SHKODËR- Nga qyteti i Shkodrës, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se Policia e Shtetit po punon që betejën me kultivimin e kanabisit të përfundojë para se të nisë fushata zgjedhore.

Kjo sipas tij, për të ndaluar çdo ndërhyrje të elementëve kriminale në procesin zgjedhor. Lleshaj është i bindur se kjo betejë do të përmbyllet me sukses.

"Duam që këtë vit betejën me kanabisin ta përfundojmë para se të nisë fushata zgjedhore, që të shterojmë çdo përpjekje për të pasur interferenca të elementëve në këtë fushë. Ne po angazhohemi shumë dhe ju garantoj që do të ketë sukses", tha Lleshaj.  

Për ministrin e Brendshëm, këtë vit nuk është kultivuar më shumë kanabis, por është kapur më shumë, kjo sepse janë rritur kapacitet e policisë. Këtë qëndrim Lleshaj e mbështet me dy argumente kryesore. Së pari, sipas tij në vendet fqinje si Italia, Greqia apo Mali i Zi janë kapur më pak drogë që ka pasur si vend-origjine Shqipërinë dhe së dyti që çmimi i kanabisit në tregun e zi është rritur shumë.

"Ka pasur persona të ndëshkuara. Ka pasur një intensitet të lartë të kontrollit se ka pasur më shumë kapacitet, më shumë mjete, më shumë orë fluturimi nga ajri nga të huajt dhe vendas, ka pasur më shumë drogë e për rrjedhojë janë gjetur më shumë se vitin e kaluar. Nuk do të thotë që është kultivuar më shumë, por që është goditur më shumë. Nuk ka më shumë kanabis në treg se një vit më parë. Kjo sepse destinacionet e kanabisit nga Shqipëria që përfshinë Italinë, Greqinë, Mali i Zi kanë provuar se sasia e sekuestruar është shumë herë më e ulët se sasia e sekuestruar në vitin 2019, sivjet në Italia janë sekuestruar 911 kg nga Shqipëria, ndërkohë në vitet e shkuara janë kapur me tonelata, do të thotë që prodhimi ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Dhe një tregues tjetër është çmimi i kësaj lënde në tregun e zi që ka arritur në nivele stratosferike krahasuar me vitet e tjera", shtoi ministri.

Krah drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtorit të Policisë së Shkodrës, Lleshaj tha se me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK, bashkëpunimi Polici- Prokurori është përmirësuar ndjeshëm.

"Bashkëpunimi i Policisë, me Prokurorinë ka njohur një përmirësim të ndjeshëm, me krijimin e SPAK është rritur bashkëpunimi", tha ministri.

Lleshaj ishte në Shkodër për analizën e punës së Policisë së Shtetit kundër kultivimit të kanabisit.