Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se gjatë vitit 2015 institucionet buxhetore kanë shkaktuar 1 miliard USD dëm ekonomik. Kreu i KLSH, Bujar Leskaj, paraqiti në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë raportin e punës për vitin e shkuar, ku theksoi se shkeljet kryesore janë shkaktuar përmes koncesioneve dhe korrupsionit në dhënien me qira apo përdorim të pronave shtetërore. 

Leskaj foli para deputetëve edhe për kulturën e pandëshkueshmërisë. Ai tha se KLSH ka propozuar një ligj sipas të cilit zyrtari që shkakton dëmin, të mbajë përgjegjësi ligjore për të. Ai u ndal veçanërisht te dëmi i shkaktuar përmes kompanive të mëdha shtetërore, si rasti i CEZ apo Albpetrol.

Lidhur me Albpetrol, ai tha se është e domosdoshme të merren masat që privatizimi i tij të bëhet duke marrë parasysh interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Leskaj ka deklaruar se rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për largimin nga detyra apo nga shërbimi civil të punonjësve të gjenden me shkelje nuk merren parasysh nga krerët e institucioneve.

Shqetësim kryesor për ne është niveli i ulët i zbatueshmërisë së masave të propozuara nga KLSH për largim nga detyra apo nga shërbimi civil për zyrtarë të lartë të Shtetit të denoncuar si të korruptuar apo abuzues me interesat publike, dhe për këtë do të paraqesim listat e këtyre zyrtareve të lartë që ende mbahen në administratën shtetërore, pranë komisioneve të Kuvendit”, u ka deklaruar Leskaj. 

​Sipas tij, gjatë vitit 2015 janë zbuluar 919.9 milionë euro dëme. “Kemi zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik të përgjithshëm në shumën totale 919.9 milionë euro, nga të cilat janë rekomanduar për zhdëmtim 428 milionë euro. Dëmi ekonomik i zbuluar nga KLSH për periudhën 2012-2015 është 8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar për periudhën e katër viteve 2008-2011”, ka pohuar Leskaj. 

Fjala e plotë e Bujar Leskaj në Komisionin e Ekonomisë
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)