Një ditë më parë u largua nga detyra me firmën e Ardi Veliut shefi i Forcave të RENEA-s, Vasillaq Sota. Edhe pse motivet e largimit të Sotës nuk janë bërë të ditura, Report Tv ka mësuar nga burime pranë Policisë së Shtetit se në vend të tij është emëruar Lorenc Shehu.
Ky i fundit ka një karrierë të gjatë si drejtues në Policinë e Shtetit. Shehu ka mbajtur detyrën e shefit të Strukturës Speciale Operacionale. Ndërsa deri në 2013-ën, Lorenc Shehu ka qenë drejtor i Policisë së Tiranës.
Më herët ai ka mbajtur edhe detyrën e Komandantit të FNSH-së. Gjithashtu, Lorenc Shehu është ndër efektivët e Policisë së Shtetit të cilët mbetën të lënduar në protestën e opozitës në 27 maj, ku pati incidente dhe tensione përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.
(Lorenc Shehu duke marrë ndihmë mjekësore te Trauma pas lëndimeve në protestën e opozitës)
Ndërkaq, ish-shefi i RENEA-s, Vasillaq Sota është një ofier karriere. Më herët ai është dekoruar nga ish-drejtori i policisë, Haki Çako.
(Vasillaq Sota, ish-shef i RENEA)