Letrat ku diktatori Hoxha jep
urdhra gjyqesh dhe ekzekutimesh

Letrat ku diktatori Hoxha jep<br />urdhra gjyqesh dhe ekzekutimesh
Një grusht dokumentesh nga vitet e luftës, që ruhen në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit, dëshmojnë krimet, prapaskenat dhe eliminimet e bëra nga krerët komunist përmes gjyqeve ushtarake.
Gazeta sjell sot letrën e Enver Hoxhës, të datës 24 mars 1944, drejtuar Tuk Jakovës, ku pasi e lëvdon dhe e përgëzon për sukseset e Brigadës së Parë shprehet hapur për eliminimin e kundërshtarit të rreptë të tyre në zonën e mokrës Tele Baçi.

Hoxha jep urdhër të gjendet me çdo kusht ai dhe të arrestohet, ti bëhet gjyqi dhe të pushkatohet. Por ajo që e zbulon gjithë dimensionin kriminal në këtë rast është fallsiteti i këtyre gjyqeve, që përdoreshin si një formë ligjore për të ekzekutuar gjithë kundërshtarët politik.

Pasi jep urdhrin e hapur për pushkatim dhe instrukton se si duheshin kapur nji nga nji gjithë miqtë dhe mbështetësit e kundërshtarit (Tele Baçi) Enver Hoxha jep instruksione edhe për gjyqin, personin që do të dilte si akuzator dhe se si të përgatiteshin akuzat.

“Passi t’i pregatitni ju akuzat kundër tele Baçit, dyke u informuar dhe prej Misto Treskës, t’ja dorëzoni shokut Panajot Plakut i cili të jetë akuzatori i Teles në gjyq”, instrukton për këtë plan eliminimi Enver Hoxha.

Veç kësaj letre sjellim edhe një grup telegramesh e radiogramesh, ku artikulohen urdhra për gjyqe ushtarake dhe eliminime.
Dokumentet janë zbardhur sipas origjinalit që ruhet në disa dosje arkivore të fondit 14 në AQSH. 
 
Letër e Enver Hoxhës për Tuk Jakovën
KOMITETI QENDROR I PARTIS KOMUNISTE SHQIPTARE
Më 24 Mars 1944
Nr. 73
Shokut TUK JAKOVA
Komisari Politik i Brigadës së Irë sulmuese
 
I dashuri shok Tuku,
Po bëhet një kohë e gjatë së s’jemi parë dhe s’kemi patur rasti të bisedojmë, por për së shpejti do të organizojmë një mbledhje të Komitetit Qendror ku do të rafim gjer e gjatë çështjet. Për këtë do të të lajmërojmë me kohë që të ndodhesh në ditën dhe në vendin ku do të caktohet mbledhja.

Sukseset e korura nga Brigada e Irë, jo vetëm që na kanë gëzuar pa masë, por na kanë forcuar bindjen se ajo brigadë dita ditës po bëhet një repart ushtarak që do të jetë një nga armët e shëndosha të së nesërmes për realizimin e programit t’onë maxima. Jemi të bindur nga ana tjetër se ti, si anëtar i Komitetit Qendror, ke kurdoherë parasysh që nga ajo Brigadë ushtërija e jonë pret kuadro të shëndosha, të regjura në luftë e në përpjekje dhe Partija e jonë shokë organizatorë dhe udhëheqës që të ngre në nivelin e Brigadës së Irë repartet e tjerë të ushtëris s’onë Nacional-çlirimtare.

Duhet të keç synë dhe të japsh maksimumin në ngritjen e partis në Ushtëri ashtu dhe në ato të terenit. Të kini kujdesin më të madh që puna organizative dhe politike që bëhet prej Brigadës së Irë nër terrenet e ndryshme që kalon, të jetë një punë e shëndoshë dhe e durueshme, të jetë baza e shëndoshë e pushtetit t’onë ku shokët e terenit do të kalojnë dhe do ta forcojnë de ta zgjerojnë. Zhvilloni nër shokët e Brigadës dhe në gjithë popullin dashurin për Partinë Komuniste dhe kudo e në ç’do rast të popullarizoni atë si shtyllën e luftës Nacional Çlirimtare, si të vetmen udhëheqëse të popullit drejt fitorjes.

