“Valixhja e shqyer”,Visar e Atjon Zhiti
në një libër me tregime e vizatime

“Valixhja e shqyer”,Visar e Atjon Zhiti<br />në një libër me tregime e vizatime
“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”.

I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave.

Gjuha metaforike e Zhitit që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.
 
“Valixhja e shqyer” siç shënon botuesi në kopertinën e pasme të këtij libri “është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze”.
Tek “Valixhja e shqyer” ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.

Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.

“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.  
Fati i librit

“Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:
“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…

Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.

Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”
Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti.

Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon: “E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht…. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”

Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.    

Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë