Cilat janë prioritetet e Agjencisë Kombëtare të Turizmit për këtë vit?
Bashkë me stafin e përkushtuar të Agjencisë, po fokusohemi në shtimin e veprimtarive me karakter promocional, të cilat do të synojnë njohjen dhe sensibilizimin e mëtejshëm të tregut turistik ndërkombëtar dhe atij te brendshëm, drejt potencialeve dhe produkteve turistike që ofron vendi ynë.
Sipas jush, si do të jetë turizmi malor për këtë vit? Po ai bregdetar?
Të dy këto lloj turizmesh që ju përmendni në pyetjen tuaj, kanë rëndësinë e tyre, por pozicionimi i tyre drejt tregjeve të caktuara, është i ndryshëm. Lidhur me turizmin bregdetar, ai tashmë e ka krijuar profilin e tij në vendin tonë. Krahas problemeve lidhur me menaxhimin urban, që ndeshen në disa rajone të saj, ne konstatojmë se nga ana tjetër, Shqipëria ka arritur të konsolidojë tregje të tilla turistike siç janë ato nga Kosova, Maqedonia, turizmi i brendshëm etj.
Mundësitë janë për shtim të tregjeve të tjera, sic janë ato të vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Aktualisht, institucioni ynë është duke marrë pjesë për herë të parë në panairin ndërkombëtar te UTAZS-s në Budapesht (Hungari). Një ndër synimet e pjesëmarrjes në të, është edhe zgjimi i interesit të operatorëve dhe qytetarëve hungarezë mbi mundësitë e shumta që ofron bregdeti shqiptar. Së fundmi, ngritja e Agjencisë për Bregdetin do t’i shërbejë edhe më mirë koordinimit të punëve lidhur me këtë sektor.
Për sa i takon turizmit malor, ai dihet që ka mundësi të shumta për t’u zhvilluar në rang më të gjerë. Përvojat e suksesshme të deritanishme, të zonave të tilla si ato të Thethit, Valbonës, Vermoshit, Dardhës dhe Voskopojës, duhet të shtrihen edhe në territore të tjera. Duke e pasur në konsideratë këtë fakt, ne organizuam, në ditët e para te muajit dhjetor 2013, një panair të brendshëm të Turizmit Malor në Tiranë. Së fundmi, zhvillimi i këtij lloji turizmi, duhet paraprirë me investime në këtë fushë.
Cfarë keni ndërmarrë për të përthithur sa më shumë turistë?
Aktualisht deri në periudhën që po flasim, ne kemi realizuar pjesëmarrjet në disa panaire, siç kanë qenë ato të Kopenhagenit, Tel - Avivit dhe Budapestit. Pas pak ditësh do të jemi prezent në panairin më të madh të Europës, i cili është ai i ITB Berlinit. Deri në fund të këtij viti kalendarik, parashikohen pjesëmarrje edhe në panaire të tjera. Duhet të theksoj se këtë vit ne do te kemi një shtim të pjesëmarrjes në këto aktivitete, duke i krahasuar me vitin e kaluar.
Krahas panaireve, i jemi rikthyer udhëtimeve familjarizuese , qofshin ato me gazetarë apo operatorë turistikë. Vetëm gjatë dy mujorit të parë, kemi trajtuar udhëtimin e parë të tillë dhe kemi në proces edhe dy të tjera. Elementë të tjerë janë promovimi on-line, pjesëmarrja në aktivitete më masive, siç janë Karnavalet e Venecias, ku kemi arritur të transmetojmë një spot promocional për vendin tonë etj.
Keni bashkëpunim me Kosovën për turizmin? Cilat janë strategjitë e përbashkëta?
Natyrisht që kemi bashkëpunim me Kosovën. Në radhë të parë, prej mëse një dekadë, Kosova përbën vendin e parë , i cili na siguron numrin më të madh të turistëve, që vijnë në Shqipëri nga jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Ne jemi për çdo vit, pjesëmarrës të rregullt, që përbëjmë bërthamën qendrore të panairit të turizmit, i cili zhvillohet në Prishtinë. Bashkëpunimi me Kosovën është i shtrirë edhe në projekte të përbashkëta, të nisura fillimisht me anë të financimeve nga projekte të huaja.
