Dy persona të armatosur vodhën tetë vepra të artistit të famshëm francez Henri Matisse dhe pesë vepra të piktorit brazilian Candido Portinari nga biblioteka “Mario t’Andratx” në Sao Paulo, në Brazil, teksa po mbahej një ekspozitë arti.

Sipas policisë, grabitësit kërcënuan një roje dhe një çift të moshuarish që ndodheshin në sallë, më pas thyen një vitrinë xhami ku ruheshin gravurat dhe dokumentet, i futën ato në një qese kanavacë dhe u larguan qetësisht nga hyrja kryesore.

Bashkia e Sao Paulos konfirmoi vjedhjen e veprave, të cilat ishin pjesë e ekspozitës “Nga Libri në Muze”, një bashkëpunim mes bibliotekës dhe Muzeut të Artit Bashkëkohor (MAM). Ekspozita, e hapur në tetor dhe tashmë e mbyllur, përmbante libra dhe punime të rralla nga vitet 1940–1950.

Sipas mediave të huaja, autorët e dyshuar u identifikuan përmes kamerave të sigurisë, ndërsa policia ka nisur një hetim të plotë. Nuk janë bërë publike detaje të sakta mbi veprat e Matisse (1869–1954) dhe Portinari (1903–1962) që u vodhën.

Sipas gazetës Folha de São Paulo, midis veprave të vjedhura përfshiheshin kolazhe nga albumi i famshëm Jazz i Matisse, botuar në vitin 1947, prej të cilit ekzistojnë vetëm 300 kopje në mbarë botën. Artisti konservator Tandeu Chiarelli e quajti vjedhjen “shumë të keqe”, duke theksuar se vlera kulturore dhe artistike e këtyre gravurave është “e paçmuar”.

Nga ana tjetër, pesë gravurat e Portinari-t ishin pjesë e librit Menino de Engenho (1959). “Këto janë vepra aq të rralla, sa është pothuajse e pamundur që dikush t’i blejë,” theksoi Chiarelli.

Ngjarja vjen pas disa grabitjeve të tjera të bujshme në botën e artit, përfshirë vjedhjen e bizhuterive me vlerë mbi 88 milionë euro nga Muzeu i Luvrit, ku disa anëtarë të grupit të dyshuar u arrestuan, por pjesa më e madhe e sendeve të vjedhura ende nuk është gjetur.