Letra e Hekuran Isait dhe e Pëllumb Kapos në ’82! Raporti sekret i Sigurimit: Vitali Paska dhe Zhak Jumba me shtetësi kongoleze, agjentë të Zbulimit amerikan, jugosllav, grek, italian e turk

Letra e Hekuran Isait dhe e Pëllumb Kapos në ’82! Raporti sekret i Sigurimit: Vitali Paska dhe Zhak Jumba me shtetësi kongoleze, agjentë të Zbulimit amerikan, jugosllav, grek, italian e turk

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që janë pjesë e një dosje voluminoze e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat i dërgohen Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ndodhen disa relacione dhe një studim i bërë nga Hetuesia e Përgjithshme e Republikës, (i firmosur nga ministri Hekuran Isai), lidhur me propozimet e bëra nga Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës dhe Degët e Punëve të Brendshme të disa rretheve të vendit, si: Tropoja, Kukësi, Shkodra, Dibra, Saranda, Korça, Fieri etj., me propozimet për arrestimin e personave të ndryshëm që kishin bërë krime kundër shtetit, si agjitacion e propaganda, tradhti në formën e spiunazhit, sabotimit, etj.

Dokumenti i plotë me propozimet e bëra nga Sigurimi i Shtetit, për arrestimin e katër të pandehurve që akuzoheshin si agjentë të Zbulimit Jugosllav, si Nexhat Hamiti në Elbasan, Sulejman Aliu në Sarandë, Hamdi Vata në Kukës dhe Havzi Dangëllia, agjent i Zbulimit Grek në Korçë, Nexhat dhe Ajet Iljazi, emigrant kosovarë me shtetësi jugosllave, Vitali Paska dhe Zhak Jumba, me shtetësi kongoleze, si agjentë të Zbulimeve Sekrete amerikane, jugosllave, greke, italiane dhe turke, Ilia Stavri dhe Stavro Kajavoj, si agjentë të Zbulimeve greke, Siri Jazo e Xhemal Lile nga Vlora, Vasil Dhima nga Saranda, Ali Hyka nga Tropoja, Agim Patoku nga Tirana, Hysen Hyseni, Bernard Lajthia, Pashko Marko dhe Bruno Hika nga Shkodra, Hysen Verdalis nga Pogradeci, Mersin dhe Rexhep Hoxha nga Dibra, etj.

Raporti për anëtarin e Byrosë Politike dhe sekretarin e Komitetit Qendror të PPSh-së, Simon Stefani, (që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’), i hartuar nga Pëllumb Kapo, (funksionarë i lartë në aparatin e Komitetit Qendror për organet e Sigurimit të Shtetit), i cili e hidhte poshtë studimin e firmosur nga Hekuran Isai, duke e konsideruar atë dokument, thjesht si ‘konkluzione të punës së Hetuesisë’ dhe i tërhiqte vërejtje zëvendës Kryetarit të Hetuesisë, Qemal Lame, për punë të dobët, etj!

Dokumenti sekret i hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, me studimin e Hetuesisë së Përgjithshme, lidhur me propozimet e bëra nga Degët e Punëve të Brendshme në rrethe, për arrestimet e personave që akuzoheshin për krime kundër shtetit

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 2

DREJTORIA E HETUESISË Tiranë, më 2.11.1982

Nr. 540/Prot.

S T U D I M

PËR PROPOZIMET PËR ARRESTIME PËR VEPRA PENALE KUNDRA SHTETIT DHE DISA TË META TË PUNËS SË ORGANEVE TË SIGURIMIT DHE TË HETUESISË

Nga studimi i propozimeve për arrestime për vepra penale kundër shtetit, që bëjnë Degët e Punëve të Brendshme në Drejtorinë e Hetuesisë, gjatë këtij 9-të mujori, del se përgjithësisht është punuar mirë për zbatimin e një politike të drejtë në goditjen e veprimtarisë armiqësore dhe keqbërëse dhe janë zbatuar më mirë kërkesat ligjore dhe platforma.

Ka dhe disa shkelje e të meta me rëndësi të cilat tërheqin vëmendjen për një punë më të mirë në të ardhmen.

Gjendja e propozimeve për arrestime.

Nga të dhëna del se është organizuar më mirë puna për parandalimin e kriminalitetit si dhe diferencimin e shpëtimin e njerëzve nga veprimtaria armiqësore.

Më shumë propozime janë bërë nga Degët e Punëve të Brendshme, Fier, Kukës, Sarandë, Dibër dhe Tiranë? Ato kanë qenë kryesisht për veprën penale të agjitacionit e propagandës kundër shtetit. Nga 66 propozime, 51 prej tyre kanë qenë për agjitacion e propagandë. Propozime për vepra të mprehta si: tradhti në formën e spiunazhit, sabotimit, etj., nuk ka pasur.

Zakonisht përpunimet e ndjekura për spiunazh, (gjithsej 8 raste), janë goditur me arrestim për veprën penale të agjitacionit e propagandës kundër shtetit, meqenëse nuk vërtetohej vepra e spiunazhit.

