Ronald Araujo është lojtar i Liverpoolit. Ylli i Barcelonës ka përfunduar transferimin në formë huazimi për një sezon në 'Anfield', pasi dy klubet kanë arritur marrëveshje për mbrojtësin uruguaian.
Sipas gazetës spanjolle 'Mundo Deportivo', Liverpooli do të mbulojë të gjithë pagën e lojtarit gjatë periudhës së huazimit dhe do të ketë një opsion për ta blerë përfundimisht Araujon në fund të sezonit. Të dyja klubet dhe lojtari dhanë miratimin përfundimtar për marrëveshjen pasi drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, dha dritën jeshile.
Agjentët e Araujos mbërritën në Barcelonë të premten pasdite dhe e përmbyllën transferimin brenda pak orësh. Kontrata e tij me Barcelonën është e vlefshme deri në vitin 2031 dhe ai nuk ka ndërmend të largohet përfundimisht nga klubi katalanas.
Mbrojtësi do t’u japë lamtumirën shokëve të skuadrës këtë mëngjes, përpara se ekipi të udhëtojë drejt Italisë për një ndeshje miqësore me formatin triangular kundër Udineses dhe Nottingham Forest, si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri.
Prapaskenat - Ajo që e shtyu të largohej ishte një bisedë tronditëse me Hansi Flick. Pas asaj bisede të sinqertë, uruguaiani vendosi të kërkonte më shumë minuta loje larg 'Camp Nout'. Takimi ishte planifikuar në momentin kur ai të kthehej nga faza përgatitore.
Trajneri Flick i konfirmoi atij atë që drejtori sportiv i kishte thënë agjentit të tij që në maj, plani për këtë sezon ishte që Araujo të qëndronte në të njëjtin pozicion në repartin e mbrojtjes, me minuta të kufizuara dhe një rol kryesisht dytësor.
Araujo e pranoi situatën dhe vendosi të largohej në kërkim të një alternative që do t’i ofronte më shumë mundësi për të luajtur. Liverpooli, një prej klubeve më të mëdha të Premier Leagues në Angli, e kishte ndjekur prej vitesh mbrojtësin uruguaian dhe më në fund arriti ta transferonte.
Kapiteni i Barcelonës do të udhëtojë drejt Anglisë gjatë fundjavës për të nisur një kapitull të ri në Premier League.
Ronald Araujo




Komente
Komento