Letrat e panjohura: Haki Stërmilli
nga burgu, i lutet Zogut për mëshirë

Letrat e panjohura: Haki Stërmilli<br />nga burgu, i lutet Zogut për mëshirë
TIRANE- Dy letra me shkrim dore të Haki Stërmillit, nisur mbretit Zog dhe Nënës Mbretëreshë nga burgu, ku ai vuante dënimin e tij si i burgosur politik, zbulojnë dhe faktojnë një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij jo shumë të njohur. Ato zbulojnë periudhën kur ai ishte i burgosur nga mbreti Zog, me të cilin dikur kishte qenë mjaft i afërt si mësues i motrave të tij, që më vonë do të bëheshin princeshat e ardhshme të vendit, e që më pas për shkak të bindjeve të tij të majta dhe përfshirjen në ngjarjet e vitit 1924 do të shndërrohej në një kundërshtar politik të Zogut.  
 
Letrat flasin për kohën kur Haki Stërmilli ishte i burgosur politik i mbretit Zogut dhe shpresonte të fitonte lirinë me nëj manisti nga mbreti. 
Letra e parë mban datën 29 gusht 1929 dhe i drejtohet vetë mbretit Zog. Ndërsa Shqipëria kishte thuajse një vit që ishte shpallur monarki, në prag të festimit të përvjetorit të parë të vendosjes së regjimit të ri, Stërmilli dukej kishte shpresë të përfitonte një amnisti.

Ndërsa letra e dytë është shkruar thuajse një muaj më vonë me 8/10/1929 dhe është një urim që ai dhe gjithë të burgosurit e tjerë politikë dhe ata të dënuar për krime ordinere, i drejtonin nënës mbretëreshë, urimet për ditëlindjen e djalit të saj, mbretit Zog.

Letra e parë 
Naltmadhënisë Tij
Mbretit të Shqiptarëve Zogu I
Durrës
29/VIII/29
Lutemi nxehtësisht që të keni mëshirë me na e falë lirin me rastin e festës së aniversarit të çpalljes së regjimit tonë në monarki dhe të nderimit të fronit të Skënderbeut me naltmadhnin Tuej.
Në emën të burgosunve për faje politike dhe ordinere
Haki Stërmilli Jahja Ndroqi
 
Letra e dytë
 
Madhnis saj!
Nanës Mbretneshë,
Tiranë
Me rastin e lindjes së mbretit që i ndroj fletët e istoris dhe i hapi kombit një perjudhë të lumnueshme, Ju paraqisim përgëzimet tona tue urue jetë të gjatë për gjithë personat e familjes Mbretnore
Gjithë të burgosunit politik e ordiner
Stërmilli
Shala
…(vijojnë firmat)

Të dyja këto letra dëshmojnë gjendjen e rëndë shpirtërore të shkrimtarit, i cili në letër shpreh adhurim e përulësi pikërisht ndaj kundërshtarit që e ka burgosur, duke shpresuar se po prej tij do t’i vinte falja.  
Letrat ruhen në AQSH në fondin personal të Ahmet Zogut.
 
Nga mësues i princeshave, i burgosur politik i Zogut
Në fillim sekretar nënprefekture në Mat e më pas në 1918 zëvendës nënprefekt, Haki Stërmilli kishte një marrëdhënie pozitive me Ahmet Zogun në fillimet e njohjes së tyre. Ai ishte mësues i motrave të shumta të tij, princeshave të ardhshme të Shqipërisë, ndaj njohja ishte në plan familjar. Më pas, në 1920 Haki Stërmilli u emërua sekretar i Ministrisë së Brendshme në Tiranë, dhe shumë shpejt u bë armik i betuar i Zogut.

Së bashku me Avni Rustemin, Stërmilli themeloi më 1922 shoqërinë demokratike 'Bashkimi', e cila pati përkrahje të gjerë në atë kohë, kur mbizotëronin trazira politike. Pasi Zogu, arriti më në fund të marrë fuqinë pas rënies së qeverisë së Fan Nolit më 1924, Haki Stërmilli u shtrëngua të largohet nga vendi, sikundër edhe shumë intelektualë dhe demokratë të tjerë. Por pas një viti në Itali e në Francë, Haki Stërmilli vajti në Bashkimin Sovjetik, ku gjatë katërmbëdhjetë muajve të qëndrimit atje, u takua me Ali Kelmendin e me brezin e parë të revolucionarëve komunistë shqiptarë, që studionin atje. Nga Bashkimi Sovjetik vajti në Austri dhe bashkëpunoi në Vjenë si gazetar dhe veprimtar politik kundër regjimit të Zogut në Shqipëri.

Më 19 mars 1929, Stërmilli u kap nga policia jugosllave dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare, një akt ky që shkaktoi protesta energjike në qarqet e majta në Evropë. Por edhe pse shumë mbështetës ndërkombëtarë dërgonin protesta, të firmosura ndër të tjera nga shkrimtari Henri Barbusse, Albert Einstein, filozofi gjerman Theodor Lessing, etj, për lirimin e Stërmillit, ai u dënua në fillim me pesë vjet burg, kurse në gusht 1935 me një afat të dytë burgimi.

Në këtë moment të jetës së tij, nuk gjen shumë të dhëna për aktivitetin, dhe as për vuajtjen e tij si i burgosur politik, madje as për rrethanat e lirimit të tij, ndërsa më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore, emri i Haki Stërmillit haset shpesh në dokumentet e Luftës si pjesmarrës në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, ku edhe kryesoi Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Nacionalçlirimtar në krahinën e vendlindjes Dibër.

Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, Stërmilli u zgjodh anëtar i Kuvendit Popullor. Në tetor 1946 u emërua gjithashtu drejtor i Bibliotekës Kombëtare, kurse në tetor 1949 drejtor i Muzeut të Luftës Nacional Çlirimtare. Haki Stërmilli vdiq më 17 janar 1953 pas një sëmundjeje të gjatë, duke mbetur autor i tre romaneve, mbi tridhjetë tregimeve, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe dhjetëra artikujve nëpër gazeta
 
 DOKUMENT
 
 
 
ZOGU























































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 01 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Numërohen kutitë e para, kandidatja e VMRO-DPMNE udhëheq bindshëm

Maqedoni e Veriut/ Numërohen kutitë e para, kandidatja e VMRO-DPMNE udhëheq bindshëm