Ndërsa Nexhmija i shkruante Nakos se s’pati guxim ti prishë ekuilibrin emocional se ai ishte i ngaruar me punë partie, Enver Hoxha tregohet disi më ngushëllues në letrën e tij, të paktën në pjesën e parë të letrës, pra para se të japë urdhrin që “ta mbyllë gojën për çështjen e Ramizesë”
Një detaj me interes në këtë letër është fakti se Enver Hoxha bën me faj Xhangollin për pushkatimin e saj. Ai sipas tij ishte shok i afërt i Ramizesë dhe ai duhet ti jepte dorën jo shkelmin. Ky detaj bëhet më interesant, kur e përballim këtë letër me një autokritikë të gjatë të Xhangollit, ku një prej pikave është çështja e pushkatimit të Ramizesë. Me shumë gjasa kjo autokritikë është e diktuar dhe e ka fillin pikërtisht tek fajësimi i Xhangollit që Hoxha shënon në letrën e tij të 4 prillit ‘44.
Duke i parë bashkë e duke i ballafaqur edhe periudhën kohore, kuptohet lehtësisht skenari, deri në “urdhrin” për ta mbyllur çështjen e Ramizesë e për të mos e diskutuar në asnjë konferencë a mbledhje. Faktet dëshmojnë se Nako Spiru nuk e heshti këtë çështje. E kundërshtoi që sa e mori vesh, madje kërkoi llogari dhe e dënoi publikisht në një mbledhje të hapur, si një dënim ekstrem e të papranueshëm.
Por për t’iu përmbajtur logjikës që parashtruam, po sjellim këtu letrën e plotë të Enver Hoxhës dhe fragmentin e autokritikës së Xhangollit ku ai flet për çështjen e pushkatimit të Ramizesë.
Letra e Enverit për Nakon, “S’është nevoja që në konferenca të theksohet çështja e Ramizesë”
I dashuri shok Nako,
Atë hidhërim që ndjen ti me pushkatimin e Ramizes e ndjejmë që të gjithë neve shokët e tu e të asaj, por jemi të bindur se ky hidhërim nuk do të të mposhtij pse të njohim. Letra që më shkruaje mua dhe Halimit na i forcoj këtë besim pse e dimë që në momente të vështira, qofshin për punën qofshin për çështjet personale, ti do të jeç kurdoherë nga ata shokë udhëheqës që do të kapërxeç ç’do pengesë. Jemi dakord me të gjitha sa na shkruan në letrë dhe na gëzon pa masë qëndrimi i yt shumë i drejtë e komunist qoftë karshi Ramizes qoftë karshi dënimit që i është dhënë.
Me të vërtet shokët kanë goditur rëndë dhe s’kanë tentua ti jepnin dorën asaj shoqe dhe ta ngrinin në vend që ti jepnin shqelmin. Të gjithë shokët e veçanërisht shoku Xhako, në këtë çështje kanë gabuar. Shoku Xhako, duhesh ta shpëtonte atë shoqe, por as në mendimet dhe as në vendimet e tij s’ka qenë i drejtë.
Në raportin e tij që bën, jo vetëm që nuk shohim nga ana e tij as më të vogëlën tentativë që ta këshillojë e ti tregojë rrugën e mirë por ka guximin të thotë se e ka bërë këtë gjë pse ka pas frikë se mos e vrisnin.
Nuk është nevoja, shoku Nako, që në konferenca të theksohet çështja e Ramizes, por të flitet në përgjithësi dhe s’duhet të ndalesh shumë nër “ç’do të thonë bota për ty ose për vendimin që është marë kundër saj; dua të them për sa na shkruaje në letrë ku na përcaktoje pozitën tënde në kë çështje. Ty shko përpara në punë dhe në jetë si një komunist i vërtet dhe si një udhëheqës.
Të përqafoj
Taras
Më 4 Prill 1944
Halimin se kemi këtu, ka shkue të rregullojë dhëmbët se i kanë rënë fare, kur them fare, fare; dhe është bërë si ata kuejt pleq.
Nga letra autokritikë e Xhakes (Ramadan Xhangollit)
III) Per Pushkatimin e Ramizese. Njohja dhe çmimi qe kishja per te si shoqe shume e mire dhe si gruaja e nji shoku te mire dhe lehtësimet qe ju kishja bere, kur ata kane pasur nevojen time, kur pashe qe ajo ngatërrohesh me nji tjeter, ma humpen durimin dhe gjykimin si Komunist, per te marre masat e para dhe e dyta te mos inziztoj me kembe ngulje ne gjyq per evitimin e denimit me vdekje, dhe propozimin qe bera per ta derguar K.Q.P. nuk e bera pse ndienja pa fajsin e shoqes, por me teper perte mos marre nji pergjegjsi per siper, nga kjo baze e kalbur niset propozimi tim para gjyqit.
Kem qene i bindur per denimin deri sa me eshte skjaruar kjo pune nga shoket e Q.P. Tash e kuptoj se kjo pergjegjsi rendon veçanërisht mbi mua. Ndiej dy gjera ne ndërgjegjen time: Humbjen e nji shoqe te mire dhe qe une e donja me shume se çdo shoqe tjeter, marrja time pjese ne denimin e saj.
Me e keqja eshte se as njeren nga keto gjera nuk e kam konstatuar vete, por vetem atehere kur me eshte hequr vërejtja nga Partija, ose kur me eshte skjaruar mire mire puna. Kjo tregon mos pjekurine time dhe mungesen e nji zhvillimi, pse qe te bejsh gabime dhe ti pranojsh keto kur te vihen ne dukje, eshte nji mungese mjaft e madhe sidomos per gjera qe nuk kthehen me si ajo jeta e nji njeriu.
Me gjith se i vjeter ne punen Komuniste, zhvillimi tim ka qene shume i kufizuar, çdo pergjegjsi qe me eshte dhene nga Partija me ka bere te mendohem per nji moment, duke e ndire vehten jo te afte per ta kryer, duke e ndier vehten inferior, por besimi qe kam pasur ne Partine me ka bere te kem kurajo, dhe kam punuar mbrenda atyre mundesive te mija te ngushta. Gjithe keto gabime (per hesapin timshume te renda) me bejne qe ti ve punes kujdesin me te math dhe te mos bie me ne te tilla gafe, vetem nji gje e ndiej shume te nevojshme qe te kem ndihmen e Q.R. dhe ate te Partis e per te shkuar me mire ne pune.
Ja vë në dijeni Q.R. këto gabime që të kenë kujdes për punën time tash e tutje. Jap fjalën se jo vetëm nuk do të përsëriten gjëra të tilla, por shpresoj se kjo eksperiencë e hidhur do të jetë një mësim për mua.
Të fala shoqërore
Xhaka
V.F.L.P.
15 Prill 1944
Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)