Agustin Suma, shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës ka deklaruar se nuk ka asnjë pacient të intubuar apo humbje jete. Dëmtimin më të rëndë e ka pësuar 19-vjeçari me këmbën e thyer.
“Gjatë pasdites së sotme në Spitalin e Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë, kalimtarë. Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete”, tha Suma.
I riu ka mbërritur në gjendje stabël në spital.
“Nga ana e 127 është bërë imobilizimi në terren. Tek ne ka ardhur në gjendje të stabilizuar. Djali është në gjendje të stabilizuar. Ndihma e parë është dhënë nga ekipi ortoped dhe djali po plotësohet me të gjitha ekzaminimet e tjera dhe është për ndihmë në ortopedi”, vijoi shefi i Urgjencës.
Mjeku dha detaje edhe për përfaqësuesin e trupit diplomatik austriak, i cili gjithashtu pësoi lëndime gjatë protestës.
“Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka ardhur nga QSUT, kishte disa dëmtime në kokë, është përcjellë me mjekim në shtëpi”, tha mjeku.
Në total, te Trauma janë trajtuar 7 policë, ndërsa momentalisht po trajtohen 3 raste.
Lajmi kryesor:
19-vjeçari thyen këmbën: S’kam lidhje me tubimin, po kaloja! 4 policë e mbajnë nga gjymtyrët, pezullohen nga detyra bashkë me shefin e rendit te komisariati nr.1! Nisin hetimet për veprimet e efektivëve në protestë (VIDEO)










