Mes tyre ishte edhe Visar Zhiti, më të cilin thotë se ndau besim e respekt të plotë që nga momenti i takimit e deri sa dolën nga burgu, për të vijuar më tej më të njëjtin besim e respekt edhe në vitet pas rënies së regjimit e deri më sot.
Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, së fundmi i ngarkuar me punë në selinë diplomatike shqiptare në Vatikan, është përfshirë sërish në një debat në distancë me presidentin e vendit Bujar nishani, për shkak se ky i fundit dekoroi para pak kohësh një ish-hetues të regjimit komunist.
Por përgjigjja e persidentit ka qenë një akuzë e ashpër për Zhitin duke e fajësuar për rolin e spiunit gjatë periudhës së vuajtjes së burgut.
Kjo çështje hap sërish deabtin mbi ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit që lakohen më shpesh e më ashpër se sa vetë xhelatët e diktaturës.
Lek Mirakaj, si një ish i përndjekur politik, dhe i njohur i z.Zhiti në rrethanat e burgut, pranon të bëjë këtë bisedë për gazetën Shqiptarja.com, ngacmuar nga debate I hapur këto ditë pas akuzave për spiunim ndaj Visar Zhitit, dalë nga zyra e presidentit Nishani.
Z. Mirakaj, në çfarë rrethanash jeni njohur me Visar Zhitin? Si ka vijuar njohja juaj me të?
-Me Visarin jam njohur në kampin famkeq të Spaçit në pranverën e vitit 1980. Disa shokë të mij që kishin përfunduar para meje në burg, ma prezantuan Visarin si një djalë serioz, i ndershëm, me të cilin mund të shoqërohesha dhe të flisja pa frikë dhe pa rezerva. Që nga ajo kohë e në vazhdim, ato raporte të respektit dhe besimit të ndërsjellët i kanë rezistuar, si viteve të burgut, ashtu edhe viteve të periudhes post diktatoriale.
Si mund ta portretizoni Visarin poet të burgosur?
-Poetët mund ti burgosësh, po nuk mund ti ndalësh që të jenë poetë. Të tillë kishte mjaft në burg. Me që është rasti po përmend disa pa dashur ti dalloj nga ata, që nuk do ti përmend. Poeti martir Havzi Nela me gjithë vitet e shumta të kaluara në tmerrin e burgut, ishte i apasionuar pas të bukurës, në cilëndo formë, që mund ti shfaqej. Luan Burimi, Zyhdi Morava, Hasan Bajo, Agim Hamidi, prifti katolik Simon Zefi (Hardhija) e plot të tjerë, punimet kryesore i kanë krijuar në kushtet e burgut, duke i memorizuar. Pa dyshim në këtë grup njerëzish të talentuar dhe të guximshëm, Visari shkëlqen si një diamant, që i bën hije pothuaj të tërë shkrimtarëve të ashtuquajtur, të realizmit socialist. Dhe mos të harrojmë se nëse punimet e tyre do binin në dorën e sigurimit, pasojat do kishin qenë fatale.
Si do t'i cilësonit akuzat kundër tij, për spiunim, gjatë kohës së burgut, artikuluar drejtpërdrejt nga zyra më e lartë e shtetit, ajo e presidentit?
