Procedura e kalimit të pronësisë së truallit të objekteve të legalizuara nuk do të bëhet më nga noterët, po do kryhet nga vetë ALUIZNI.

Në një deklaratë për shtyp, kreu i Agjencisë së Legalizimit të ndërtimeve pa leje, Artan Lame, tha se në këtë mënyrë qytetarëve u hiqet pagesa për këtë shërbim, që shkonte deri 30 mijë lekë. Nga ana tjetër, janë lehtësuar edhe procedurat e tërheqjes së kompensimit nga ana e pronarëve, tokat e të cilëve janë prekur nga ndërtimet pa leje.

Është një marrëdhënie midis qytetarit dhe zyrave noteriale për të lidhur kontratën e kalimit të parcelës ndërtimore në pronësi të tyre. Sidoqoftë kishte një kosto të caktuar, nga 8 mijë deri në 30 mijë lekë të reja. Sipas vendimit të sapomiratuar, këtë shërbim e merr përsipër ta kryejë ALUIZNI dhe natyrisht pa pagesë për qytetarët. Tashmë me formalizimin shkurtohet dhe standardizohet dhe procedura sesi do të paguhen ish pronarët e trojeve” tha ai.
 
Ndryshimet në fjalë vijnë përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave për të lehëtsuar procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Lame shtoi se për këtë qëllim ALUIZNI ka hapur rreth 300 vende të lira pune dhe ftoi të gjithë të interesuarit të aplikonin pranë këtij institucioni për t’u punësuar.

Deklarata e Drejtorit të ALUIZN-it Artan Lame

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)