Aktivistja Ajtanga Lubonja, ka bërë thirrje për ndihmë nëpërmjet një letre drejtuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe ambasadorit amerikan në Tiranë. Ish e përndjekura politike shprehet se ka 25 vite që është lënë në harresë, në pritje të një pensioni social, në një kohë kur sipas saj ngrihen në piedestal kriminelë, hajdutë dhe oligrakë. Ajo thotë se është duke vdekur në një dhomë të mjerë konvikti, ndërkohë që kurohet nga ilaçe të skaduara që ndihmojnë politikanët të pasurohen. Aktivistja Lubonja është shprehur se ishte në krye të lëvizjes për rrëzimin e  Fullanit, por ndërkohë që ai dëmshpërblehet ajo konsiderohet armike e popullit.

Në letrën e saj Lubonja ka shkruar:
''Z.Bujar Nishani, President i Republikës të Shqipërisë
Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës të Shqipërisë
Z.Donald Lu, Ambasador i SHBA në Republikës e Shqipërisë
 
Tiranë, 6.07. 2016
 
Jam Ajtanga Lubonja, qytetare e Republikës së Shqipërisë, 68 vjeç, banuese në Tiranë, e Persekutuar Politike, e dënuar me damkën e egër si “Armike e Popullit”!
 
Të nderuar Zotërinj,
Për funksionet qe mbani, jeni shpresa e çdo qytetari!
 
Duke provuar të gjitha rrugët ligjore, duke trokitur në çdo institucion që presupozohet të zgjidhë problemet e popullit dhe duke mos marrë asnjë zgjidhje…
vendosa t’ju drejtohem!
 
Trajtimi i të Persekutuarëve Politikë dihet botërisht se në çfarë përmasa shnjerëzore është trajtuar dhe vazhdon të trajtohet!
Kam 25 vjet që vetem pres!
 
Sot jam e lënë në harresë nga shteti im në një kohë kur ngrihen në piedestal KRIMINELË, HAJDUTË, OLIGARKË!
Vuajtjet dhe ulërimën e popullit nuk e degjon askush!
Vjedhja, korrupsioni na kanë mbuluar…
boll me spektakle sikur po luftoni për POPULLIN!
Diçka njërëzore ju kam kërkuar…atë që më takon “Rehabilitimin dhe kompensimin e të Persekutuarit” për vuajtjet që kemi hequr që edhe kur t’i zhdëmtoni 100 % nuk zhdëmtohen dot kurrë!
Prindërit më vdiqën me buzë të plasur e në varfëri (vetëm një këst mori babai i shkretë dhe vdiq)!
 
Nëna ime e bija e Et’hem Totos, burrë shteti, patriot e Ministër i Brendshëm në vitete 1935-36, vdiq po ashtu,
 
ne bijtë po plakemi në varfëri të plotë,
unë po vdes në një dhomë të mjerë konvikti, ku jetoj prej 25 vitesh e sëmurë dhe nuk kam mundësi kurimi…se ne na japin ilaçe të skaduara që të pasurohen politikanet tanë!
 
Jetoj me nje PENSION MINIMAL,
kërkova “PENSION SPECIAL” sepse i kam sherbyer vendit tim sa ta meritoj këtë pension!
Emri i familjes LUBONJA e thotë;
emri i Familjes TOTO e thotë!
 
Kam qenë në ballë të lëvizjes për Demokraci, kam marrë pjesë në nisma ku jam dënuar me vdekje; isha pjesë e Lëvizjes për rrëzimin e Fullanit! Por Fullani po zhdëmtohet, po kërkon miliona, ndërsa unë vazhdoj të jem “Armike e Popullit”, sepse pensionet speciale dhe privilegjet vazhdojnë  t’u jepen komunistëve, spiunëve, lakejve!
Ju kërkoj ndihmë!
Ndihmoni!
Me respekt
Ajtanga Lubonja''.


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com