Ka mbërritur në Kuvend një paketë ndryshimesh ligjore, të cilat përfshijnë edhe ndryshime në Kodin Civil, objekti i të cilave është përcaktimi i rregullave më të efektshme se sa deri tani për falimentimin e ndërmarrjeve. Ligji ekzistues mbi falimentimin është vlerësuar si tepër kompleks dhe i vështirë për t’u zbatuar. Kjo gjeneron përshtypjen se sistemi aktual ligjor mbi procedurat e falimentimit përbën një mjet të pamjaftueshëm për shpëtimin e biznesit. Për pasojë, sistemi aktual nuk është përdorur gjerësisht, dhe në ato raste kur është përdorur, ka pasur pak mundësi për të shpëtuar vlerën.
 
Vërejtjet
Në vite, ekspertët kanë konstatuar vërejtje të shumta për ligjin e falimentit, në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ligji është tepër i gjatë, i vështirë për t’u interpretuar dhe relativisht i huaj për skistemin ligjor shqiptar. Ligji aktual ndjek versionin fillestar të ligjit gjerman të vitit 1994, me pak ose aspak përshtatje me rrethanat e vendit tonë. Ai përfshin një sistem të menaxhimit të biznesit në vështirësi, që nuk ofron një mënyrë të përshtatshme për të nxitur përdorimin nga ana e debitorëve. Po kështu, ligji nuk parashikon një rregullim të plotë dhe të përshtatshëm të efektit të hapjes së procedurës së falimentimit dhe në përgjithësi, nuk ka dispozita që mbrojnë vazhdimësinë e biznesit gjatë procedurës së falimentimit dhe shitjes së mundshme të biznesit si një vijimësi. Sistemi nuk parashikon as ashpërsimin e masave ndaj debitorëve që refuzojnë të japin informacion ose që japin informata të rreme ndaj pjesëmarrësve në procesin e falimentimit.