-Më lejoni t’ju bëj një korrigjim të vogël. Nuk do ti konsideroj "akuza" thjesht do i cilësoj “SHPIFJE” të denja për korbat që vuajnë kompleksin e fajit ndaj Visarit e tërë Visarëve që u përballën me diktaturën dhe me qëndresën e tyre i prishin qetësinë dhe gjumin, atyre që në një mënyrë apo tjetër e ndjejnë vehten përgjegjës për krimet. Për tu thelluar dhe për të qenë pak më i qartë: Shpifjet që bëhen ndaj personit të Visarit, nuk kanë të bëjnë me Visarin si individ. Ato janë në vazhdën e përpjekjeve 25-vjeçare për të disktretituar të gjithë ish të burgosurit politikë, pra edhe mua personalisht e shokët e mi bashkëvuajtës. Jetoj në SHBA, kam ndigju gjithfarë shpifjesh, sharjesh e fyerjesh, nga më skandalozet, që janë adresu ndaj president Obames, po ashtu ndaj presdentit Trump. Asnjëherë nuk ka bërë vaki që ata ta ulin prestigjin e ofiqit në nivele të atilla, që fatkeqësisht presidenti i vendit tim u bë protogonist, duke u marrë me shpifje, që mund ti tolerohen gazetave e revistave të gossipit dhe skandalit. E thashë se ka një praktikë të mirëorganizuar për të diskretituar ish të burgosurit politikë. Në mos gabohem kjo lojë e pistë pati filluar me akuzat e sigurimsit Neshat Tozaj, që akuzonte se ish të burgosurit politikë ,kanë qënë të gjith spiunë. Jemi dëshmitar të akuzave të zonjës së zezë, alias Nexhmije Hoxhës, se ish të burgosurit e ndergjegjes kanë qënë, hajdutë lopësh. Kjo e bën më të dhimbshëm reagimin e presidentit që e rradhit vehten me të lart përmendurit.
Sidoqoftë një dokument i botuar keto ditë nga drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit Agron Tufa deshmoi se z.Zhiti edhe pse ishte tentuar ti ofrohej ky rol, kishte refuzuar ta pranonte. A e njihni ju këtë histori?
-Le ta nisim nga fundi. Për këtë histori Visari ka shkrujtur në njërin nga librat e tij, kështu që nuk bën lajm. Sigurisht që e dinja direkt nga Visari. E dinja se kisha besim të ndigjoj çdo gjë nga Visari, ai e kishte kaluar proven e "zjarrit" me qëndresën shembullore në burgjet e diktatures komuniste. Sidoqoftë është pë tu përshëndetur veprimi kurajoz i Z.Tufa që e botoi këtë dokument, pa marrë parasysh se mund të ketë pasoja meqë përgënjeshtroi presidentin e Republikës. Ai jeton e punon në Shqipëri dhe ne e dimë se si shkojnë punët atje.
A e ploteson edhe më tej portretin prej qëndrestari të z. Zhiti ky fakt?
-Do i përgjigjem shkurt kësaj pyetje. Visari as që ka nevoj për këtë dokument per të vertetuar portretin e tij prej qëndrestari. A nuk do ishte e mjaftushme vetë dekorata që Z.President i ka akorduar Visarit për qëndresën e tij në burgjet e komunizmit. A nuk janë të mjaftushme shprehjet e vlerësimet që lideri i Partisë Demokratike dr.Sali Berisha, ka adresuar në drejtim të personit të Visarit. Apo tashti do na thonë se kanë gabuar, se ishin të pa informuar. Të shpresojmë se do jenë më seriozë dhe z. president do kete kurajon civile për ti kërkuar ndjesë Visarit dhe gjithë ish të burgosurve politike. Në fund të fundit, pranimi i gabimit vetëm të lartëson. Le të shpresojmë.
Kush mund të jetë ish i përndjekuri me inicialet P.V.që u aludua dhe me ç’qëllim u përmend ai?
-Jam më se i sigurtë se individi me inicjalet P.V. nuk egziston. Ai është krijesë e fantazisë inatçore të presidentit tonë që e vuri vehten në këtë pozitë të pa këndshme. Ai mund të pretendojë se etika nuk ja lejon të zbulojë identitetin e paditësit, se i është komunikuar në mirbesim, me siguri do perpiqet të bejë lojë fjalësh, une do thonja se ky P.V, ky lloj kujdestari që paska pasur hallin e pastërtisë morale të figurës, që do përfaqesonte vëndin pranë selisë së shenjtë, nuk ekziston.
Z. President mos harro se ne kemi dëgjuar shum akuza në drejtim të personit tuaj për ngjarjet e ish-shkollës së Bashkuar, po ne i kemi injoruar. Ju nuk mundët ta përmbanit veten por vendosët ti përgjigjeni në formën më të pa përshtatshme qytetarit Visar, që ndoshta, veç protestës për dekretimin e një ish-hetuesi, donte të të nxirte edhe ndonjë guriçkë që i shkaktonte dhimbje, që në rrethana specifike si ato të Visarit është më se e kuptueshme.
