Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se më 7 qershor, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numrin 116, që e mbante edhe në zgjedhjet e kaluara.
Në postimin në rrjetet sociale, ai vë në kontrast këtë detaj me aspiratën për të marrë tashmë 60% të votave, ndryshe nga 51.1% që mori më 28 dhjetor.
“Numri ynë në zgjedhjet e 7 qershorit, është i njëjtë me numrin që patëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, pra 116.
Ajo që do të ndryshojë këtë herë është përqindja e votave, nga 51.1% sa ishte në dimër, tani do të jetë 60%, ndoshta edhe më shumë.
Para qytetarëve të Lipjanit, të cilët nuk do ta ndërrojnë dorën më 7 qershor, fola për ligjet që kemi miratuar për pak javë si Qeveri Kurti3.
Ligjin për çmimet tavan për produktet bazë e votuam në të dy leximet, dhe ashtu siç e premtuam e bëmë edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit, gjithashtu e kemi votuar edhe buxhetin prej 4 miliardë euro”, shkruan Kurti.
LVV-ja ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.
Afrimi më i rëndësishëm i prezantuar nga Kurti është Krenare Çerkini, të cilën ai e përshkroi si profil akademik me përvojë ndërkombëtare në arsim dhe rini. Përtej saj, LVV nuk pati lëvizje të tjera publike.
Komente










