BETIMI I PRINC LEKËS: UNË, NË GJURMËT E BABAIT
Ora 13.10 – Princ Leka Zogu II, pinjolli i fundit i mbetur nga familja e mbretit të dikurshëm Ahmet Zogu është betuar përpara arkivolit të të atit.
“Do të ndjek rrugën e gjyshit dhe babait tim në shërbim të kombit dhe të atdheut”, tha ai gjatë ceremonisë në varrezat e Sharrës.
LAMTUMIRA PËR LEKA ZOGUN-N
Ora 13.15 – Trupi i pajetë i ish pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu I është përcjellë për në banesën e tij të fundit.
Ceremonia mortore ka përfunduar në varrezat publike të Sharrës, në periferi të Tiranës.
Sikundër e kërkon edhe protokolli shtetëror për nder të Leka Zogut janë shkrepur dy të shtëna armësh nga Garda e Republikës.
KORTEZHI NISET DREJT VARREZAVE
Ora 12.30 – Nën muzikën funebër të bandës frymore të Gardës së Republikës, kortezhi mortor me arkivolin e Leka Zogut I është nisur drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i tij.
Trupi po shoqërohet nga personalitetet më të larta të vendit, presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, diplomatë të huaj si dhe mjaft qytetarë e mbështetës së figurës së ish pretendentit për fronin mbretëror.
PËFUNDOJNË HOMAZHET, BASHA FJALIM LAMTUMIRE
ORA 12. 25 – Kanë përfunduar homazhet pjesë e ceremonisë shtetërore në nderim të Leka Zogu-t I. Kryebashkiaku Basha ka mbajtur fjalimin e lamtumirës, duke e cilësuar ish pretendentin për fronin mbretëror si mbrojtësin më të mirë të idealit shqiptar.
“Leka Zogu përgjatë një jete të tërë në mërgim të detyruar për shkak të diktaturës komuniste, nuk e ndau asnjëherë vëmendjen nga çështja e Kosovës.
Prania e tij u ndie në shumë familje mbretërore në mbarë botën për të ngritur zërin.
Ndarja e tij e parakohshme na ka lënduar thellë.
Leka Zogu është i biri I Ahmet Zogut, mbret i shqiptarëve”, tha Basha.
DREJTUESIT FETARË LUTJE PËR LEKA ZOGU-N
Ora 12.12 – Pasi ka dalë nga godina e Kuvendit të Shqipërisë, arkivoli me trupin e Leka Zogut është vendosur në oborrin e Kuvendit ku kryetari i Komunitetit Myslim Shqiptar, Selim Muça ka drejtuar lutjen për shpirtin e ish pretendentit për fronin mbretëror.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, i cili ka lexuar pjesë nga Bibla e Shenjtë.
Përfaqësuesi i lartë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve tha se: Besimtarët nuk vdesin, por ndërrojnë vendin, nga e përkohshmja në të përhershmen.”
TRUPI I LEKA ZOGU LË KUVENDIN
Ora12.06 – Trupat speciale të Gardës së Republikës, kanë nxjerrë nga holli I Kuvendit të Shqipërisë, arkivolin me trupin e pajetë të ish pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I.
PRESIDENTI TOPI NDERON LEKA ZOGUN
Ora 11.54 - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka përcjellë nderimet e tij të fundit për pretendentin për fronin mbretëror, I cili u nda nga jeta më 30 nëntor në moshën 72 vjeçare.
BERISHA NË KUVEND PËR HOMAZHET
Ora 11.52 – Kryeministri Berisha ka mbërritur pak minuta më parë pë të marrë pjesë në homazhet për nder të pretendentit për fron, Leka Zogu I. Ai shoqwrohej nga bashkwshortja e tij, Liri Berisha.
KREU I LSI META MERR PJESË NË HOMAZHE
Ora 11.50 – I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika dhe ministri i jashtëm Haxhinasto, kryetari i LSI, Ilir Meta ka ngushëlluar familjen mbretërore gjatë homazheve.
KRYEBASHKIAKU BASHA NË HOMAZHE
Ora 11.40 - Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka mbërritur në hollin e Kuvendit ku ka kryer homazhe pranë, trupit të pajetë të Leka Zogut I.
DEPUTETËT NGUSHËLLOJNË PRINCIN LEKA
Ora 11.15 – Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të majtë e të djathtë po i shprehin ngushëllimet princit Leka Zogu II për humbjen e babait të tij, pak ditë më parë.Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të mediave shqiptare.
SHQIPTARËT NGA LUGINA E PRESHEVËS NË HOMAZHE
Ora 11.00 - Shqiptarë nga Lugina e Preshevës kanë mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në homazhet për Leka Zogun I. Ata kanë mbërritur në ambjentet e Kuvendit ku kanë ngushëlluar Princ Lekën dhe pjesën tjetër të familjes mbretërore dhe më pas do tëp resin dhe lëvizjen e kortezhit drejt varrezave të Sharrës.
AMBASADORI ARVIZU MBËRRIN NË KUVEND
Ora10.22 - Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka mbërritur në hollin e Kuvendit të Shqipëri për të marrë pjesë në homazhet në nder të Leka Zogu I. Më herët në homazhe ka mbërritur edhe kreu i prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth si edhe ambasadorja polake.