Qëndrojme pak te jeta e burgut. A keni pasur ju përvoja personale qe lidhen me spiunë në burg. A ishte e vështirë të ruheshe prej tyre. Si e zgjidhnit çështjen e komunikimit të lirë në ato rrethana survejimi?
-Të pretendoje se nuk kishte spiunë në burg do të ishte përtej absurdes, do të ishte qesharake. Mbas viteve ’60-të dhe sidomos pas revoltës së Spaçit, regjimi për ta bërë jetën e të dënuarve më të vështirë, filloi të sjell nga burgjet ordinere elementë ordinerë. Këta në shumicën dërrmuese përbënin kontigjentin e spiunëve. Për t’ju shmangur spiunëve nuk ishte shum e vështirë. Flas për t’u rujtun nga bisedat politike, dhe më besoni këto lloj bisedash, i konsumonim pa rezerva. Mjafton që të zgjidhje shokët. Fatmirësisht ne ishim një grup shokësh që kishim kaluar tërë jetën me njëri-tjetrin në kampet e internimit. Në këtë grup pa asnjë rezervë ishte pranu edhe Visari, që me ironinë e tij, me batutat e gjetura i jepte kënaqësi tërë grupit tonë. Sigurimi përpiqej që të krijonte frymën e frikës dhe mosbesimit ndërmjet të dënuarve, por pa ja arritur plotësisht qëllimit. Po ju sjell një shembull. Të githa grupet dhe individët që janë ridënuar në burg, janë dënuar me dëshmitarë të rremë, që njiheshin nga gjithë të burgosurit si dëshmitarë profesionistë. Mjafton te lexosh Fatos Lubonjën.
Sipas njohjeve të mia nga puna kërkimore në arkiva, një bashkëpuntor i sigurimit në burg, thënë ndryshe spiun në qeli, kishte disa mënyra rëkrutimi. Kishte sigurisht edhe pak vullnetarë mes tyre, por të shumtët e bashkëpunëtorëve, futeshin në rrjetin e sigurimit me rrethana shtrënguese, pra përmes forcës, torturave, kërcënimeve me anëtarët e familjes e njerëzve të tjerë të dashur... Pra ishin viktima. Në këto kushte pse duhet të diskutojmë sot e 25 vjet për viktimat dhe jo për xhelatët?
-Konstatimi juaj për mënyrat e rekrutimit është mëse i saktë. Ishte dhuna fizike dhe psiqike, ajo që i denatyralizonte njerëzit. Për të ardhur keq se sa herë hapen këto diskutime, me shumë mllef dënojme ata fatkeqë që nuk mundën ti rezistojnë atij presioni të paimagjinueshëm dhe harrojmë ata që janë fajtorët e vërtetë, bishat që nuk linin gjë pa bërë kur gjenin pika ku mund të ushtronin presion. Ky diskutim na kthen te biseda që bëmë më lart. Është një politikë djallëzore dhe e qëllimshme për të diskretituar ish të persekutuarit dhe për të injoruar fajtorët e vërtetë. E kam thënë gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, se spiunët janë hallka e fundit në zinxhirin e personave përgjegjës për krimet e diktaturës komuniste. Janë ish-sigurimsat, ish-hetuesit, ish-operativët, gjykatësit dhe ish-prokurorët që duhen demaskuar dhe në mjaft raste edhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, për dhunimin e të drejtave të njeriut.
A mendoni se ata qindra bashkëpunëtorë që janë vënë në shërbim në këto rrethana duhet të dalin hapur e ta distancojnë veten nga pusi i errët e plot sekrete që po mbahet i tillë, nga politika, me qellim prej 27 vitesh?