Gjatë hetimit është synuar për vërtetimin e akuzës së spiunazhit dhe është arritur që 5 të pandehurit, kanë dhënë shpjegime për veprimtari spiunazhi. Nga këta të pandehur që janë vërtetuar si agjentë, katër të pandehur si agjentë të Zbulimit Jugosllav, Nexhat Hamiti në Elbasan, Sulejman Aliu në Sarandë, Hamdi Vata në Kukës dhe një agjent i Zbulimit Grek, Havzi Dangëllia, në Korçë. Nexhati dhe Ajet Iljazi, janë emigrant kosovarë me shtetësi jugosllave.

Në hetim janë disa çështje që mund të vërtetohet veprimtaria e spiunazhit, si: Vitali Paska dhe Zhak Jumba, në Tiranë, me shtetësi kongoleze, si agjent të Zbulimit amerikan, italian, grek turk dhe jugosllav. Dy të arratisurit e të kthyer prap nga Greqia, Ilia Stavri dhe Stavro Kajavoj, si dhe emigranti kosovar Ajet Iljazi.

Propozohet për t’u arrestuar objekte me karakter jo të mprehtë dhe me moshë të madhe!

Disa Degë të Punëve të Brendshme, nuk kanë studiuar si duhet objektet e marra në përpunim dhe nuk i kanë ndjekur me kujdes. Për të realizuar goditjen e tyre, janë bërë propozime pa i analizuar problemet në të gjitha anët, e sidomos për karakterin e veprimtarisë së zhvilluar, gjerësinë e saj dhe nevojën e arrestimit të objektit në përshtatje me kushtet e rrethanat e rrethit dhe të vetë autorit.

Në këtë mënyrë ka vepruar Dega e Punëve të Brendshme Vlorë, për objektin Siri Jazo, i ditëlindjes 1900, për të dhënat që me 10-15 vjet të kaluara, i cili kishte qenë njëherë i dënuar për agjitacion e propagandë kundër shtetit, me dhjetë vjet heqje lirie.

Dega e Punëve të Brendshme propozon Xhemal Lile, për arrestim për agjitacion e propagandë, se kish agjituar për gjendjen ekonomike, gjoja të keqe në vendin tonë. Ai ishte i datëlindjes 1918 dhe është dënuar dy herë për këtë vepër dhe një muaj më parë ishte liruar nga burgu.

Dega e Punëve të Brendshme Sarandë, ka propozuar Vasil Dhimën, i datëlindjes 1922, që ishte marrë në përpunim për tendencë arratisje. Ky objekt pasi u miratua nga Prokurori i Përgjithshëm, gjatë hetimit u sëmur rëndë, u operua dhe në përfundim u pushua çështja, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe moshës së kaluar.

Ka ndodhur që Degët e Punëve të Brendshme, kanë insistuar për arrestime të personave në moshë të kaluar, si Tropoja, për objektin Ali Hyka, pasi mendonin të zbulonin veprimtari të organizuar, por pas arrestimit, nuk u morën masat që mendoheshin për ndjekjen në rrugë agjenturore dhe hetimore.

Sektori Operativ dhe Hetuesia nuk i studiojnë me objektivitet materialet dhe propozojnë të arrestohen objekte me prova të pamjaftueshme

Të dhënat agjenturore-operative dhe proces-verbalet e kallëzimit të veprës penale, nuk janë analizuar në mënyrë objektive dhe të gjithanshme. Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës, ka propozuar për tendencë arratisje objektin, Agim Patoku, i cili kishte një implikim nga i pandehuri Vasil Plakushi dhe një provë indirekte, nga Alda B., se motra e objektit Rita Patoku, i ka thënë Aldës, se: “Vëllai im, Agimi, ka shkuar në Miras të Korçës, për të parë kufirin, për t’u arratisur jashtë shtetit”.

Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës, ka propozuar për tendencë arratisjeje, Hysen Hysenin, pa pasur të dhëna agjenturore e operative. Kishte vetëm një proces-verbal kallximi, nga Hamza L. të dëgjuar me T.O. (Teknikë Operative). Për këtë vepër, ai ishte këshilluar nga Komiteti i Partisë i rrethit dhe kishte biseduar përsëri me kallximtarin. Në këto kushte, propozimi u kthye me detyrë që ai të mos shpëtohej nga veprimtaria dhe kallximtari të bënte punën parandaluese.

Analiza në përfundim të objektit nuk bëhet e thelluar dhe sektori i Hetuesisë, nuk ka ndihmuar në masën e duhur, për objektivitetin e provave që administrohen dhe dërgimin e propozimeve në Ministri. Ka ndodhur që Hetuesia, ka qenë dakord të propozohej goditja e objektit, megjithëse, provat nuk kanë qenë të plota, si Korça, Saranda, Dibra, Tropoja, Lushnja etj.

