Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas kontrolleve ka arritur në përfundimet që ka dërguar në Prokurori. Sipas KLSH-së, 7 të denoncuarit “kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 202 subjekte në zonat arkeologjike, pranë vijës bregdetare, brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, si dhe brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues, me një dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerën 78,7 milionë lekë, ose 560 mijë euro”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka bërë të ditur se, ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Durrës, për periudhën Janar 2011- Shtator 2013.
KLSH-ja ka bërë të ditur se, nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh te dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për ish-drejtorët e këtij institucioni, Andi Lila dhe Erjon Jakova, si dhe për ish-përgjegjësit e sektorëve K. S., A. L., P. I., G. D., dhe F. Ç., për konsumim të elementëve të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, për rastet e:
Legalizimin e 202 ndërtimeve informale, nga të cilat 22 ndërtime mbi monumentet arkeologjike, duke cënuar integritetin e Monumenteve të Kulturës (Zonat Arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës), 157 ndërtime informale pranë vijës bregdetare, Studimin Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës (rrugët, lartësitë dhe distancat midis objekteve), 4 raste brenda brezit mbrojtës të hekurudhave, 19 raste brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës dhe kanaleve kullues;
Shkaktimin e dëmit ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në vlerë 72.5 milionë lekë dhe mungesës së të ardhurave për fondin e kompensimit monetar ndaj ish-pronarëve, në vlerë 6,2 milionë lekë;
Moskryerjen e procedurave ligjore gjatë procesit të legalizimit.
RASTET E HETUARA DHE TË DENONCUARA NGA KLSH-ja
Me konkretisht, për ish-Drejtorin Andi Lila të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Durrës, KLSH konstatoi:
1. Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe çertifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje;
2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në:
a) 8 raste në Zonat Arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës;
b) 24 raste brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës, brenda brezit mbrojtës së hekurudhave, në Studim Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës me kushtet urbanistike të tij (rrugët, lartësitë dhe distancat midis objekteve) dhe kanalet kullues),veprime në kundërshtim me nenin 2 dhe 39, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin, integrimin e zonave informale”, i ndryshuar, pikën 2, germa “a“, “b“ dhe “dh”, të VKM-së nr. 438, datë 28.06.2006 ”Për përcaktimin e kritereve, të proçedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, të nenit 29, të ligjit nr. 9048 datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, të neni 2 dhe 3, të VKM-së nr. 237, datë 23.03.2011 “Për miratimin e rregullores, për administrimin e zonës arkeologjike “A” dhe “B”, të qytetit të Durrësit, pika 11 e nenit 3, të ligjit nr. 9317, datë 18.11.2004 “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
c) 8 raste me vlerë 4,812,828 lekë, për moszbatimin e procedurave ligjore për llogaritjen e vlerave të tarifës së parcelës ndërtimore.
d) në 2 dosje për sipërfaqen prej 730 m2, si diferencë e pagesës së sipërfaqes së parcelës ndërtimore të papaguar, duke i shkaktuar dëm ekonomik si e ardhur e munguar në Buxhetin e Shtetit, për fondin e kompensimit të ish pronarëve në vlerë 6,1 milionë lekë, konstatuar ndërmjet sipërfaqes së legalizuar (me leje legalizimi) dhe sipërfaqes së parcelës ndërtimore të zaptuar në fakt nga poseduesi, e cila duhet shitur me vlerën e tregut.
Për ish-Drejtorin Erjon Jakova të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Durrës dhe ish-përgjegjësit e sektorëve K.S., A.L, P.I., G.D. dhe F. Ç., KLSH konstatoi:
1. Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje;.
2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në;
a) 13 raste në Zonat Arkeologjike “A” dhe “B” të Bashkisë Durrës,
b) 141 raste brenda ose pranë vijës së ndërtimit të strukturës së rrugës, brenda brezit mbrojtës së hekurudhave, në Studim Urbanistik të Zonës së Plazhit Durrës me kondicionet urbanistike të tij (rrugët, lartësitë dhe distancat midis objekteve) dhe kanaleve kullues,
c) 10 raste me dëm ekonomik në vlerën 67.5 milionë lekë, në moszbatimin e procedurave ligjore për llogaritjen e vlerave të tarifës së parcelës ndërtimore, veprime në kundërshtim me nenit 37, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje.....”, i ndryshuar, VKM nr. 1620, datë 26.11.2006 “Për miratimin e çmimit të trojeve që ndodhen në të gjithë bashkitë dhe disa komuna”, pikën 1, 2,5 dhe 6, të VKM nr. 870, datë 27.12.2006, si dhe pika 4,3, të nenit 4, të VKM nr. 1180, datë 05.08.2008, etj.
Për veprimet e mësipërme, KLSH i ka përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse, përmes kallëzimeve për shpërdorim detyre për dy ish-Drejtuesit e Drejtorisë ALUIZNI Durrës dhe pesë përgjegjësa sektori, si më sipër.
KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që për objektet informale të pajisura me leje legalizimi dhe për ato që kanë lidhur kontratat, të fillojnë procedurat, për rishikimin e lejeve të legalizimit, të dhëna në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Gjithashtu, KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Zgjidhje kontratës së punës” për dy ish drejtuesit e ALUIZNI Durrës dhe pesë përgjegjësat e mësipërm, si dhe marrjen e masave të tjera disiplinore për tre nëpunës të tjerë të këtij institucioni e pesë nëpunës në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI Tiranë.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)