TIRANE- Balerinët e parë të “Zhizel” të performuar të shtunën dhe të dielën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, kanë rrëfyer emocionet e përjetuara për “A1 Report”. Në studion e "A1 Report" me gazetaren Sadiela Olloni, balerini Eris Nezha tregon hapat e tij të para në shkollën e baletit në Shqipëri, e më pas vijimin e studimeve në teatrin e “La Scala-s” në Itali. Ndërsa pas performimit të “Zhizel” në TKOB, Nezha thotë se “në skenën e TKOB dhe para publikut shqiptar u ndjeva në shtëpi”.
 
“Unë bëra 4 vite në shkollën e baletit në Shqipëri, dhe vijova më pas në teatrin e La Scalës. Vazhdova karrierën time jashtë shtetit, dhe e shihja skenën e TOP si diçka të madhe. E kisha ëndërr që i vogël, të performoja në teatrin shqiptar. Nuk kam patur mundësinë, apo një ftesë, dhe doja të kthehesha, dhe të tregoja sesi isha unë dhe sesi kërceja. Doja të kërceja me një balet të tërë. Derisa mora një telefonatë nga Ilir Kerni, që do të vihej në skenë “Zhizel”. Na pritën shumë mirë publiku dhe trupa e baletit. Ishim të gjithë bashkë shumë mirë në skenë. Për mua ishte një emocion i fortë, dhe besoj se kam dhënë shumë. U ndjeva në shtëpi, edhe nga mënyra si më pritën. U ndjeva ai fëmija që ishte 15 vjeç, sikur u riktheva”, tha Nezha.
 
Prima balerina Petra Conti u shpreh se “mendoj se është publiku më i mirë që kemi pasur. Ka qenë i ngrohtë dhe i dashur”.
 
Duke u ndalur tek performanca në skenë, Eris Nezha tha se “Zhizel është një rol artistikisht i vështirë për t’u arritur, por ne e përjetuam plotësisht atë që performuam në skenë”.
 
Çifti i balerinëve kanë treguar edhe detaje nga ceremonia e dasmës së tyre, e cila u mbajt verën e vitit 2013, sipas traditës shqiptare.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)