Të popullarizohet kudo Bashkimi Sovietik dhe Ushtërija e Kuqe dhe fitoret e saj të shkëlqyera, ku do të flitet për shokun t’onë të madh STALIN.
Shokët e Brigadës duhet t’i mësoni të durojnë me vuajtje, ata të mos kënaqen me sukseset e korura të deritashme, ata të ndjejnë se para tyre shtrohen detyra të mbëdha, dhe rruga që do të kalojnë do të jetë e vështirë, përpara do të gjejnë vështirësira, do të gjejnë luftime edhe shumë më të ashpëra se ato që kanë bënë. Të ngrini në kulm, nër zemrat e partizanëve urrejtjen për okupatorin dhe reaksionarët vegla të armikut gjerman, dhe lufta kundër këtyre të bëhet e ashpër dhe e pa prerë.

Në lidhje me situatën e Mokrës dhe në bazë të raporteve të ndryshme që na kanë ardhur nga shokët e terenit si edhe nga ty duhet pa tjetër që t’i japim fund manevrave dhe tradhtive të Tele Baçit. Tele Baçin duhet ta arestoni, t’i bëni gjyq dhe ta pushkatoni. Gjyqi i Brigadës të bëhet i hapët dhe akuzat t’i bëhen të shëndosha prej një shoku të formuar që kiartë të vërë në dukje përpara popullit të gjitha tradhëtit e tij dyke filluar që nga manevra e përpara reaksionit, për deklaratën që ka bënë, dhe për qëndrimin e tij tradhtar në kohën e sulmit gjerman, ku nga qëndrimi i tij na u vranë një numër i madh shokësh nga Batalioni i 6 dëshmorëve etj. Një nga akuzat që do t’i bëni është dhe vrasja prej tij ose prej njerëzve të tij, të atij ballisti që fali Gjyqi i Brigadës si pas dëshirës së popullit.

Më parë se të ekzekutohet të meren masat e rastit e sidomos në batalionin Reshit Çollaku ku ndodhen të bijt e tij dhe mundësisht njerz të influencuar prej tij. Të meren masa sigurimi dhe vëzhgimi kundër miqve të Teles që ndodhen në Çezmë dhe të kihet kujdes që të goditet pa mëshirë organizimi eventual i ndo një çete kriminale prej këlyshëve të Teles. Pa humbur kohë, pas ekzekutimit të tij të emnohet komandant i Batalionit Reshit Çollaku Ziko Kalivaçi. Të këshilloç, Komisarin e atij Batalioni, Misto Treskën që të tregojë gjallëri në punë dhe të mos flerë e sidomos pas këti gjyqi i cili do të shkaktojë një farë lëvizje në Mokër. Pas ekzekutimit të tij të organizoni disa konferenca në popull e në batalionin Reshit Çollaku, për të demaskuar Telen dhe tradhëtit e tij.

Shumë të fala shoqnore
P.S.
Passi t’i pregatitni ju akuzat kundër tele Baçit, dyke u informuar dhe prej Misto Treskës, t’ja dorëzoni shokut Panajot Plakut i cili të jetë akuzatori i Teles në gjyq.
 
 
Radiogrami 1
 
No 44 datë 10-XI-44
  Daliuit.
   Qëndrimi karshi tradhtarve dhe kriminelve që kapen ose dorzohen të jetë i ashpër dhe aspak familiar, ata duhet të ndjejnë me njiherësh se janë në dorën e gjyqit. Ndalohet rreptësisht qëndrimi i tyre i çlirët nër fshate dhe bisedimet me këdo. Ata duhet të burgosen dhe të ruhen me roje.

T’u merret nga një proçes-verbal dhe kur të shoqrohen nga nji vend në tjetrin të lidhur dhe të shoqruar fort. Proçes-verbalet e tyre të na i përcillni. Asnji s’duhet të pushkatohet, asnji s’duhet t’u shpëtoj pyetjeve dhe betimeve nga ana e juaj. Çdo informatë për ta të na i dërgoni.
Enver.
 
 
Radiogrami 2
No 9 datë 12-IX-44

Të mbahen lidhjet fort me repartet që keni nën komandë. Në rast sulmi mbi Tiranën, i cili duhet të jetë i rrufeshëm, për këtë gjë duhet të kini futur radion mbrenda që t’u ndihmojë me informacione, repartet që sulmojnë duhet të vihen nën urdhrin direkt të Korpusit. Brigada XV-të dhe VII-të inkuadrohen në divizion. Të goditen grumbullimet e reaksionarëvet. T’u bëhet thirrje për dezertim duke mos qenë sektarë. Në rast se doktor Rasha ka prova si fajtor i madh e ekzekutoni, për ndryshe e drejtoni këtu me roje të sigurtë.

