Ky shkrim nuk është aq për mrekullinë e treguar si shpëtoi prej rrezikut Osman, duke fluturuar mbi krahë engjësh, Zoja e Këshillit të Mirë, apo Zoja e Shkodrës, nga kisha e saj në rrëzë të kalasë së Rozafës deri në Xhenacano në Itali. Nuk është një shkrim për mrekullinë, që kushdoqoftë bëri, duke i dhënë njeriut dhuntinë e Arsyes. Është një shkrim mbi arsyen pse u krijua legjenda e ikjes së Zojës së Shkodrës përtej detit.
Legjendën e mrekullisë së ikjes përtej detit të Zojës së Shkodrës nga kisha e Shën Marisë, ose si quhej dikur e Anunciatës, e mësova për herën e parë nga një tablo e Edi Hilës, kur punoja për revistën PamorArt të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Për herë të dytë legjendën e ikjes së ikonës, apo fugures së Zoja e Këshillit të Mirë e pashë në pikturën e Kolë Idromenos, për të cilën Gjush Sheldia thotë: “…Në këtë kohë (rreth 1905, sh.im.) me inisiativen e Kolë Idromenos u godit tavani i kishës Katedrale që asht sot. Në kupë të lterit të Madh u pikëzue të Ikunit e Zojës së Këshillit të Mirë.” Fugurja e saj e ngritur në qiell e rrethuar prej reve të bardha, fluturon e mbajtur prej engjëjve; dy burra, që i dallojmë se janë shkodranë, pasi janë pikturuar, apo pikëzue të veshur si bashkëkohësit e Idromenos, me tiparet e bukurisë ideale të burrave të 1800s, ecin buzë liqenit, duke lënë prapa Shkodrën dhe kalanë e saj e pa ia ndarë sytë fugures së rrethuar nga drita. Në këtë tablo të Idromenos fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë nuk është ajo që u vendos në Xhenacano të Italisë më 25 prill të vitit 1467; nuk është as ajo, që Gjush Sheldia thotë “… u pru nga jashtë prej familjes Serreqi, e nuk dihet si ka humbë”; nuk është as “…fugurja e pikëzueme nga Michael Vitner, piktor polak, i cili prej 1.II.1859 deri më 14.X.1859 ndej në Genacan për të punue”, i dërguar prej shkodranëve. Në tablonë e Idromenos është “…Kjo e tashmja që nderohet në lter të madh asht punue e ardhun në kohë të Imzot Jak Serreqit, kur ishte famullitar.” Është ajo fugure që u restaurua së fundmi e pret të vendoset në katedralen e Shkodrës.
Herën e tretë e ndesha variantin e legjendës së ikjes të fugures së Zojës në një afresk të vitit 1881 të piktorit italian Prospero Piatti. Në fakt Piatti mbi këtë temë ka realizuar dy tablo në kishën e Madonës së Këshillit të Mirë në Xhenacano të Italisë: në njërën pasqyrohet ikja e Zojës nga Shkodra, te tjetra mbërritja e saj në kishën e Gjenacanos, duke mrekulluar turmën e qytetarëve.
Në afreskun me titull “Shkodër – Xhenacano” Piatti paraqit dy pelegrinët shqiptarë, të veshur me fustanella, si shqiptarët e veprave të piktorëve romantikë evropianë të 1800s, duke ecur mbi ujrat e detit pa u lagur e pa ia ndarë vështrimin fugures së Zojës, rruga e fluturimit të së cilës na tregohet prej gjurmës së reve, që nisin prej kishës rrëzë kalasë së Shkodrës, atje ku Buna takohet me Drinin. E marrim me mend se është Shkodra vetëm prej titullit të tablosë, pasi ndryshe nga pejzazhi i Idromenos, pejzazhi i qytetit të pikturuar nga Piatti është imagjinar. Variant i fugures në afreskun e Piatti-t është shëmbëlltyra e fugures origjinale, që gjendet në Xhenacano.
Pse Idromeno pati përdorur për tablonë e tij variantin e vonshëm të fugures, atë që u porosit jashtë? Nuk e dimë prej Idromenos në se ka qënë ndonjë herë në Xhenacano, po fakti që në tablonë e tij ‘Dy rrugët’ shohim se ka vendosur në Parajsë dy figurat e kalorësve të veshur si evropianë, figura që I shohim edhe në afreskun e madh të Piatti-t, tregon se duhet të ketë qënë. Pra ai i njihte veprat e piktorit italian, kishte parë dhe fuguren origjinale të Zojës në Xhenacano. Ndoshta ka zgjedhur me dashje, po ndoshta i është kërkuar të përdorë imazhin e fugures të sapo sjellë nga jashtë, si thotë Sheldia, për tablonë e tij ‘Ikja e Zojës së Shkodrës’.
Deri më sot askush nuk e di cili ishte piktori i afreskut origjinal të Zojës së Shkodrës, i cili sot ndodhet në Xhenacano. Nuk dihet në u pikturua në murin e kishës së Shkodrës, apo erdhi e u vendos atje pasi u ndërtua kisha, nga duar njerëzish, si thotë arsyeja, apo nga duar engjëjsh, si thotë legjenda.
Kardinali George F. Dillon i ka kushtuar një libër legjendës së Zojës së Shkodrës. Libri i tij ‘Nëna Virgjëreshë e Këshillit të Mirë’, botuar në Romë në vitin 1884, na thotë se dy pelegrinët, që quheshin Giorgio dhe De Sclavis, apo si do i thërrisnim ne në shqip: Gjergji dhe Shkjau, u treguan banorëve të Xhenacanos se fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë pat ardhur në Shkodër prej Lindjes, e mbajtur në krahë engjëjsh, më 1291 kur Toka e Shenjtë, Jeruzalemi u pushtua nga mamlukët. Fugurja e Zojës kishte zënë vend vetë në murin e kishës rrëzë kalasë së Shkodrës, afër vendit ku Buna takohet me Drinin. Kisha atëherë mbante emrin e Lajmit të Mirë, ose kisha e Anunciatës. Ajo ishte e adhuruar jo vetëm prej banorëve të Arbërisë, po edhe të banorëve të vendeve përreth. Sipas tyre Zoja e Shkodrës ishte e adhuruar edhe prej kryetrimit Skënderbe e gruas së tij Donika, e cila i pati blatuar dhurata të vyera.
Thuhet se fugurja erdhi në Shkodër po atë ditë kur edhe shtëpia ku lindi e u rrit Shën Maria u transportuar prej engjëjve nga Nazareti i largët në Loreto të Italisë. Po në se do pranonim se afresku i Zojës së Shkodrës erdhi mrekullisht prej Lindjes, prej Tokës së Shenjtë rreth vitit 1291, atëherë fugurja do kishte tiparet e artit të kohës së kryqëzatave. Jaroslav Folda, në librin e tij “Arti i kryqëzatave në Tokën e Shenjtë”, shkruan se që prej kohës kur e morën Jeruzalemin në 1099 e deri sa Jeruzalemi u pushtua prej mamlukëve në 1291, kryqtarët porositnin fugure prej artistëve vendas, të cilat i sollën me vete në Evropën Perëndimore. “Krijimtaria e artistëve kryqtarë, që banonin dhe ishin edukuar në Lindjen e Afërt ishte fenomen i mrekullueshëm. ...arti i kryqtarëve, tendencat që lindën prej Lindjes greke dhe Perëndimit latin luajtën një rol të madh duke transmetuar traditën bizantine të stilit grek në Itali dhe Evropë deri në fundin e shekullit të 13të, duke ndikuar në zhvillimin e fazave të para të Rilindjes Italiane.”
Por fugurja e Zojës së Xhenacanos nuk ka tipare të ikonave të kishave e manastireve të malit Sinai në Egjipt apo të Jeruzalemit, me kontraste të forta si portretet kopte apo skematike e dekorative si ikonat bizantine. Ngjyrat dhe vizatimi i portreteve te fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë të kujton artin e 1300s italiane. Fytyra e Zojës së Këshillit të Mirë është ovale e ëmbël, me vështrim e syve të butë e të dhimsur e me lëkurën e faqeve ngjyrë rozë. Dillon shkruan se shprehja e fytyrës së Zojës lidhet me faktin se ajo e ndjente fatin që e priste birin e saj. Fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë ka më shumë tiparet e Madonave të periudhës, që cilësohet si gotikut i vonë, ose gotiku ndërkombëtar, i cili, si pasojë e përhapjes së gjerë dhe e porosive të shumta prej shtresës së tregtarëve dhe fisnikëve të vegjël, e pati humbur elegancën e stërholluar të dikurshme të artit gotik.
Njohës të artit, që u pyetën kur u krye restaurimi i afreskut të Xhenacanos në vitin 1957-1959, hodhën idenë se fugurja, dikur një afresk i madh, mund të jetë vepër e artistit italian të shekullit të 15të Gentile da Fabriano (1370-1427), dhe është pikturuar ndoshta rreth viteve 1417 – 1431. Të tjerë studiues italianë mendojnë se mund të jetë vepër e porositur te Antonellus da Fabriano, piktor i shekullit të 15të. Ndoshta ky mendim ka lindur edhe prej faktit se piktori ishte i martuar me një shqiptare, të quajtur Maria Albanese. Vetë legjenda nuk na jep të dhëna për autorin e afreskut.
Legjenda bëhet një me të vërtetetën për besimtarët fanatikë, që besojnë edhe kur nuk shohin. Po për një dyshues si unë, që si Shën Thomai nuk beson “po nuk vuri gishtin në plagë”, legjenda fsheh një tjetër të vërtetë nën tregimin e mrekullueshëm.
Sipas dy pelegrinëve, Zoja e Shkodrës iku prej kishës së saj ashtu si kishte ardhur. Ajo u shkëput vetë prej nikes në kishën e Anunciatës e fluturoi e mbajtur në krahë engjëjsh drejt Italisë së krishterë, kur u mësua se osmanët ishin nisur me ushtri të pushtonin Shkodrën. Zoja u kishte dalë në ëndërr adhuruesve të saj Gjergjit e Shkjaut, e u kishte thënë të përgatiteshin e ta ndiqnin në udhëtimin e saj përtej detit. Ashtu Gjergji e Shkjau shkuan deri në Italinë e krishterë dhe u ndalën në Xhenacano, ku ishte ndalur edhe Zoja e Këshillit të Mirë e adhuruar prej tyre.
Pse vendosi fugurja e Zojës së Shkodrës të ndalonte në Xhenacano e të vendosej në kishën e Madonës së Këshillit të Mirë atje?
Xhenacano ishte një prej qyteteve të parë italianë, që përqafuan krishtërimin. Madje thuhet se prej lartësisë së malit të tij Shën Pjetri hodhi vështrimin e parë mbi Romën.
Pamja që e rrethon Xhenacanon është e mrekullueshme nga të katër anët e horizontit. Që në lashtësi atje kishin vilat e tyre patricët romakë. Vila Kaludia e familjes me të njëjtin emër ishte ndër më të bukurat. Vila ndërroi shumë pronarë, po festat në nder të perëndeshës Venus, vesi e tepërimet e shoqëruan jetën në këtë vilë gjatë gjithë periudhës së perandorëve paganë. Kur perandoria e Cezarëve kaloi në duar te perandorit të parë kristian Kostantinit, edhe vila Klaudia u bë pronë e tij. Shën Marku vendosi rregullat e Zotit të kristianëve në ato rrethina dhe në vendin ku dikur ngrihej tempulli i perëndeshës së paturp Venus, ai ngriti kishën e parë kushtuar nënës së shenjtë të Jezusit, nën emrin Madona e Këshillit të Mirë. Kështu ai besonte se do të pastrohej vendi nga shthurrjet e neveritëshme pagane dhe popullsia do t’i përkushtohej vetëm Zotit të vërtetë, që ishte një. Fshati i vogël i quajtur Genazzano/ Xhenacano u zgjerua shpejt rreth kishës, që ngriti shenjti.
Adhurimi për Madonën e Këshillit të Mirë u ruajt në Xhenacano, po kisha e saj e vogël, me kalimin e kohës dhe falë lënies pas dore shkoi drejt shkatërrimit. Kisha më të mëdha ndërtoheshin rreth saj, megjithatë çdo 25 prill popullsia e Xhenacanos mblidhej rreth kishës së vogël të Madonës për ta nderuar shenjtoren, ashtu si e kishte vendosur shenjti Mark.
Në 1436 Petrucia, një besimtare e devotëshme pesëdhjetëvjeçare, trashëgoi nga i shoqi gjithë pasurinë e tij, që vendosi ta përdorë për të mos e lënë kishën e vogël të shkatërrohej plotësisht. Nën shpotitë e banorëve, që e quanin të marrë, nën trysninë e fisit i cili e donte për vete atë pasuri, gjatë tridhjetë viteve të mëpasme të jetës së saj ajo pagoi për të mbajtur në këmbë muret, që kisha të mos zhdukej fare. Deri atë të shtunën e 25 prillit të vitit 1467, rreth orës katër e gjysmë pas dite, kur ndodhi mrekullia: turma e mbledhur për të nderuar Madonën rreth kishës ende të papërfunduar, pa mbi kokat e saj një re të bardhë e të bukur dhe engjëj që mbanin fuguren e Zojës me Krishtin e vogël, dora e djathtë e të cilit përqafonte nënën plot dhembshuri. Fugurja u ul e zuri vend në murin e kishës ende të pambaruar, atje ku është edhe sot.
Pas kësaj u mblodhën fondet e duhura e kisha u rindërtua. Duke mos e ditur nga vinte kjo ikonë, të gjithë besuan se vinte prej Parajsës. Lajmi i mrekullisë u përhap me shpejtësi, bashkë me lajmet e mrekullive të tjera, që u ndodhën besimtarëve e pelegrinëve, të cilët nisin të vinin nga të gjitha anët në kishën e Xhenacanos.
Lajmi i mrekullive të Madonës arriti edhe në Romë, ku e mësuan edhe dy pelegrinët shqiptarë, të cilët e patën humbur nga sytë fuguren e tyre kur shkelën në tokën italianë. Bashkë me pelegrinë të tjerë, edhe ata u nisën për në Xhenacano. Kur arritën para fugures, Gjergji e Shkjau lëshuan klithma gëzimi e falenderimi që e gjetën përsëri Zojën e tyre, u gjunjëzuan dhe u betuan se nuk do të largoheshin më prej fugures, deri sa të vdisnin.
Banorët e Xhenacanos dëgjuan nga dy pelegrinët se quheshin Gjergj e Shkjau, se ishin banorë të Shkodrës, një qytet në anën tjetër të Adriatikut dhe se... Historinë që ata ua treguan banorëve të habitur të Xhenacanos tanimë e dimë.
Pse legjenda i quajti Giorgio dhe De Sclavis, apo Gjergji dhe Shkjau, dy pelegrinët që ndoqën ikonën e Zojës së Shkodrës deri në Itali? A ishin ata emrat e tyre të vërtetë, apo ashtu deshi t’i quante krijuesi i legjendës, se kishte një qëllim? Si u shkoi filli më pas Gjergjit e Shkjaut?
Gjergji - burrë i ri - dhe Shkjau – më i shtyrë në moshë - ishin njëri shqiptar e tjetri nga Sclavonia, apo nga vendi i sllavëve, thotë legjenda e treguar prej italianëve. Gjergji e Shkjau ishin të dy të lindur në Shkodër, luftëtarë besnikë të Skënderbeut, thotë legjenda e treguar në shqip. Historianët thonë se në ushtrinë e Skënderbeut kanë luftuar krah tij, bashkë me shqiptarët, edhe serbë, edhe grekë, edhe vllehë dhe nuk është çudi për ato kohë plot principata, aleanca e konflikte. Ndryshe nga historia, legjenda të lë mundësi të ëndërrosh, deri në çastin kur faktet e kthejnë në histori. Mua më bind varianti, që thotë se Shkjau ishte i lindur në Shkodër, pra ishte ortodoks dhe shkodran e jo banor i Sclavonias. Sepse, si thotë Stavro Skendi (po dhe të tjerë studiues) “shkje”, që është forma e shumësit e “shkja”, në shqip ka kuptimin edhe “sllav”, edhe “i krishterë ortodoks”. U thirrën “shkje” kur kisha e Kostandinopojës u nda nga kisha e Romës, për t’i dalluar ndjekësit e njërës prej besnikëve të tjetrës.
Gjergji e Shkjau, sipas Dillon, u treguan banorëve kuriozë të Xhenacanos se në 17 janar të vitit 1467 mbreti i madh i shqiptarëve, Skënderbeu, kishte vdekur dhe turqit, që tani nuk kishte kush t’i pengonte, po vinin drejt tokave të shqiptarëve. Shumë prej kalave kishte rënë në duart e tyre e Shkodra priste shpejt edhe ajo atë fat të tmerrshëm. Bashkë me ikjen e Zojës së Shkodrës, shumë familje kristiane shkodrane lanë vendin e tyre e shkuan të ngrinin shtëpi atje, ku për ta nuk do kishte përndjekje e besimin e tyre mund ta ushtronin lirisht: në fillim në Latinia e më pas edhe në vende të tjera kristiane.
Sipas historianëve Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468. Në 23 prill të vitit 1467, dy ditë para se fugurja e Zojës së Shkodrës të zbriste në kishën e Xhenacanos, Skënderbeu po luftonte me turqi , që kishin rrethuar Krujën. Pra fugurja e Zojës së Këshillit të Mirë do jetë shpërngulur në Itali gati nëntë muaj para vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Po pse legjenda thotë se fugurja u largua nga nikja e saj në kishën e Shën Marisë në 25 prill të vitit 1467? Ndoshta rrëfyesit e saj nisen prej autorëve si Jean Jaque Boissard, i cili në librin e tij “Jeta dhe konfliktet e sulltanëve osmanë dhe persë, deri në mbretërimin e sulltan Mahmutit II”, botim i vitit 1596, faqe 83, shkruan se “Scanderbegus... shkoi në Lezhë ku e zunë ethet dhe vdiq në 17 janar, viti i Krishtit 1467, në moshën 63 vjeç, pas 24 vitesh mbretërim.”
Kush pati qënë aq i përkushtuar, aq i aftë në Arbëri sa të shkëpuste pa e dëmtuar nga muri i kishës së Lajmit të Mirë të Shkodrës atë afresk, që sipas legjendës, ishte i pikturuar mbi një shtresë të hollë allçie, apo mbi një cipë të hollë si porcelan? A është e vërtetë se, si thotë legjenda, fugurja e Zojës u shkëput vetë prej murit të kishës së saj në Shkodrën e rrezikuar nga pushtimi osman dhe iku e mbajtur prej engjëjve, ashtu si pati ardhur në Shkodër në vitin 1291? A ishin Gjergji e Shkjau, dy kristianët e devotshëm, që e shkëputën afreskun prej murit të kishës dhe e morën me vete në Itali? Apo ishin vetë klerikët e kishës, të cilët gjetën mjeshtrat e u kujdesën të shpëtonin imazhin e Zojës prej shkatërrimit osman?
Kur është fjala për Shtëpinë e Shenjtë, të transportuar prej engjëjve nga Nazareti në Loreto, vetë Vatikani mendon se, duke u nisur prej origjinës së fjalëve, zhvendosja e shtëpisë së Marisë është bërë nga një familje aristokrate e quajtur “Angelos”. Kjo na e bën më të lehtë të mendojmë se engjëjt, që e shpëtuan Zojën e Shkodrës prej shkatërrimit osman ishin edhe ata njerëz prej mishi e gjaku. Ndoshta ishin pikërisht dy adhuruesit e ndjekësit e saj, Gjergji e Shkjau.
Legjendat lindin nga nevoja për të lartësuar një ngjarje, një personazh, një veprim që një popull apo një njeri kryejnë për të ripohuar vlerat e traditës së një populli. Legjendat mund të tingëllojnë si të pabesueshme, po nuk përjashtohet mundësia e historisë së vërtetë në themel tyre. Shlimani zbuloi Trojën duke u nisur nga legjenda e treguar nga Omeri. Dikur unë zbulova në Barcelonë se katallani i cili dilte nga deti në përrallat që na tregonte mamaja kur ishim të vegjël, mund të ishte katalani mesjetar Roger de Flor, që me 39 galerat e tij ishte bërë tmerri i Ballkanit.
Legjenda e fluturimit të Zojës ka mbi 550 vjet që tregohet në të dy anët e Adriatikut, madje edhe përtej. Po pa i dhënë rëndësi arsyes pse ajo u thurr. A nuk është ajo një falënderim për shpëtimtarët e saj? Dy pelegrinët e shpëtuan reliken e tyre të adhuruar, ashtu si kanë bërë shumë shqiptarë me shumë relike të tyre të çmuara në Shqipëri, si me kodikët e Beratit, apo me objekte kulti me vlerë, disa prej të cilave i gjejmë në muzeun diocezan të Shkodrës. Gjergjin e Shkjaun, njëri katolik e tjetri ortodoks, legjenda i bashkoi e iu dha statusin e qenieve të mrekullueshme, që ecën mbi ujrat e detit Adriatik pa u fundosur, për të ndjekur simbolin e besimit të tyre, të kulturës së tyre.
A kanë jetuar vërtetë ata dy pelegrinë të legjendës? A ka fakte se Gjergji e Shkjau u vendosën e ngritën shtëpi, u martuan e jetuan deri sa vdiqën në Xhenacano, pranë fugures së Zojës së Shkodrës së tyre?
Në librin e George F. Dillon gjejmë dëshminë e një grupi klerikësh dhe banorësh të moshuar të Xhenacanos, dhënë më 21 korrik të vitit 1778, mbi vërtetësinë e ekzistencës së dy pelegrinëve, Shkjaut - familja e të cilit tashmë ishte shuar, dhe Gjergjit, të gjithë njerëz të nderuar në Xhenacano. Në libër është edhe pema gjenealogjike e familjes së Gjergjit / Georgeus Albanensis, i cili sipas dokumentit noterial të testamentit të tij, u martua me vejushën Kontadina nga Xhenacano dhe pati katër fëmijë: Markun, Fabricion, Nikollën dhe Franceskën. Pema e familjes shkon deri në vitin 1872.
Duke kërkuar të dhëna për pasardhësit e sotëm të familjeve të dy pelegrinëve, duke shkëmbyer mesazhe me miq e studiues përtej detit, ndesha në një blog në këtë mesazh:
“nga claudio, e hënë 6 dhjetor, 22:33
Mirëmbrëma të gjithëve.
Në familjen time ishte traditë të kalonte gojë më gojë historia se ne ishim me prejardhje nga Shqipëria. Gjithnjë kisha besuar se këto ishin thjesht fjalë. Po para disa muajve, duke folur me një kushëririn tim, mësova se në kishën e Madonës së Këshillit të Mirë (Xhenacano, Romë) gjendej pema gjenealogjike e familjes sonë...
Gjithnjë duke menduar se këto ishin vetëm fjalë, vajta atje; iu prezantova një prifti, i shpjegova gjithë cfarë kisha dëgjuar dhe për habinë time të madhe ai më tregoi se e njihte mbiemrin tim (Giorgi).
Ai më tregoi legjendën e mbritjes së mrekullueshme nga Shkodra të fugures së adhuruar në atë kishë (1467) dhe më tregoi pemën e famshme gjenealogjike. Bëhet fjalë për një studim të përgatitur prej një noteri të Xhenacanos, i quajtur Vincenzo Giorgi, në vitin 1872.
Ajo pemë shkon deri te oficerët e Skënderbeut, që erdhën në Xhenacano duke ndjekur uguren. Po ka më shumë mundësi ta kenë sjellë ata vetë. Për këta dy personazhe në kishë është edhe një afresk i madh, në të djathtë të hyrjes, i cili i tregon se si ecin mrekullisht mbi ujra (të Adriatikut?) duke ndjekur shëmbëlltyrën që lëviz fluturimthi. Të dy këta shqiptarë u vendosën në fshat dhe krijuan dy familjet, Giorgi dhe De Sclavis ...” Klaudio, ky pasardhës i familjes së Gjergjit është në kërkim të fisit të tij, që të plotësojë pemën e familjes prej vitit 1872 e deri më sot.
Nuk e dimë në do përcaktohet një ditë kush e pikturoi afreskun e fugures, kur dhe ku e pikturoi. Nuk e dimë a do ta mësojmë ndonjëherë në se vërtet fuguren e Zojës së Shkodrës e solli ndokush prej Lindjes dhe e vendosi në kishën e saj rrëzë kalasë së Rozafës. Ndoshta ishte një piktor kryqtar i ekspeditave, që kalonin nëpër Arbëri për të vajtur në Tokën e Shenjtë, në Jeruzalem, duke krijuar pjesën e legjendës, sipas të cilës fugurja kishte ardhur nga Lindja.
Shumë të panjohura e rrethojnë fuguren e Zojës së Shkodrës. Zoti kont dhe kapiteni Stephen Medin në 25 korrik të vitit 1745, në letrën drejtuar Signor John Baptist Medin shkruan se, kur e kishin dërguar të verifikonte në se vërtet kishte një kishë të Anunciatës në Shkodër, ai e kishte gjetur kishën, e cila tashmë ishte e rrënuar. Turqit kishin shkatërruar afreskat dhe ishin përpjekur disa herë ta kthenin në xhami, po nuk ia kishin dalë. Përsa i përket fugures së Zojës së Shkodrës, disa banorë që ai pati pyetur i kishin thënë se dikush e kishte shkëputur prej murit, disa i thanë se fugurja ishte shkëputur vetë prej nikes në kishën e saj. Dëshmitë për ekzistencën e kishës së Anunciatës, rrëzë kalasë së Rozafës dhe për festën e Zojës së Këshillit të Mirë në të dielën e tretë të tetorit e dëshmojnë, sipas dokumentit të botuar në librin e tij G. F. Dillon, edhe qytetarë shkodranë të 1878-1879s, si: fisniku shkodran Nikolla i Anton Kamsit, monsinjor Engjell Radoja, Xhakomo Vasija, Gjergji i Mikel Bertozës, Marku i Gjok Blinishtit, Antonia, gruaja e Lazar Palok Vanas, Agata, gruaja e Gjon Mark Shanit. Sipas tyre Zoja e Këshillit të Mirë festohej e adhurohej jo vetëm nga shkodranët, po nga gjithë kristianët vendas e fqinjë, madje edhe nga muslimanët.
Mjaft dokumente janë djegur e shprishur nëpër vite edhe në Xhenacano, po besoj se e dimë kush e shpuri fuguren e Zojës nga Shkodra në Xhenacano, të ‘mbajtur nga duar engjëllore’, si e përshkruan Dillon. Gjergji dhe Shkjau, dy sivëllezërit nga Shkodra, legjenda i ktheu në njerëz fantastikë, të cilët ecën mbi ujërat e detit Adriatik, pa u lagur, pa u fundosur, sepse mbartnin, për ta vendosur në një vend të sigurtë, një pjesë të kulturës së tyre.
Ata ishin të parët që treguan historinë e shpërnguljes së tyre në ndjekje të shpërnguljes së fugures së Zojës së Shkodrës deri në Xhenacano, ku u vendosën, krijuan familje e jetuan të shoqëruar nga jehona e tregimit të mrekullueshëm. Tregimi kaloi gojë më gojë, mori formën e legjendës dhe u shpërnda në italisht, në shqip e më pas edhe në gjuhë të tjera. Legjenda kaloi brez pas brezi, duke u shtuar apo duke u zbukuruar me hollësi, po gjithnjë duke na lënë të kuptojmë se nuk ka rëndësi në se Gjergji ishte katolik, apo Shkjau ishte ortodoks. E rëndësishme është se që në ato kohë të vështira njerëz të mrekullueshëm ndër shqiptarët e thjeshtë bënë atë që nuk e bënë dot prijësit e tyre: mbrojtën prej pushtuesve, prej shkatërrimeve pasuritë tona kulturore dhe përgatitën dokumente të shkruara apo krijuan legjenda, për t’u lënë pasardhësve ‘fillin e Ariadnës’, që në ditë më të mira të mund t’i gjejnë e t’i mbledhin bashkë përsëri.
Zoja e Keshillit te Mire - Genazzano afresku i plote
Gjergji Shkjau, Kole Idromeno
Gjergji Shkjau, Prospero Piatti
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com