TIRANE - Kryetari i bashkisë së Përrenjasit Bajazit Karriqi ka tërhequr mbi vete zemërimin e aktores së famshme Brizhit Bardo.

Bëhet fjalë për çështjen e qenve rrugaçë që qytetari i parë i Përrenjasit ka planifikuar t’i vrasë. Veprimi tërhoqi fillimisht vëmendjen dhe kundërshtimin e shoqatës shqiptare për mbrojtjen e kafshëve, Animal Rights in Albania (ARA), por tashmë edhe ylli i kinemasë Bardo, një animaliste e njohur, është përfshirë në lojë më anë të një letre të hapur.

“Z. kryebashkiak, jam e tmerruar të mësoj se ju po bëheni gati të vrisni ca pak qen rruge në qytetin tuaj. Si mund të merrni një vendim të tillë kur ju keni detyrime morale dhe etike ndaj qytetarëve tuaj dhe fëmijëve të tyre? A mendoni se këto lloj aktesh do zgjidhin problemin e ‘qenve rrugaçë’ dhe do tregojnë një vision prestigjoz për atë që po bëni me pushtetin tuaj? Është shkencërisht e ditur se masakrimi i qenve të rrugës kurrë nuk ka qenë një zgjidhje për kontrollimin e numrit të tyre. Të tjerë qen do të vijnë dhe do zenë vendin e tyre.

Nga ana tjetër, sterilizimi do shmangë riprodhimin dhe do i bëjë ata të përshtatshëm për të jetuar në komunitetin tuaj, njerëzit do kujdesen për ta, jam e sigurtë për këtë. Ju kërkoj të bashkëpunoni me shoqatën ARA dhe t’i jepni qytetit tuaj një reputacion humanizmi dhe menaxhimi racional të popullatës së qenve, jot a prishni atë me zbatimin e një praktike skandaloze që do të ndikojë mbi imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë.

Duke pritur një përgjigje prej jush, Brigitte Bardot”.

Mbetet për t’u parë tani se çfarë metode do të zgjedhi kryetari i bashkisë së Përrenjasit për të zgjidhur problemin e qenve të rrugës në qytetin e tij.

(ep/shqiptarja.com)