I tillë është projekti i quajtur "Majat e Ballkanit" (i cili përfshin zonën midis Thethit, Valbonës dhe komunës së Pejës në Kosovë). Bashkëpunimi me ta, lidhet edhe në fushën e strategjive të përbashkëta për të përfituar nga pruriet e turistëve europianë, të cilët vijnë në rajonin tonë të Ballkanit.
Shqipëria ka një anë të pasur kulturore. Çfarë keni parashikuar të bëni, për të ndërthurur kulturën me turizmin?
Potenciali kulturor i vendit, është një prej anëve më të rëndësishme që Shqipëria mund të ofrojë për industrinë e turizmit. Ky produkt është i kërkuar veçanërisht nga ana e turistëve, të cilët vijnë nga tregjet e zhvilluara të Europës Veriore e Perëndimore. Për këtë arsye, promovimet e pikave tona të rëndësishme, i aktiviteteve kulturore e folklorike, ka qenë dhe mbetet në fokusin e punës tonë. Edhe këtë vit, kemi menduar që në vende të ndryshme të Shqipërisë, të organizojmë aktivitete të cilat do t’i shërbejnë promovimit të mëtejshëm të këtyre aseteve.
Po për turizëm në kuadrin e pelegrinazheve fetare a keni menduar?
Aktualisht, mund të themi se pelegrinazhet tona me natyrë fetare, deri tani janë të frekuentuar nga ana e vizitorëve të brendshëm. Sikurse përmendët edhe ju, pelegrinazhi i Shën Andoit në Laç është thuajse më i madhi, i cili arrin numrin më të lartë në 13 qershor, me afro 900 mijë vizitorë. Krahas tij, Shqipëria ofron edhe pelegrinazhe të tjera si ato të Abaz Aliut në 15 gusht në Tomorr, të Shën Mërisë në Nartë në 15 qershor, te Shën Rrokut në Shirokë në 15 gusht, të Shën Gjon Vladimirit në 4 qershor në Shinjon, ne kishën e Shën Ndout në Rodon, e shumë të tjera. Mendojmë se për këto lloj aktivitetesh, duhet të arrihet të promovohen ndaj tregjeve të caktuara të cilat janë të interesuara për këto lloj aktivitetesh. Kam parasysh tregje te tilla si Polonia, Serbia, Mali i Zi, Itali, Greqia etj.
A ekziston në Shqipëri turizmi shëndetësor? Çfarë mund të na thoni për këtë?
Lidhur me turizmin shëndetësor do të përmendja, në radhë të parë, "shërbimin dentar", i cili ofron çmime mjaft konkuruese. Prej vitesh ky shërbim frekuentohet nga ana e emigrantëve shqiptarë, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Europës apo Amerikës së Veriut. Vitet e fundit ka kërkesa edhe nga ana e vizitorëve të huaj. Potenciale për këtë lloj turizmi janë burimet e ujërave termale në Bilaj (Fushë Krujë) në Peshkopi, Elbasan, Leskovik dhe Bënjë te Përmetit.
Ndonëse me një numër të kufizuar, po t’i krahasojmë me destiancionet e rëndësishme europiane në këtë fushë siç mund të jenë Hungaria, Republika Ceke etj, sërish ato paraqesin vlerat e tyre. Eshtë pozitiv fakti që ne kemi struktura pritëse në këto pika, ku mund të përmendim qendrën Ibrahim Kupi në Bilaj apo edhe në vende të tjera.
Cila do të jetë agjenda juaj për këtë vit, përsa i përket promovimit të turizmit?
Ne po punojmë për përgatijen e setit të ri promocional për këtë vit, ku do të përpiqemi të ofrojmë botime të vlefshme dhe bashkëkohore, për nevojat, që ka tregu turistik.
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)