Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi lëvizte me armë me vete.

I riu u kap në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11, Durrës. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet një 28-vjeçare për Moskallëzimi i krimit”.

Policia e gjeti armën me municion luftarak brenda një çante marsup të 30-vjeçarit.

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra se një 30-vjeçar mbante armë zjarri dhe qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Informacioni”.

Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, i shtetasit H. K., 30 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap në flagrancë në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11, Durrës, në kohën kur kishte hyrë në banesë dhe, gjatë kontrollit, në brendësi të çantës marsup të tij iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak.

Në apartament, së bashku me të, ndodhej dhe shtetasja K. Sh., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, njoftoi sot policia

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë