Kaosi me sistemet e IT në botë, shërbimet globale po i rikthehen funksioneve

Kaosi me sistemet e IT në botë, shërbimet globale po i rikthehen funksioneve

Shërbimet filluan të riktheheshin pas një ndërprerje globale kibenernetike që shkaktoi ndalimin e fluturimeve, punën në banka, spitale, media dhe kompani të tjera për disa orë, duke nxjerrë në pah se sa e ndërvarur është bota për shkak të ndërlidhjes teknologjike.

Pasi u zgjidhën ndërprerjet, kompanitë u përballën me volum të lartë aktivitetesh të prapambetura, fluturime të anulluara, takime mjekësore të parealizuara, blerje dhe porosi të papërmbushura etj, probleme që ndoshta do të duan ditë të tëra për t'u ndrequr. Bizneset u përballën edhe me pikëpyetje të reja se çfarë duhet të bëjnë për të shmangur në të ardhmen situata të ngjashme të shkaktuara nga teknologjia.

Në një deklaratë në faqen në internet të kompanisë Microsoft thuhet se problemi filloi në orët e vona të së enjtes, kur një përditësim i programit të kompanisë globale të sigurisë kibernetike CrowdStrike duket se shkaktoi probleme të mëdha me lidhjet në rrjet.

Firma e sigurisë kibernetike CrowdStrike, me bazë në Teksas, tha të premten se arsyeja e pengesës nuk kishte të bënte me një incident sigurie apo sulm kibernetik. Kompania tha se po përpiqet për të rregulluar problemin, megjithëse efektet e kësaj avarie kibernetike kanë shkaktuar anulimin e shumë flutumieve në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi.

Firma tha se problemi ndodhi pas një përditësimi të gabuar në kompjuterat që përdorin sistemin 'Microsoft Windows'.

"Sistemi i kompanisë 'Crowdstrike' përdoret në industri të ndryshme globalisht dhe është një nga platformat kryesore në treg. Ndërprerjet që po shohim janë të përhapura si gjeografikisht ashtu edhe në industri të ndryshme", thotë profesori i sigurisë kibernetike në Universitetin Politeknik të Milanos, Stefano Zanero.

Disa orë pas zbulimit të problemit, rrëmuja vazhdoi dhe u përshkallëzua.

Kompania 'Tesla' ndaloi disa linja prodhimi për shkak të ndërprerjes globale kibernetike të premten, njofton një raport i agjencisë së lajmeve 'Reuters' duke cituar burime të njohura me këtë çështje.

Prodhuesi i automjeteve ktheu disa punonjës të prodhimit në shtëpi, gjatë turnit të natës, në objektet e tij në Austin të Teksasit dhe në Sparks të Nevadas, shtoi më tej raporti i 'Reuters-it'.

Problemi teknologjik dëmtoi industritë nga aeroportet tek bankat. Disa shërbime janë rikthyer në funksion pas disa orëve ndërprerjeje.

“Sapo hoqëm 'Crowdstrike' nga të gjitha sistemet tona dhe kemi ndërprerë shpërndarjen”, tha Shefi Ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk në një publikim në rrjetin social X, pa treguar se cila nga kompanitë e tij kishte ndërmarrë këtë veprim.

Radhë të gjata u regjistruan në aeroporte në të gjithë botën.

Në Shtetet e Bashkuara, Agjencia Federale e Aviacionit (FAA) tha se ishin pezulluar të gjitha fluturimet e linjave ajrore 'United', 'American Airlines', 'Delta Airlines' dhe 'Allegiant'.

"Kompania e fluturimit ishte e sinqertë në lidhje me këtë. Na thanë se nuk mund të kontaktonim askënd. Nuk e kemi idenë se çfarë po ndodh. Ata thanë se nuk funksionon sistemet e rezervimit të fluturimeve dhe të hotelit. Po ashtu është dëmtuar funskioni i nxjerrjes së bagazheve nga aeroplani", thotë Matt Jordan, një nga pasagjerët e bllokuar në aeroport në Uiskonsin.

Transmetimi i disa mediave në Australi u ndërpre për disa orë, siç i ndodhi edhe televizionit 'Kanali 24' në Bangladesh.

Spitalet dhe zyrat e mjekëve kishin probleme me takimet e planifikuara me pacientë, ndërsa bankat në Afrikën e Jugut dhe Zelandën e Re raportuan ndërprerje në sistemin e tyre të pagesave ose faqet e internetit.

"Të gjithë këto sisteme janë me rëndësi kritike, spitalet, bankat, agjencitë e fluturimeve dhe kam dëgjuar që edhe shërbimet e emergjencës janë prekur, madje edhe disa supermarkete në Britani. Të gjitha këto sisteme duhet të rregullohen në mënyrë manuale nga një person, duke ndërhyrë në çdo kompjuter. Po fasim për miliona kompjutera", thotë James Bore, ekspert kibernetik nga Britania e Madhe.

Oganizata 'DownDetector', që vëzhgon problemet në shërbimet e internetit, njoftoi se ndërprerjet janë shkaktuar vetëm në kompjuterat që përdorin shërbimet e kompanisë 'Microsoft'.

"Nuk do të jetë një çështje që do të ketë ndikim afatgjatë. Megjithatë, ndikimi më i madh ndoshta do të jetë tek besimi që kanë përdoruesit në teknologji në përgjithësi me theks të veçant në teknologjinë që ka për qëllim të ofrojë mbrojtje nga viruset", thotë profesori i sigurisë kibernetike, Stefano Zanero.

Eksperti kibernetik nga Britania, James Bore, tha se një nga dëmet më të mëdha mund të jenë shkaktuar në spitale dhe sipas tij ka mundësi që “të ketë edhe raste vdekjeje për shkak të kësaj situate. 'Kjo duket e pashmangshme”, thotë ai./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Atentati ndaj ish-presidentit Trump, hetimet e FBI: Thomas Matthew Crooks ka vepruar i vetëm

Atentati ndaj ish-presidentit Trump, hetimet e FBI: Thomas Matthew Crooks ka vepruar i vetëm