Ndonëse ka qenë një shumë e majme parash e ofruar për një spot publicitar, pjesëtarët e grupit “ZZ Top”, e kanë refuzuar një ofertë të tillë. Një milion dollarë, ka qenë shuma, që pjesëtarëve të grupit muzikor i është ofruar për të hequr mjekrën e tyre, për realizimin e një spoti publicitar, por ata e kanë refuzuar një gjë të tillë.

Një firmë e njohur, i ka bërë një ofertë me të vërtetë speciale grupit “ZZ Top” dhe si këmbim i kanë kërkuar liderit të bandës muzikore Billy Gibbons dhe kolegut të tij Dusty Hill, për të prerë mjekrën e tyre tepër të gjatë. Por, dy pjesëtarët e grupit rok amerikan nuk janë menduar dy herë për këtë ofertë dhe e kanë refuzuar menjëherë atë.

Refuzimi
Zërat për një ofertë të tillë qarkullonin prej shumë kohësh, por ende ky propozim nuk ishte konfirmuar. Vetëm kohët e fundit, në një intervistë në një blog amerikan, lideri Gibbons ka treguar për këtë ofertë si dhe është ndaluar kryesisht tek refuzimi, duke theksuar se nuk ka ndjerë pendesë për vendimin që ka marrë.
“Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim. Edhe nëse shifra do të ishte më e lartë, sërish sot do e refuzoja një oferë të tillë. Ideja për t’u parë në pasqyrë pa mjekër, njësoj sikur të kisha dalë nga një film i Vincent Price nuk mund të kompensohet me asnjë ofertë ekonomike”, ka deklaruar ai.

Grupi muzikor është krijuar në vitin 1969 dhe ka shitur rreth 50 milionë disqe dhe në vitin 2004 është bërë pjesë e “Rock and Roll Hall of Fame”. Grupi tani po punon për albumin e tij të 15-të, titulli i të cilit ende nuk është bërë i njohur.

(b.gj/shqiptarja.com)