E premtja ka qenë ditë prezantimesh për futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit. Marash Kumbulla dhe Taulant Seferi kanë firmosur me klubet e reja ku do të aktivizohen të paktën për një sezon. Kumbulla është bashkuar në huazim nga Roma te Rayo Vallecano në Madrid, ndërsa sulmuesi mbetet në Turqi, por këtë herë do të veshë fanellën e Kayserispor.
Marash Kumbulla - Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është zyrtarisht futbollisti më i ri i Rayo Vallecano, klub që ka konfirmuar afrimin e tij në formë huazimi nga Roma për sezonin e ri.
Klubi italian nuk e kishte më në plane 26-vjeçarin dhe pranoi largimin e tij, ndërsa Kumbulla rikthehet në një kampionat që e njeh mirë. Më herët ai ka luajtur në elitën e futbollit spanjoll me Espanyol dhe Mallorca, duke fituar eksperiencë në La Liga.
Te skuadra madrilene, Kumbulla do të gjejë edhe bashkëkombësin Ivan Balliu, ndërsa pritet të konkurrojë për një vend titullari në qendër të mbrojtjes me Florian Lejeune, Nobel Mendy dhe Luiz Felipe.
Taulant Seferi - Sulmuesi 29-vjeçar është larguar nga Bodrumspor dhe ka firmosur me Kayserispor, duke mbetur pjesë e Ligës së Parë turke.
Seferi vjen te skuadra e re pas një sezoni pozitiv, ku spikati me fanellën e Bodrumsporit. Ai realizoi 17 gola gjatë sezonit të kaluar, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.











Komente
Komento