Por ka pasur edhe raste që sektorët e Hetuesisë nuk kanë qenë dakord të propozohej arrestimi i objektit, pasi provat nuk kanë qenë të plota, si në Tepelenë, Tiranë, etj.

Janë marrë si kallximtarë persona me personalitet jo të mirë.

Sektori operativ nuk i studion në disa raste të dhënat që ka marrë, duke i lidhur edhe me të ardhmen e gjykimit të tyre dhe në fund të përpunimit, janë pyetur si kallximtarë edhe persona pa personalitet. Në procesin e objektit Hysen Verdalis, Dega e Punëve të Brendshme në Pogradec, ka marrë proçes-verbal kallximi nga Sotir V., i dënuar për falsifikim dokumentesh, i cili ka dalë disa herë si dëshmitar, pijanec etj., si dhe Muharrem M., të dënuar 3 herë për rrahje e për marrëdhënie seksuale me dhunë. Ndërsa në Lushnje në procesin e objektit Vangjel Bili, është marrë si kallximtar Agim M., i dënuar 8 herë, të cilin e tallin si vjedhës i pulave të fshatit.

Janë propozuar Mersin dhe Rexhep Hoxha nga Dega e Punëve të Brendshme Dibër, për krimin e përgatitjes për arratisje jashtë shtetit, por nuk ka patur të dhëna. Propozimi ishte bazuar në thëniet e kallximtarit Neim D., me të cilin ata kishin biseduar për arratisje. Në këto biseda kishte qenë edhe e motra e kallximtarit, e cila ishte e dashura e tyre dhe këtë fakt e dinte edhe vetë Naimi.

Këshillimi dhe demaskimi i personave po përdoret më me efektivitet dhe vlerësohet nga opinion shoqëror.

Në zbatim të porosive të dhëna nga Partia, këshillimi dhe demaskimi po vlerësohen më mirë me qëllim që të shpëtohen nga dënimi ata që mund të shpëtohen. Në 9-mujorin e vitit 1982, janë këshilluar 11 dhe demaskuar 8 persona, që kishin zhvilluar agjitacion e propagandë.

Këshillimet dhe demaskimet e organizuara mirë kanë dhënë rezultate pozitive, në ngritjen e opinionit shoqëror kundër veprimtarisë armiqësore. Mirë është punuar sidomos në rrethet: Shkodër, Fier, Korçë, etj. Para kolektivit të qendrës së punës në Shkodër, u demaskuan Bernard Lajthia, Pashko Marko dhe Bruno Hika. Kolektivi dhe shokët e punës u ngritën dhe dënuan aktin e tyre që donin të arratiseshin jashtë shtetit.

Kur ka qenë e nevojshme është orientuar dhe është bërë këshillimi ose demaskimi i personave edhe për të dytën ose të tretën here, kur ka patur mundësi të shpëtohej personi për shkak të karakterit jo të mprehtë të veprës, gjendjes së mirë politike etj. Kjo formë parandaluese është zbatuar me efektivitet në Gramsh e Shkodër.

Veprimet e mësipërme në kundërshtim me rregullat e caktuara dhe dobësitë e konstatuara, kanë ndodhur kryesisht nga puna e pamjaftueshme që është bërë gjatë fazës së përpunimit agjenturor dhe analiza jo e thellë që është bërë para propozimit për arrestim. Materialet agjenturore dhe provat ligjore, sidomos të dhënat e proçes-verbaleve të kallximit të veprave penale, nuk janë parë në unitet.

Nuk i është kushtuar vëmendja e nevojshme provave ligjore dhe janë bërë propozime me të meta dhe të pabazuara në prova. Këto u janë kthyer Degëve të Punëve të Brendshme me vërejtjet përkatëse dhe detyrat për të ardhmen për rritjen e objektivitetit dhe forcimin e ligjshmërisë në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura e të përmirësohet puna.

Në vazhdim të punës për vënien në jetë të detyrave të Kongresit të 8-të të Partisë dhe të plenumeve të 4-të dhe të 6-të të Komitetit Qendror të Partisë, po marrim masa për përmirësimin e metodës së punës agjenturore – operative në përpunimin e objekteve, pasi me gjithë përmirësimet, akoma konstatohen shfaqje e koncepte të veprimtarisë që janë kritikuar e dënuar për të vlerësuar punën me numrin e arrestimeve jo me personat e shpëtuar, të frikës se mos kritikohen etj.

Do të studiohet më mirë rritja e efektit të punës për zbulimin e fijeve të agjenturës borgjezo – revizioniste. Për unifikimin e punës dhe mënjanimin e të metave nga sektori operativ dhe i Hetuesisë, do të përgatitim një udhëzim.

Këto janë problemet kryesore për të cilat menduam t’u vëmë në dijeni. /Memorie.al/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Ziadin Sela i bashkohet koalicionit të drejtuar nga Ali Ahmeti

Maqedoni e Veriut/ Ziadin Sela i bashkohet koalicionit të drejtuar nga Ali Ahmeti