Legalistët: Të rishikohet
historia, jo dekorata

Legalistët: Të rishikohet<br />historia, jo dekorata
Legalistët kanë një qasje dhe mendim ndryshe sa i takon çështjes së dekoratave. Reagimi i legalistëve vjen në kuadër të polemikave për dekorimin e 67 ballistëve nga kreu i shtetit, në Divjakë të Lushnjes. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, tha për Shqiptaren.com se më shumë se sa dekoratat, ka rëndësi rishikimi i historisë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. “Rivlerësimi i historisë për periudhën e LDB dhe pas saj ka më shumë rendësi se dekorimi i viktimave. Partizanët dhe pushtetarët komunistë, i kanë pranuar vetë krimet e tyre dhe nuk ka njeri me mend që mund t’i mohojë sot këto fakte. Tashmë dihet botnisht se në vendin tonë është kryer një genocid i vërtetë ndaj të gjitha shtresave që rrezikonin kapjen dhe mbajtjen e pushtetit nga komunistët. Dihet gjithashtu se menjëherë pas Mukjes komunistët filluan asgjësimin sistematik të të gjithë elementëve nacionalistë, për të siguruar pushtetin absolut pas luftës dhe kryen po ashtu krime masive për të terrorizuar, tmerruar dhe nënshtruar shqiptarët”, pohon Gjana.

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, theksoi se gjatë diktaturës u shtrembërua historia për të justifikuar e legjitimuar ideologjinë dhe regjimin, ndërsa viktimat u përdorën politikisht. “Por gjatë diktaturës u ngritën mite të rreme, u fshehën faktet dhe u shtrembërua historia për të justifikuar e legjitimuar ideologjinë dhe regjimin. Pas ndryshimeve të fillim-viteve 90, viktimat e komunizmit u përdorën politikisht dhe u vetëmjaftuan me shpërblime, kompensime ose dekorime edhe pse vazhdon edhe sot e kësaj dite të qëndrojë zyrtarisht dhe ligjërisht qasja komuniste lidhur me LDB dhe te ashtuquajturën LANÇ”, tha ai.

Gjana mendon se nuk duhet të ketë klasifikim të viktimave. “Mendoj se viktimat nacionaliste dhe antikomuniste në vendin tonë nuk duhet të klasifikohen në legaliste, zogiste, balliste, klerike apo të tjerë, por do të ishte në nderin e shtetit tonë që të pranojë krimet që janë kryer gjatë dhe pas luftës nga një bandë kriminelësh ndaj të gjithë atyre që donin lirinë për vendin e popullin tonë, bashkimin kombëtar dhe një aleance me perëndimin e jo me lindjen. Dhe në këtë grup atdhetarësh, mendoj se duhet të konsiderohen edhe të gjithë të arratisurit politikë të pas LDB. Prej këtij momenti çdo debat për dekorimet dhe rehabilitimin ligjor të viktimave nuk do të ketë më vend”, pohoi Gjana.

Javën e kaluar, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pas një mbledhje me dyer të mbyllura, ka vendosur t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin nga detyra të Presidentit Bujar Nishani, për njollosjen e vlerave të LANÇ, për nderimin e kolaboracionistëve dhe nazifashistëve. Me anë të një deklarate, Kryesia e Organizatës së Veteranëve, i kërkoi Parlamentit shkarkimin e Presidentit të Republikës, duke e konsideruar dekorimin e 67 ballistëve një akt antikushtetues dhe antikombëtar.

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko, një herësh anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, tha se jo çdo viktimë nuk është martir, duke iu referuar dekorimit të 67 ballistëve nga kreu i shtetit, në Divjakë të Lushnjes. “Kreu i shtetit duhet të dekorojë 84 dëshmorët partizanë në Lushnje dhe kështu besoj se e kryen detyrën e tij. Sa i takon çështjes në fjalë, jo çdo viktimë nuk mund të ketë martir. Mendoj se është një akt kundër vlerave dhe lavdisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, tha Çuko.
 
Debatet për dekorativin e 67 ballistëve 
Veteranët e luftës
“Me këtë dekorim si kreu i shtetit ju kini dalë kundër luftës së popullit shqiptar për çlirimin e vendit. Me këto veprime e dekorime që bëni ju nuk jeni më Presidenti i shqiptarëve, por i kolaboracionistëve, i kriminelëve të luftës. Qoftë edhe vetëm për këtë vendim ju z. Nishani meritoni shkarkimin nga detyra e Presidentit”.
 
Historiani Moikom Zeqo
“Presidenca është një institucionin për të vlerësuar ngjarje dhe probleme që lidhem me elitën dhe me kontributet e mëdha në histori. Kështu që, për mendimin tim, dekorimi ka qenë thjeshtë një lajthitje dhe ngutje e panevojshme nga ana e Presidentit të Republikës. Unë nuk e di nëse është bërë nderi i kombit një poet i jashtëzakonshëm siç është Ndre Mjeda. Ndërsa, dekorimi i Berishës, tregon për politizimin e këtij procesi”.
 
Historiani Paskal Milo
“Madje, ata ishin rreshtuar në një formacion politik dhe ushtarak që bashkëpunonte më pushtuesit, duke vrarë luftëtarë të lirisë së atdheut të tyre që kishin marrë armët për çlirimin e vendit. Për çfarë ideali demokratik u vranë këta njerëz dhe kujt i shërbeu nga ata në atë kohë? Ata ishin viktimat e luftës si mijëra të tjerë të vrarë nga pushtuesit, ballistët, zogistët dhe nga partizanët”.
  
Historiani Pëllumb Xhufi
“Mania për të shfrytëzuar në funksion të aktualitetit politik ngjarje të së shkuarës, madje fatkeqësi të së shkuarës, e zhvleftëson tërësisht gjestin e Presidentit dhe, guxoj të them, e fyen edhe kujtimin e viktimave”.
 
Kreu i Ballit Adriatik Alimadhi
“Presidenti im, pas kërkesave tona duhet të kishte vlerësuar edhe drejtuesit e Ballit Kombëtar dhe do t’i kërkoja që të bashkëpunonte me Ballin Kombëtar për të mos menduar ndryshe. Nuk ma merrte mendja dhe do të uroj shumë sinqerisht që Presidenti im të ishte uniteti i kombit shqiptar dhe të mos kishte qëllim ndarjen dhe përçarjen e ballistëve. Por, ai në fakt e ka realizuar një gjë të tillë. Ky është skenari i politikës së vjetër për ndarjen dhe dobësimin e Ballit Kombëtar në këto vite”.
 
Presidenti Nishani
“Hedh poshtë të gjitha sulmet dhe provokimit e adresuara nga nostaligjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore në Evropë, Diktaturës Hoxhiste. Asnjë prej martirëve të ekzekutuar dhe në asnjë moment të vetëm të jetës së tyre nuk pati një bashkëpunim me pushtuesin. Përkundrazi, ata ishin luftëtarë të lirisë kundër nazi-fashizmit”.
 
Kryeministri Rama
“E para e punës unë jam me Partizanin, jo Ballin Kombëtar. Kjo nuk është sekret dhe asnjë arsye për të ardhur këtu në emër të Ballit Kombëtar e të bësh idhtarin. Këtu mund të numëroni vetëm sa pula keni shqyer kur keni qenë në qeveri dhe e keni trajtuar shtetin si pulë që e keni shqyer nga të gjitha anët. Jeni pasardhës të rengatëve dhe tradhtarëve të Ballit Kombëtar. Keni të drejtë ti dekoroni, sepse jeni njësoj si ata”. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social