Në 80-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, Partia Demokratike ka zhvilluar një aktivitet përkujtimor në nderim të personave që morën pjesë në revoltën e 9 shtatorit 1946 kundër regjimit komunist.

Gjatë ceremonisë u vu në fokus kujtesa për viktimat dhe të përndjekurit politikë, ndërsa Postriba u cilësua si një simbol i qëndresës ndaj diktaturës dhe i përpjekjes për liri e demokraci.

“Kryengritja e parë antikomuniste në të gjithë Europën e Lindjes”, e cilësoi Bardh Spahia, duke theksuar se 33 persona u vranë e pushkatuan pa gjyq, ndërsa qindra të tjerë u burgosën dhe internuan.

Ndërsa Kliti Hoti kërkoi që sakrifica e kryengritësve të ruhet në kujtesën kombëtare dhe të përcillet te brezat e rinj.

“Ceremonia e sotme nuk është vetëm një detyrim ndaj të kaluarës, por është edhe një porosi e madhe për të ardhmen. Demokracia nuk mund të ndërtohet mbi harresë. Një shoqëri që nuk përballet ndershmërisht me diktaturën e saj rrezikon të relativizojë krimet e saj dhe të mohojë për brezat e rinj, kuptimin e vërtetë të lirisë’, u shpreh ai. 

Kjo ngjarje u përkujtua edhe nga lideri i PD, Sali Berisha, i cili vijon vizitën e tij në SHBA, por ka ndarë një postim në rrjetet sociale.

“Postriba është dëshmi e gjallë se liria nuk mund të shuhet me terror dhe se një komb nuk mund të mbahet përgjithmonë i nënshtruar. 80 vite më pas, kujtimi i tyre mbetet një thirrje për të mbrojtur demokracinë, shtetin ligjor dhe dinjitetin njerëzor”, shkroi ai.

Kryengritja e Postribës, e zhvilluar më 9 shtator 1946, konsiderohet si një prej akteve të para të organizuara të rezistencës kundër regjimit të diktaturës në Shqipëri. Pas shtypjes së saj, autoritetet e kohës ndërmorën masa të ashpra ndëshkuese ndaj pjesëmarrësve, me arrestime, dënime dhe pushkatime.