Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit teksa po lëvizte i armatosur si dhe po drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Enea Kiptiu është prangosur në lagjen nr.18 teksa po lëvizte me automjet. Gjatë kontrollit fizik Kiptiut iu gjet në çantë një pistoletë si dhe një sasi municioni luftarak. 32-vjeçari akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
“Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Mesnata”.
Lëvizte i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municioni luftarak.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që qarkullojnë me armë pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 18, u ndalua automjeti me drejtues shtetasin E. K.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. K., në çantën marsup i gjetën 1 armë zjarri pistoletë, të cilën e posedonte pa leje, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjet edhe një sasi municioni luftarak.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










