Lezha përkujtoi këtë të hënë 582-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës dhe të tërë historisë kombëtare.
Kjo datë historike bëri bashkë autoritete nga të gjitha trevat shqipfolëse, së bashku me një delegacion të gjerë arbereshesh të Italisë. Veprimtaritë nisen me vendosjen e kurorave me lule dhe homazheve pranë obeliskut të Besëlidhjes.
Më pas të pranishmit vijuan me ecjen simbolike në gjurmët e historisë drejt sheshit "Gjergj Kastrioti", në nderim të vizionit që lindi në këtë qytet.
Duke ju referuar 2-marsit të vitit 1444 Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu tha se kjo ngjarje historike është një mesazh dhe reflektim për t’u mos u përçarë me njëri tjetrin.
“Kuvendi i Lezhës na mësos se në momente vendimtare duhen qartësi dhe guxim. Vendime të drejta, prioritete qarta dhe bashkëpunim real. 2 marsi nuk është thjesht një kujtim, por një reflektim që na kërkon mos përçahemi për gjëra të vogla”, tha ndër të tjera kryebashkiaku Pjerin Ndreu.
Aktiviteti në nderim të Besëlidhjes së Lezhës u përshëndet dhe nga përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe autoritete të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
"Besëlidhja ishte marrëveshja për koordiniem ushtarak, për dimplomaci të përbashkët. Bashkimi nuk ishte i imponuar, por zgjedhje. Lezha nuk është vetëm qytet i kujtesës, është qytet i vizionit”, tha Përparim Rama, kryetar i Komunës Prishtinë.
“Mendoj që udhëheqësit përkatës duhet të bëjnë një besëlidhje të re që t’i përgjigjen kohës që na pret për të ardhmen”, nënvizoi Talat Xhaferi, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
"Besëlidhja e Lezhës ishte më shumë se një aleancë politiko-ushtarake. Interesi i Shqipërisë u vendos mbi interesin personal dhe ambiciet e çastit. Ky është edhe mesazhi që na vjen sot, pavarësisht se tani kemi sfida të tjera. Misioni ynë historik është përmbyllja e procesit të anëtarësimit në BE”, tha Ulsi Manja.
Veprimtaritë në përkujtim 581-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, vijuan në sheshin Gjergj Kastrioti, ku të pranishmit vizituan panairin e artizanatit dhe u mbajt një koncert muziko-letrar në nderim të figurës së Gjergj Kastriotit.
Historia e Besëlidhjes së Lezhës
Më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, aty ku sot ndodhet memoriali i Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja apo Kuvendi i Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të mesjetës shqiptare dhe të gjithë historisë sonë kombëtare. Në këtë Kuvend, menjëherë pas kthimit nga Turqia, Skënderbeu mblodhi për herë të parë në historinë mesjetare shqiptare të gjitha principatat për t’u përballur me sulmet osmane.
Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë principata nga veriu në jug, ndër më të rëndësishmet Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, si dhe përfaqësues nga Mali i Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.
Pas këtij bashkimi, udhëheqësi legjendar drejtoi për 25 vite me radhë rezistencën kundër pushtimit osman. Besëlidhja i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, duke forcuar identitetin dhe vetëdijen kombëtare.
Qyteti nuk përfaqësonte kryeqendrën e ndonjë principate shqiptare, çka shmangte rivalitetet dhe forconte idenë e barazisë mes princave. Kjo konsiderohet edhe si një veprim diplomatik i zgjuar i Skënderbeut, duke pasur parasysh rolin që Venediku mund të luante si faktor mbështetës në Evropë.
Komente










