Besimtarë nga e gjithë Shqipëria, diaspora e bota, marrin pjesë në Pelegrinazhin në Malin e Shenjtë të Tomorrit, ndërsa këtë vit për ta ka qenë më e lehtë të mbërrijnë në Teqenë e Kulmakut. Kjo për shkak të ndërtimit të rrugës së re, pamje me të cilat ka uruar mirmëngjes sot edhe kryeministri Edi Rama.

"Mirëmëngjes dhe me rrugën e re të pelegrinazhit për në Majën e Shenjtë të Tomorrit, ju uroj një fundjavë të mbarë", shkruan Rama.

Mali i Tomorrit, një nga bukuritë e rralla të natyrës, me Majën e Shenjtë që zotëron pamje nga të gjitha pikat e horizontit, është një nga vendet më të vizituara në Shqipëri, në mënyrë të veçantë nga besimtarët bektashij në pelegrinazhin e tyre të përvitshëm.

Por fatkeqësisht, ky udhëtim ka qenë i mundimshëm për shkak të mungesë së rrugës. Rruga e re, 23 kilometra e gjatë, ka shkurtuar kohën dhe lehtësuar udhëtimin e vizitorëve të panumërt të Majës së Shenjtë.