Një strategji e mënçur shtetërore e qeverisë shqiptare në marrëdhënie të ngushtë me qeverinë e Kosovës do ta bënte betejën për komandantët e Kosovës, për Ushtrinë çlirimtare të saj më sinjifikative. Larg qejfmbetjeve, mllefeve nga secila palë, të cilat te ne shqiptarët qëndrojnë në komoditet. Dhe nuk është as momenti për fjalë e premtime për t’u treguar më patrioti, më shqiptari.

Shqipëria ka një trupë diplomatike në shumë kryeqytete të botës, duke folur dhe për ato jorezidenciale që mbulohen nga disa prej ambasadave tona në kryeqytete të ndryshme, që me mënçuri të ndërkombëtarizojë betejën për drejtësi.

Ambasadorët dhe diplomatët e tjerë të këtyre përfaqësive, përmes takimeve me qeveritarë dhe deputetë të zëshëm, duke përfshirë dhe ata në parlamentin evropian, me akademikë dhe intelektualë të shquar, kërkohen takime serioze me ta. Kur themi serioze, fjala është  për përgatitjen e nevojshme dhe jo për të kaluar radhën dhe për të informuar sa për të qënë brenda, duke e matur punën me numrin e informacioneve, pa folur për anemizmin e tyre.

Madje, sidomos në SHBA dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, mund të dërgohen në përfaqësitë tona diplomatike, në takime me peshë, historianë dhe ekspertë të jurisprudencës etj, potenciale të njohura nga Shqipëria dhe Kosova, kombinuar jo sa për sy e faqe, as dhe në mënyrë spontane, por me shumë zgjuarsi dhe seriozitet.

Akademia jonë e Shkencave ka historianë të nderuar, akademikë me shumë reputacion, që u heqin kapelen autoritete ndërkombëtare të këtyre shkencave në veçanti dhe gjetkë, por dhe idealistë të patjetërsueshëm të vendit dhe kombit të tyre kudo që ndodhen. Ndërkohë, Konsujt e Nderit në vendet e Perëndimit nga mbulojnë Shqipërinë, me lidhje të forta dhe miqësore në qeverisje të shteteve të tyre-intelektualë me peshë dhe të përkushtuar për Kosovën dhe Shqipërinë, s’mund të mbeten të harruar, kur ata nuk janë zgjedhur si produkte të zbehtë nepotizmi apo thjesht për t’u shërbyer miqve të tyre në politikë.

Akuzat monstruoze për trafik organesh dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat u ngrit Gjykata Speciale, ranë, për të mos u përmendur gjëkundi dhe për të shpikur e dalë te drejtuesit kryesor të UÇK-së dhe dënimet e habitshme për ta. E tëra kjo për t’i vënë kryq historisë së lavdishme të UÇK-së dhe për të shkuar më tej te Pavarësia e Kosovës. Dosjet e stisura të serbëve, me narrativat e tyre, manipulacioneve në vazhdimësi, për t’i bërë sa më të besueshme, gjenin dhe gjejnë vend ne tryeza të shumta, me vend dhe pa vend, përgatitur nga ustallarë që merren vetëm me këtë punë dhe përmes një diplomacie tepër aktive, duke i bërë sa më të mjegullta dhe të largëta masakrat serbe ndaj shqiptarëve. Këta të fundit u lakuan dhe stërlakuan si terroristë, si kriminelë, madje dhe sot, me më tepër siguri, pas vendimit të Gjykatës së Hagës, e cila pritej, sikurse ndodhi, t’u vinte për shtat. Por faktet janë fakte dhe kurrsesi nuk mund të errësohen. Pa çka se entuziazmi i udhëheqësve të Beogradit, rritja e oreksit, nuk njohin kufi dhe narrativat serbe veçse pasurohen edhe në ditët e sotme.

Sa më lart, nuk mund ta zbehë vështrimin e diplomacisë shqiptare apo ta bëjë atë pesimiste. Përkundrazi. Në kuadrin e një strategjie të duhur shtetërore roli i saj do të rritet me tërë bagazhin e nevojshëm. Në ato përfaqësi diplomatike ku ka munguar prania, zëri i miqve vendas të atyre fushave që përmendëm për shkak të lënies në harresë nga përfaqësitë tona, mund të mos kursehet “ndërrimi i gjakut”. Një nga figurat më të njohura të diplomacisë amerikane, të Departamentit të Shtetit, George F. Kennan, këmbëngulte vazhdimisht me të drejtë që, në ndërtimin e politikës së jashtme të përdoren më mirë parimet e profesionalizmit dhe se duhet krijuar një trupë profesionistësh superior ndaj gjithçkaje që ekziston ose që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë fushë.

Kjo betejë, për të cilën po flasim, nuk mund ta pranojë apatinë, mungesën e nervit. Nuk është fjala vetëm për katër komandantët e sapodënuar nga Gjykata e Hagës, por për tërë luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës kundër agresorit serb, në emër të atyre të rënëve dhe të zhdukurve, të dëbimeve të mbi një million njerëzve, të vuajtjeve të panumërta të tyre. Varreza masive të shqiptarëve të vrarë nga dora serbe po zbulohen dhe sot, por sa e sa krime monstruoze rrinë të fshehura. Dhe dokumentet, të gjallët dëshmojnë aq shumë, duke flakur me neveri çdo shënjë barazie që vihet midis këtyre viktimave dhe vrasësve.

Në këto kushte, si do ta përfaqësojë veten diplomacia shqiptare? Tepër e rëndësishme për të. Koha ikën shpejt. Tirana dhe Prishtina kërkohet të korigjojnë sa më shpejt atë çka kemi vonuar, me besimin gjithashtu, se beteja vazhdon, ajo nuk ka mbaruar.