TIRANË- Edhe një herë Partia Demokratike i ka konsideruar gënjeshtra dhe abuzime të gjitha legalizimet që qeveria “Rama” ka garantuar se do të jenë falas.  
 
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, tha se legalizimet do t’u kushtojnë qytetarëve shqiptarë 1. 3 miliard lekë në vit. “Raporti i Edi Ramës me legalizimet është një histori e turpshme mashtrimi, abuzimesh dhe nëpërkëmbje të dinjitetit të qytetarëve”,- tha Vorpsi.

Kjo deklaratë vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë në Kryeministri për legalizimet.

“Projekti që ai ka, vërtetohet plotësisht se do t’u kushtojë qytetarëve më shumë se më parë. Do t’u kushtojë 1.3 miliard lekë në vit. Dhe letrat me vlerë tani do të mbulojnë dy herë më pak tarifat e legalizimit, se sa më parë”, tha Vorpsi.
 
“Tarifën e shërbimit, që Rama premton se nuk do t’ua marrë qytetarëve e kanë paguar tashmë 80% e atyre që kanë nevojë të legalizohen”, vijoi zëdhënësja e PD-së.
 
Sipas saj, edhe pas 7 muajsh, qeveria nuk ka përgatitur asnjë dosje sa i përket legalizimeve.
 
“E centralizoi shërbimin, duke rritur shanset për abuzim dhe korrupsion, por tapitë që po shpërndan me regji qendrore janë po ato të përgatitura nga qeverisja e Partisë Demokratike”, - u shpreh Vorpsi.
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)