LEZHË- Procesi i legalizimeve pritet që të rinisë brenda këtij muaji në Lezhë, por numri i lartë i dosjeve të depozituara që kërkojnë të shqyrtohen mund të krijojë vonesa.
 
Konfirmimin e jep drejtori i ALUIZNI-t në Lezhë, Pashk Luka.
 
Janë mbi 13 mijë dosje të depozituara për legalizim që nga viti 2006, duke përfshirë edhe vetëdeklarimet e kryera nga qytetarët gjatë vitit 2013.

Vetëm 10 % e tyre e kanë përfituar lejën e legalizimit, ndërkohë që pjesa më e madhe e këtij procesi është e papërfunduar.
 
Sipas drejtorit të ALUIZNI-t, Luka,  “fillimisht do të niset me objektet që e kanë të ngushme realizimin e këtij procesi, por duke ndjekur një rradhë që vjen jo vetëm nga kërkesa e qytetarëve por edhe nga vlerësimi i dosjeve të tyre”.
 
Në këtë proces do të shqyrtohen edhe dosjet e reja të depozituara në vitin 2013, por sipas Lukës bëhet fjalë për ndërtimet e kryera nga individët në tokën e tyre dhe se do të përjashtohet legalizimi i objekteve jashtë këtij kriteri, pasi ato në bazë të ligjit të vjetër nuk duhej të ishin pranuar.
 
Drejtori i ALUIZNI-t në Lezhë, Pashk Luka ka shtuar se edhe për këtë problematikë duhen pritur ndryshimet e reja ligjore, për të patur plotësi të veprimeve të mëtejshme.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)