Mungesa e hetimeve nga prokuroria për vënien përballë drejtësisë të drejtorëve të burgjeve të cilët kanë dhënë lejet abuzive për të burgosurit ka sjell përplasje midis ministrisë së drejtësisë dhe prokurorisë shqiptare.

ReportTv ka siguruar një kopje të raportit të Ministrisë depozituar pak ditë më parë në Kuvend ku thuhet se kallëzimet e bëra nga drejtoria e shërbimit të kontrollit të brendshëm të sistemit të burgjeve nuk janë marrë parasysh nga prokurorët.

Për këtë shqetësim Manjani i është drejtuar me një shkresë dhe Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla por ky i fundit i është përgjigjur se nuk ka gjetur asnjë shkelje ligjore për të prishur vendimet e pushimit të hetimeve.

Sipas Ministrisë së drejtësisë prokurorët në të gjithë vendin kanë marrë vendime për pushim të hetimeve pa u kryer një hetim të rregullt e të vijueshëm duke u arsyetuar nga prokurori se: nuk ka pasur përfitime ndërkohë që nuk është kryer asnjë veprim hetimor për të vërtetuar ekzistencën ose jo të përfitimit pasuror ose jo pasuror.

Më tej thotë raporti: mungon pasoja ndërkohë që pasoja ka ardhur pasi persona të dënuar kanë përfituar në mënyrë jo të rregullt ligjore leje të veçanta.

Një tjetër shqetësim në këtë raport të Ministrisë së drejtësisë është dhe fakti se lejet janë dhënë në bazë të dokumentave fiktive apo diagnozave të dhëna nga i njëjti mjek për të gjithë familjen e të burgosurit.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)