-Ju po thoni që të kemi Gunter Grras. Do kishte qenë një veprim që do i kishte hequr mundësinë dashakeqve, për të përdorur marifete si ky që u perdor karshi Visarit, për tu mbyllur gojën të gjithë atyre, që mund të protestojnë për trajtimin që i është bërë ish të persekutuarve, herë më shumë dhe herë më pak. Fatkeqësisht atë që nuk patën kurajo ta bëjnë këta individë të denatyralizuar, shpresojmë që ta bëjë autoriteti i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit.
Në qarqet e politikes jane artikuluar gjatë këtyre viteve dy shprehje tipike: "bashkëvuajtes dhe bashkë fajtorë" si dhe “fajin e ka sistemi jo individi”. Çfarë komenti keni për këtë?
-Pa hyrë në analizë të qëllimit për të cilin u përdor kjo shprehje, mund të them se pati pasoja më tepër se të dëmshme. Së pari as unë dhe as shokët e mi nuk e ndjejmë veten fajtorë për atë që ka ndodhur. Aq më pak mund ta ndjejnë veten fajtor: poeti H.Nela, heronjtë e revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit, ata fëmijë të pafajshëm që vdiqën në kampin e Tepelenës sa për të përmendur vetëm disa. Do të kishte pasur një farë kuptimi kjo shprehje sikur ata që janë fajtorë dhe bashkëfajtor, të paktën të kishin kërkuar ndjesë, gjë që nuk ndodhi.
Përkundrazi duke i shmangur nga përgjegjësia, ata fajtorët, u bënë edhe më të pa fytyrë dhe agresivë. Edhe sot në tërë botën kërkohen kriminelët nazistë dhe kur identifikohen i jepen drejtesisë, pa marrë parasysh as kohën as rrethanat në të cilat ata kanë vepruar. Nuk ka dyshim qe sistemi ishte kriminal, po, për të vënë në jetë atë sistem kriminal kërkoheshin njerëz të përshtatshëm dhe të gatshëm për të bërë krime. Toleranca që ju bë kriminelëve dhe vënia e shenjës së barazisë ndërmjet dy ekstremeve të kundërta, solli atë pasojë që Partia Demokratike po e paguan sot. Krijoi përshtypjen se të dy palët e politikës janë njësoj. Një gënjeshtër monstruoze që pasuesit e Partisë së Punës po e përdorin me mjeshtëri. Fatkeqësisht njerëzit kanë filluar të harrojnë se në kurrizin e të ashtuquajtur të majte rëndojnë 50 vjet diktaturë dhe askush nga ata "bashkë vujtës dhe bashkë fajtorë" nuk ka kërkuar falje deri më sot.
A besoni se një ditë do të zbardhen të vertetat e krimeve të komunizmit?
-Të vertetat e krimeve të komunizmit. Për tu bërë transparencë e plotë e krimeve të komunizmit duhet vullnet politik dhe emancipim qytetar, gjë që në stadin aktual mungon plotësisht. Shkrimet e shkrimtarëve ish të burgosur ndoshta janë dëshmia më reale e asaj që ka ndodhur. Hapja e dosjeve të krimit komunist dhe Vetingu që kërkon transparencë për bashkëpuntorët dhe ish-komunistët, që duhet thënë se kanë qenë skalioni i parë i spiunëve të Sigurimit, po nuk u manipulua mundet të shërbejë në demaskimin e krimeve të komunizmit. Shoqëria shqiptare do jetë gjithnjë e sëmur po nuk arriti të shkëputet dhe të demaskojë krimet e diktaturës komuniste. Sot dhe brezat që do të vijnë do i jenë mirnjohës Visarit dhe atyre që me shkrimet e tyre kanë bërë që ajo periudhë e zezë, që kure mos u persërittë, të mos harrohet. Z.Visar është një pasuri kombëtare, jo vetëm për qëndresën po edhe për kontributin në thesarin e kujtesës, për të mos harruar. Do i uroja vendit tim që Visari o një tjetër Visar të jetë personi që do i japë institucionit që perfaqëson unitetin kombëtar, dinjitetin e munguar. Koha ka ardhur. Le të shpresojmë.
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com