Kryeministri i sapo emëruar Enrico Letta mund të ketë përfunduar rrugën për formimin e qeverisë së re të aq shumë pritur në Itali. Mediat italiane bëjnë të ditur se nesër ekzekutivi i ri mund të kapërcejë etapën e parë të besimit në Parlamentin Italian.

Zëvendës Sekretari i Partisë Demokratike Letta tha se qëllimi i tij ishte për të krijuar një qeveri të matur e përbërë jo vetëm nga politikanë por edhe profesionistë e teknikë të fushave të ndryshme.
Pas takimit me dyer të mbyllura me presidentin Giorgio Napolitano, Letta tha se si Kryeministër do të synojë të ndryshojë shtegun e shkurtimit të shpenzimeve në rang europian.

Palët e ndryshme nga i gjithë spektri politik Italian kanë bërë të ditur se tashmë janë të gatshëm të krijojnë një qeveri nën udhëheqjen e Lettas me përjashtim të Lëvizjes 5 Yje ku lidëri i saj Beppe Grillo nuk resht së kritikuari.
Ndërkohë lideri i qendrës së djathtë Silvio Berlusconi është shprehur optimist duke thënë se shikoj një sjellje pozitive nga ana e Lettës.

Qeveria e re pritet të përpiqet të zbatojë një sër reformash ekonomike dhe institucionale ku mes prioriteteve, do të jetë edhe ndryshimi i ligjit aktual elektoral për të siguruar se zgjedhjet e ardhshme do të japin një rezultat më të qartë dhe do të krijojnë një mazhorancë më funksionale.


(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)