TIRANË- Ministrja e Inovacionit dhe të Administratës Publike, Milena Harito i ka kthyer përgjigje grupit të deputetëve të grupit Parlamentar të PD-së për lëvizjet në administratë.

Në përgjigjen e saj dërguar Kuvendit, ministrja Harito thotë se objektivi i qeverisë në këtë 4-vjeçar është qeverisja eficente dhe transparente. 
 
Në letrën e saj që i është drejtuar grupit parlamentar të PD-së dhe sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Harito shkruan se, nga data 16 shtator 2013 deri në 16 shkurt 2014 janë eliminuan hallkat e tepërta, strukturat e panevojshme. Sipas saj, është pakësuar numri i punonjësve në administratë me 15 %.
 
Harito shkruan se, gjatë kësaj periudhe “Ministria e Integrimit rriti me 20% numrin e punonjësve.” Gjithashtu është bërë edhe planifikim strategjik, rrjet kundër korrupsionit në çdo ministri.
 
Sipas saj, lëvizjet në administratë janë bërë në mënyrë autonome nga institucionet. Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike thotë se, pas 9 vitesh vendosëm në funksion Regjistrin Qendror të Personelit.