TIRANE- Posta Shqiptare dhe Ambasada Italiane kanë nënshkruar të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi, për kryerjen e shërbimit postar ekspres të legalizimit të dokumentave të studentëve shqiptarë që duan të studiojnë në Itali. Marrëveshja u nënshkrua, në ambientet e Ambasadës Italiane, në Tiranë mes ambasadorit Italian Masimo Gaiani dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare, Ardit Çela.

Objekti i këtij nënshkrimi konsiston në legalizmin e dokumenteve që realizohet nëpërmjet shërbimit postar ekspres të brendshëm, në 9 qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër, Lezhë, Kukës, Peshkopi. Gjithashtu, nëpërmjet Postës Shqiptare realizohet dhe dorëzimi i pasaportave me vizë në adresë të tyre për këto 8 qytete. Si rezultat i një bashkëpunimi efektiv gjatë 7 muajve të postës Shqiptare me Ambasadën Italiane në shërbim të klienteve, Posta Shqiptare po mundëson dhe shërbimin e legalizimit të dokumentave dhe dorëzimit të pasaportave për studentet shqiptare që do ndjekin studimet në Itali.

Në strategjinë e saj, Posta Shqiptare është fokusuar në lehtësimin e kërkesave dhe shërbimeve të ofruara për studentët. Kështu për të gjithë studentët pavarësisht vendbanimit të tyre Posta Shqiptare do të aplikojë një tarifë preferenciale dhe një shërbim të shpejtë e cilësor. Qytetarët ndjehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara nga Posta Shqiptare, ndërkohë që kompania është e angazhuar për të zgjeruar dhe përmirësuar më tej cilësinë e shërbimit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)