TIRANE - Sekretari socialist për koalicionet Ndre Legisi vlerëson se largimi i LSI dhe Metës nga koalicioni me PD dhe Berishën dhe kthimi në aleancën opozitare me PS nuk ka pse të sjellë mërzi te askush, pasi gjithnjë socialistët kanë deklaruar se dera është e hapur për Metën sapo të largohet nga qeverisja e Berishës.

Legisi për gazetën shprehet se nuk ka qenë pjesë e negocimit të tij marrëveshja me kreun e LSI Meta, por pjesë e negocimit të lidershipit të partisë, në zbatim dhe të vendimeve të forumeve të PS që kanë vendosur që të bëjnë koalicion me LSI menjëherë sapo ajo të ikë nga koalicioni qeverisës, në funksion të bashkimit të së majtës.

“Ne e kemi deklaruar me kohë, madje është vendosur dhe në Asamblenë Kombëtare të PS se nëse Ilir Meta largohet nga koalicioni me PD dera e Partisë Socialiste është gjithnjë e hapur për LSI. Koha se kur ndahet, si ndahet dhe përse ndahet ka qenë në dorë të Ilir Metës dhe LSI-së.

Askush nuk ka përse të mërzitet se LSI dhe Ilir Meta u ndanë nga Sali Berisha dhe u kthyen në koalicionin e majtë opozitar, në aleancë me PS. Duhet të them se nuk duhet të marrim meritën e askujt, pasi marrëveshja nuk ka lidhje me pozicionin tim si sekretar në PS dhe nuk ka pse bëhemi pjesë e një marrëveshjeje në të cilin ne nuk kemi qenë pjesë e negocimit”, ka deklaruar për gazetën “Shqiptarja.com” sekretari  për koalicionet në PS, Ndre Legisi.

I cili nuk ka munguar të shprehet se socialistët janë të hapur për të bërë një koalicion sa më të gjërë në funksion të një fitoreje të thellë dhe të konsoliduar, për realizimin e të gjitha reformave të domosdoshme për Shqipërinë, dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë të rënduar nga keqqeverisja tetë vjeçare e Berishës.

Por nga ana tjetër burime brenda selisë rozë saktësojnë se marrëveshja mes PS dhe LSI do të ketë specifika të veçanta krahasuar me marrëveshjen me partitë aleate të koalicionit të majtë, të cilat kanë rënë dakord me marrëveshjen kuadër të koalicionit parazgjedhor dhe pritet nënshkrimi i saj.

Mësohet se marrëveshja me LSI do të jetë një marrëveshje e veçantë dhe e një niveli tjetër për specifikat dhe peshën e kësaj partie politike në vend. Detajet do bëhen të ditura më vonë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (plint) 04.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)