Një zinxhir dështimesh të institucioneve që duhej ta mbronin Arlinda Zekajn i parapriu vrasjes së saj në Pejë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi krimin si një tragjedi të paralajmëruar, duke theksuar se denoncimet e vazhdueshme të 49-vjeçares nuk morën përgjigjen e duhur nga policia dhe drejtësia.

Në mbledhjen e Qeverisë, këtë të mërkurë, Kurti kërkoi që të identifikohen të gjitha përgjegjësitë institucionale që mund të kenë çuar në mosparandalimin e vrasjes.

“Arlinda u vra para shtëpisë nga kunati. E mbrëmë, pak para mesnatës, është arrestuar edhe dorasi i cili ishte në arrati. Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt nuk kishte se si të përfundonte ndryshe. Dhe kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë afat deri të enjten, më 29 tetor, në orën 18:00, për të dorëzuar raportet e detajuara mbi veprimet dhe mosveprimet e secilës hallkë institucionale që kishte trajtuar rastin e Arlindës.

“Tash, kur po flasim, kanë mbetur edhe 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e atij raporti, të cilin sigurisht që do ta ndajmë me publikun. Nesër mbrëma, para orës 18:00, i pres raportet”, tha kryeministri.

Kurti kritikoi ashpër edhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ai shpesh nuk arrin të mbrojë qytetarët më të pambrojtur.

“Por në Kosovën tonë, dhe ndoshta jo vetëm në Kosovë, drejtësia fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi, drejtësia shpesh ka dalë në krahun e të fortit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë disi e shtrembër. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe kur peshoren e justicjas, zonjës së drejtësisë, e kanë çaluar kah i fuqishmi dhe i pasuri, ia kanë zbuluar njërin sy për të parë se kah të peshojë drejtësia. E natyrisht, shpata mandej nuk ka për t’i rënë asnjëherë krimit e kriminelëve, por do të bie gjithnjë mbi të dobëtin, të varfërin dhe të pafuqishmin. Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha ai.

Sipas Kurtit, vendi nuk ka më nevojë për prova të tjera për të kuptuar se reforma në drejtësi është një urgjencë kombëtare.

Deklaratat e kryeministrit vijnë tri ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që kishte denoncuar vazhdimisht kërcënimet e ish-bashkëshortit, Jeton Sylaj.

Vetëm pak orë përpara se të vritej, ajo kishte shkuar sërish në polici dhe kishte pyetur: “A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni?”.

Arlinda kishte një urdhër mbrojtjeje dhe një vendim gjykate që i njihte të drejtën të qëndronte në banesën e përbashkët. Megjithatë, ajo kishte paralajmëruar se nuk ndihej e sigurt.

“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime”, kishte deklaruar 49-vjeçarja në denoncimin e fundit.

Mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi policia e shoqëroi në shtëpinë e saj në Vitomiricë, Arlinda dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati, Albert Sylaj.

Pas dy ditësh në arrati, i dyshuari u arrestua nga Policia e Kosovës në Deçan, pak para mesnatës së 27 tetorit.

Vrasja ka shkaktuar zemërim dhe protesta në Kosovë, ndërsa për këtë të mërkurë është thirrur një tjetër protestë kundër dhunës ndaj grave. Arlinda është gruaja e tetë e vrarë në Kosovë gjatë këtij viti.