Glauk Konjufca është kandidati zyrtar për President i Propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Partia e Albin Kurtit njoftoi publikisht pas disa takimesh me partitë politike se do të propozojë Minsitrin aktual të Jashtëm për të zëvëndësuar Vjosa Osmanin.
Vetëvendosje në një njoftim thotë se partitë e opozitës nuk propozuan asnjë emër gjatë takimeve të ditëve të fundit dhe me dështimin për të arritur një marrëveshje, VV propozoi emrin e Konjufcës për President.
Partia qeverisëse në Kosovë, thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të askujt, ndërsa nuk përmend në asnjë moment Vjosa Osmanin e cila kërkoi mbështetjen për një mandat të dytë.
Sot në orën 19:00 do të mbahej seanca e posacme për votimin për Presidentin, pasi nesër skadon afati për kryerjen e procedurave, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu deklaroi se nuk mund të thërriste seancë parlamentare pa pasur 2 kandidatë për President. Pra duhet edhe një kandidat i propozuar nga partitë opozitare, të cilave Kurti u ka bërë thirrje që të dalin me një emër.
Seanca për presidentin përcakton që të ketë të pranishëm të paktën 80 deputetë ndërsa votimi për kandidatin mund të zhvillohet në 3 raunde. Në dy raundet e para kushtetuta përcakton se kandidati votëbesohet me 80 vota ndërsa në raundin e 3-të ai mund të miratohet më një shuymicë prej 61 votash.
Vetëvendosje ka 57 deputetë në parlament dhe së bashku me pakicat joserbe në parlament, me të cilat miratoi qeverinë e re, mund të arrijë deri në 66 vota. Të mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri.
Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:
Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës. Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.
Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit.
Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar.
Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.
Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.
Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar.
Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara.
Hykmete Bajrami
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e akuzuar se po manipulon situatën politike në Kuvend.
Në një postim publik, Bajrami tha se shumica parlamentare i ka votat e mjaftueshme për të propozuar dy kandidatë për president, por po kërkon që një kandidat të vijë nga opozita. Sipas saj, kjo është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për të krijuar presion ndaj partive të tjera.
“Mashtrues, 66 vota i keni, sa herë është zgjedhë presidenti, edhe kundërkandidatin e ka propozu partia prej të cilës ka ardhë presidenti, pra 66 deputetë mund t'i bëjnë lehtë nënshkrimet për dy kandidatë. Por, ju e dini mirë se kurrë president pa marrëveshje ose koncensus nuk është zgjedhë. Prapë po doni me lujtë me kartën e përgjegjësisë a? Jo kesaj here nuk ka me ju ecë. Jeni në ramje të lirë, sot edhe ata që ju kanë votu me 28 dhjetor i keni kundër. Sa ma lart ngjitesh, ramja dhemb më shumë, por në rastin e juaj ramja është e domosdoshme, sepse ju jeni abuzues të vullnetit të popullit" ka shkruar ajo.
Avdullah Hoti
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se vendi po shkon drejt një tjetër krize politike për shkak të mënyrës si po trajtohet procesi për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po vepron pa marrëveshje politike dhe me një kandidat që nuk i ka votat e nevojshme, gjë që sipas Hotit mund të çojë në zgjedhje të reja.
“Sot, me veprime të njëanshme pa asnjë lloj marrëveshje politike, e me një kandidat për President që nuk i ka votat e mjaftueshme, Kurti sërish po e rrëzon qeverinë që e udhëheq dhe po shkakton zgjedhje të reja. Kjo sjellje nuk ka lidhje me interesin e qytetarëve, por bëhet vetëm për kalkulime politike. Sot, qytetarët po e kuptojnë qartë se, sikurse në vitin 2020, kriza nuk është për çështje parimore, por për interesa meskine politike. Skenari i Kurtit është i njëjtë si gjithmone: polarizim, imponim dhe pastaj zgjedhje. Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, ka nevojë për konsensus për çështje madhore dhe për stabilitet institucional. Çështje madhore janë të gjitha ato çështje që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, siç është zgjedhje e Presidentit. Faturën e veprimeve të papërgjegjshme e paguajnë qytetarët dhe gjithë shteti i Kosovës”, tha Hoti.

Kreu i PDK-së Bedri Hamza
Partia Demokratike e Kosovës thotë se vendi po shkon drejt një krize të re institucionale për shkak të mënyrës si po vepron shumica parlamentare në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në një reagim publik, PDK shprehet se situata është krijuar nga papërgjegjshmëria e shumicës dhe nga, sipas saj, mungesa e gatishmërisë së kryeministrit Albin Kurti për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes partive.
“Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve. Përkundër mandateve që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik. Në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit. Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar gjatë gjithë këtij procesi me maturi dhe përgjegjësi politike. Ne kemi marrë pjesë në konsultime, kemi hequr vijat e kuqe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional. Si kontribut për stabilitetin, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh politik opozitar kemi kërkuar që të zgjidhet një President i propozuar nga PDK-ja, si mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme” thuhet në komunikatë
Në fund të reagimit, PDK thotë se përgjegjësia për situatën aktuale i takon shumicës parlamentare.
“Fatkeqësisht, të gjitha këto mundësi u refuzuan. Përgjegjësia për situatën e krijuar dhe për pasojat që mund të sjellë bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që e kanë mandatin për ta qeverisur vendin. Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe lidership që vendos interesin e shtetit mbi interesin partiak”, thuhet në reagim.

Thirrja e seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka dështuar. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha në një konferencë për shtyp se thirrja e seancës për zgjedhjen e presidentit, kërkon të paktën dy kandidatë në garë.
“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.
Siç raportojnë mediat e Kosovës, Haxhiu ka thënë se deri në këto momente është propozuar vetëm një kandidat për president dhe ai është Glauk Konjufca. Sipas saj, Konjufca është propozuar me nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietknik.
Haxhiu u bëri thirrje gjitha partive politike që të marrin përgjegjësitë që u takojnë duke bërë të qartë se afati i fundit për t’u thirrur seanca është 5 marsi.
“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 ditë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu në konferencë për media.

Lumir Abdixhiku
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nuk po përpiqet seriozisht për gjetjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
"Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore", thuhet në deklaratën e LDK-së.
Sipas LDK-së, konsensusi nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata.
"Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar. Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional", thuhet në komunikatën e LDK-së.
Sipas LDK-së mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit
"Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë",thuhet në deklaratën e LDK-së.
Komente