(vazhdon)
 
 
Telegram 1
Shtabit Zonës së I-rë Operative.

Mbrojtja e Gjirokastrës. – Duhet të mirren të gjitha masat për mbrojtjen e qytetit:
Të bëhen llogore e mbrojtje prej gurësh gjat bregut të Kordhocës dhe të zgjaten këto mbrojtje gjat malit të Thatë në mënyrë të atillë që të lehtësohet mbrojtja e Gjirokastrës nga një atak me drejtim prej Gjergucatit ose prej Sopotit. Për këto punime të mobilizohet populli e sidomos ay i Lazaratit dhe i Dropullit; të prishen urërat e vogla që janë në rrugën GjergucatpGjirokastër dhe me çdo mënyrë të bëhet e papërdorshme kjo rrugë.

Të vendosen në pizicione të pregatitura mirë në kodrat e Kordhocës mortajo dhe një top antitanks. Pozicioni i këtij topi, duhet të jetë i atillë që ta goditë rrugën për së gjati. Të transportohet topi 75/13 që është në lekël në kodrat e Doftisë, ky transportim duhet të bëhet edhe në qoftë se nuk keni municion për këtë top. Të jepen instruksione artilierëvet që do të përdorin këtë top se nuk do të qëllojnë kurrë objektivat që do të gjenden në xhade mbasi këto do të qëllohen prej topit antitanks të Kordhocës.

Detyra e këtij topi do të jetë që të qëllojë anash forcat armike që eventualisht do të shtrihen në malin e gjerë mbi Dropull për të goditur krahun e djathtë të mbrojtjes së Gjirokastrës. Pozicioni i këtij topi të lidhet me telefon me Komandën e mbrojtjes së qytetit. Në qoftë se nuk keni tel telefoni të veshur për këtë vijë lajmëronani t’u dërgojmë.
Të pregatitet fusha e aviacionit për zbritje aeroplanash dhe të na lajmëroni porsa të jetë gati.
Të lidhet urgjentisht vija telefonike Lunxhëri-Gjirokastër e Gjirokastër-Tepelenë.

Të pranohet Këshilla që është zgjedhur në Gjirokastër në Shtator 943 duke u spastruar nga gjithë elementat që nuk kanë qëndruar mirë gjat okupasionit. Të organizohet sa më para Komanda e Vendit. Të mos organizohet më batalioni territorial i Gjirokastrës por të thërritet populli për mobilizim në ushtërin Nacional-Çlirimtare. Të thërritet populli i Lazaratit të mobilizohet në ushtërin t’onë dhe të gjithë ata që nuk mobilizohen të çarmatosen. Të mobilizuarit e ri qofshin Gjirokastritë qofshin Lazaratas të transferohen në Brigadën e VIII në Berat.
Të arrestohen të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe që kanë terrorizuar popullin dhe të shoqërohen në një burg provizor në Lunxhëri. Të formohet një komision me elementa të frontit që të përmbledhë dokumentat për përgjegjësin e të arrestuarve dhe kur do t’i keni të gjitha këto dokumenta të arrestuarit të çohen në Gjirokastër për t’u gjykuar. Udhëzimet për formimin e gjyqit do t’u dërgohen më von.

Të lajmërohen tregtarët se janë të lirë të ushtrojnë tregtin e tyre në zonat e lira. T’i shpjegohet atyre se rrugës ata kanë sigurin më të madhe si për jetën e tyre ashtu edhe për plaçkën e tyre. Të lajmërohen zonat e pasura në bereqet që u çlirua Gjirokastra dhe që mund të vinë për treg. Të udhëzohet këshilla e qytetit që plaçka e ardhur në treg të mos lejohet të blehet me shumicë por të caktohet maksimumi që mund të blejë çdo familje.  
 
Telegram 2
Shënim.
Komandës Qarkut Korçës.

Tushi Topalli të paraqitet në gjyqin e komandës tuaj. Lajmëroni Shtabin e Brigadës Maqedonase se mbasi ai ka bër faje edhe në Shqipri do të gjykohet prej jush. Kërkoni prej asaj Brigade akuzat dhe faktet që kan për të. Veshmbathje s’ka.
V.F.L.P.                                   Komandanti Xheneral
20-X-44                                        Enver Hoxha
U dha 20/X/44
 
letra dikatatorit


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi

Media greke shkrim racist për shqiptarët: Imagjinoni të festonim ne kështu në mes të Tiranës, nuk respektojnë as bukën që hanë në Greqi