TIRANE - Pas letrës që ministrja Kodheli i dërgoi kryeprokurorit Llalla për të hetuar akuzat ndaj Forcave të Armatosura, Partia Demokratike kërkoi seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes në Komisionin e Sigurisë. Deputeti Flamur Noka tha se depozitoi në Kuvend kërkesën për seancën dëgjimore me Kodhelin, pasi sipas tij disponohen të dhëna për keqpërdorimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.

Letra e Kodhelit ndaj Prokurorit të Përgjithshëm është quajtur nga demokratët si një komunikim urdhërues ndaj institucioneve të pavarura. Noka tha se kjo letër shfaq arrogancën e qeverisë dhe komunikimin urdhërues për të mbrojtur Forcat e Armatosura. “Një marrëdhënie e tillë nuk është hasur kurrë më parë”, tha deputeti democrat Flamur Noka në një deklaratë për mediat, nga ambjentetet e Kuvendit.
 
Ndërsa për kryeparlamentarin Meta, pavarësisht ndryshimeve të forta politike që PD ka me mazhorancën, duhet ta përmbajnë këtë dallim dhe të kontribuojnë për sigurinë kombëtarë në vend.
 
“Do ta fotoja Partinë Demokratike që pavarësisht ndryshimeve të forta që ka me mazhorancën, sidomos kur bëhet fjalë për element të sigurisë kombëtare, problemet me Forcat Armatosura, me policinë të përmbajnë këtë dallim të fortë politik dhe të kontribuojnë që të forcohet më tej siguria kombëtare në vend. Sepse ky është interesi i kombëtareve, i qytetarëve dhe NATO-s”, tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, në një deklaratë për mediat.

DEKLARATA E PLOTE E DEPUTETIT NOKA
“Ashtu siç kemi paralajmëruar, nisur nga të dhënat që disponon opozita të cilat janë alarmante në lidhje me keqpërdorimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës, opozita sapo depozitoi pranë Kuvendit një kërkesë për seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrotjes. Ne e gjykojmë jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm këtë raportim që duhet të bëjë ministrja para deputetëve, para Komisionit të Sigurisë, sepse nëpërmjet fakteve që disponojmë ne, rezulton se Forcat e Armatosura janë keqpërdorur në trafikun e drogës. Është cënuar si asnjëherë tjetër imazhi i Forcave të Armatosura , është cënuar rëndë imazhi i vendit tonë si një vend anëtar i NATO-s ndaj dhe ne kërkojmë që kjo e vërtetë të zbardhet deri në fund. Gjithashtu dua t’ju bëj me dije edhe një fakt tjetër. Me shumë shqetësim lexuam letrën që Ministja i dërgon Kryeprokurorit. Në këtë letër nuk kish as më shumë dhe as më pak, por veçse arrogancë e paprecedentë, sjellje antikushtetuese, e komunikimit që qeveria, ministrja dhe Kryeministri shfaqin në raport me institucionet e pavarura dhe kushtetuese. Është një komunikim i paprecedentë, një komunikim urdhërues, ku ministrja urdhëron prokurorin të hapë hetime ndaj opozitës dhe deputetëve të saj, ku ministrja i kërkon prokurorit që të mbrojë Forcat e Armatosura nga sulmet e opozitës. Një marrëdhënie e tillë nuk është hasur kurrë në këto 23 vite demokraci. Kjo maxhorancë harron që është votuar për të qeverisur, dhe nuk është votuar që ata të bëhen kryeprokurorë, as kryetarë gjykatash, apo drejtues të isntitucioneve të tjera”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)