Një protestues i lënduar është marrë nga policia. Në videon e siguruar nga Report Tv, shihen të paktën 4 policë që e mbajnë nga gjymtyrët, ndërsa këmba e djathtë i lëkundet.
Disa vajza që e filmojnë thonë “ua, i ka rënë të fikët” dhe “ua, i kanë thyer këmbën.”
Mësohet se protestuesi ka pësuar frakturë në këmbë, përkatësisht në kockën e femurit dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Traumës. Momentalisht, ai është i vetëdijshëm.
Pas këtyre incidenteve Policia ka njoftuar se ka pezulluar 4 policë dhe shefin e komisariatit nr. 1 .

Agustin Suma, shefi i Urgjencës në Spitalin e Traumës ka deklaruar se nuk ka asnjë pacient të intubuar apo humbje jete. Dëmtimin më të rëndë e ka pësuar 19-vjeçari me këmbën e thyer.
“Gjatë pasdites së sotme në Spitalin e Traumës janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë, kalimtarë. Dëmtimi më i rëndë është një frakturë e kërcirit të djathtë që do të trajtohet sipas procedurës. Ritheksoj që nuk ka asnjë pacient të intubuar dhe asnjë humbje jete”, tha Suma.
I riu ka mbërritur në gjendje stabël në spital.
“Nga ana e 127 është bërë imobilizimi në terren. Tek ne ka ardhur në gjendje të stabilizuar. Djali është në gjendje të stabilizuar. Ndihma e parë është dhënë nga ekipi ortoped dhe djali po plotësohet me të gjitha ekzaminimet e tjera dhe është për ndihmë në ortopedi”, vijoi shefi i Urgjencës.
Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka mbërritur nga QSUT te Trauma dhe pasi ka marrë mjekimin, ka shkuar në shtëpi.
“Përfaqësuesi i trupit diplomatik austriak ka ardhur nga QSUT, kishte disa dëmtime në kokë, është përcjellë me mjekim në shtëpi”, tha mjeku.
Në total, te Trauma janë trajtuar 7 policë, ndërsa momentalisht po trajtohen 3 raste.

Policia ka reaguar lidhur me protestuesin 19-vjeçar me këmbë të thyer, rast për të cilin thotë se janë pezulluar nga detyra 4 punonjësit si edhe shefi i Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1. Ndaj tyre ka nisur edhe një hetim disiplinor.
Një grup i posaçëm po analizon të gjitha veprimet e punonjësve, ndërsa AMP e Prokuroria kanë nisur hetim.
Njoftimi i plotë:
Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.
Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.










