KURBIN - Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme në Kurbin, pasi në gjendje të dehur, lëvizte i armatosur, kërcënoi disa qytetarë, si dhe theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali me qytën e kallashnikovit.
Blutë njoftojnë se në momentin e arrestimit të Adrian Gjokës, atij i është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas marrjes së informacionit se një shtetas i armatosur lëvizte me armë zjarri automatike në dorë, kërcënonte qytetarë dhe dëmtonte prona në zonë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Reagimi”.
Shërbimet e Policisë, në kuadër të këtij operacioni, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. Gj., 28 vjeç, banues në Laç.
Ky shtetas, në gjendje të dehur, lëvizte i armatosur, kërcënoi disa qytetarë, theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali me qytën e kallashnikovit.
Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Komente








