke dhuruar koreografi spektakolare në shkallët e stadiumeve.
 
Komunikata e plotë
Gati 10 vjet më parë, ajo që na bashkoi ishte dashuria dhe pasioni për ngjyrat bardheblu. 8 janari i vitit 2006 nuk shënoi thjesht lindjen e një tifo-grupi, por i dha një formë të re tifo-skenës shqiptare. Besnikëria ndaj ngjyrave, ndershmëria ndaj njëri-tjetrit dhe pasioni për të kënduar 90 minuta, për të mbështetur ekipin në çdo cep të Shqipërisë dhe me çdo kusht, pavarësisht rrethanave dhe rezultatit, ishte guri i themelit të mentalitetit ‘ultras të organizuar’ në stadiumet tona. Spektakli i garantuar në tribuna ishte jo thjesht leksion, por model evoluimi për vete e për të tjerët.
 
Në çdo stadium a fushë sportive,
në çdo transfertë në veri a në jug,
në çdo paraqitje në tribuna në borë, shi a diell,
në çdo gëzim fitoreje e në çdo humbje në shtëpi,
në çdo sanduiç të ndarë përgjysëm,
në çdo koreografi, flamur a flakadan,
në çdo transfertë me mijëra kilometra jashtë vendit,
në çdo kortezh me çunat bardheblu,
në çdo brohoritje, në çdo gur të marrë pas shpine në rrethe,
në çdo transfertë me 1 furgon a në karshinë e mbushur plot,
në çdo shkop gome e tek çdo rajon policie,
tek çdo baner, çdo protestë, çdo shok që kemi humbur rrugës...
është skalitur me gërma të arta historia e “TIRONA FANATICS”.
 
Sot, ata që e nisën gati 10 vjet më parë, bëjnë një hap mbrapa me kokën lart, për t’ja lënë këtë trashëgimi të paçmuar brezave të rinj.
Për të mos shkelur mbi veten, për të mos tradhtuar parimet e shenjta që i ndoqëm që nga themelimi. Për të mos u bërë karikaturë e vetes, një grupim i zakonshëm si ata që u krijuan në vitet pas 2006.
Kush ka sy, shikon. Kush di, kupton.
Themeluesit e “TF’06” japin dorëheqjen nga drejtimi, organizimi dhe menaxhimi i tifo-grupit me besimin e plotë se e ardhmja dhe vazhdimësia e tij është në duar të sigurta.
 
Askush nga ne nuk ka emër, asnjë nuk ka fytyrë. Përfaqësohemi nga logoja jonë zyrtare. Do jemi aty gjithmonë, në mbështetje të Tironës tonë, Tironës së Modhe. I përulemi Zotit që na bëri bardheblu, falenderojmë ty që po na lexon, ti që ke gëzuar dhe vuajtur me ne, në vite të bukura e të vështira.
Së shpejti festojmë 10-vjetorin, dekada të tjera historie na presin. Një histori, të cilën do jemi krenarë t’ua tregojmë fëmijëve e nipërve. Me mburrje do themi:
Ne ishim dhe jemi TIRONA FANATICS. T’parët, t’vetmit.


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?